Vetëm opozita në komisionin e medias e arsimit, Gjekmarkaj: Do jemi këtu për betejë të përditshme
Dështon mbledhja e komisionit parlamentar të mediave. Kryetari i Komisionit parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deputeti i PD Agron Gjekmarkaj, tha se opozita u paraqit në sallën e komisionit, ndërsa maxhoranca jo, pasi nuk e do përballjen.
Ai tha se jemi përpara një situate absurde dhe se Rama nuk do ta ketë të lehtë përballjen me situatën.
“Opozita u paraqit në sallën e komisionit të edukimit dhe medias, në përputhje me kusht dhe ligjet e vendit. U paraqit për të respektuar parlamentarizmin dhe lirinë e fjalës. Gjendemi përpara një situate absurde. Maxhoranca nuk u paraqit, nuk u paraqit sepse nuk do përballjen me opozitën. Nuk duan të diskutojnë për çështjen e arsimit në Shqipëri, për shkollat që mbyllen, për 2 orë mësim në ditë në shkollat shqiptare. Kjo është një qeveri që ka dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, i konvenon të shmangë çdo debat. Opozita nuk lutet, nuk është e vogël, përfaqëson shumicën e qytetarëve shqiptarë. Do jemi këtu për betejë të përditshme, betejë me regjimin. Nuk do ta ketë të lehtë Edi Rama përballjen me opozitën e Shqipërisë. Komisioni nuk u konstitua, por opozita u paraqit që të fillonte normalisht. Pjesëtarët e maxhorancës nuk erdhën sepse kanë urdhër. i bëj thirrje Nikollës të mos bëhet certifikuese e dëshirave të Edi Ramës. Të ndjekë shembullin e Pjetër Arbnorit, të Servet Pëllumbit”, deklaroi Gjekmarkaj.
Nderkohe, Partia Demokratike ka kërkuar sot pjesëmarrje fizike në disa Komisionet Parlamentare. Lajmi bëhet i ditur nga zyra e shtypit e PD-së, ku njofton se sot mblidhen disa komisione parlamentare dhe PD kërkon pjesëmarrje fizike. “Deputetet e PD kanë kërkuar pjesëmarrjen fizike në komisione dhe, ne zbatim të nenit 5 të rregullores, do të jenë të pranishëm fizikisht në sallat e komisioneve në kryesinë e Kuvendit”, thuhet në njoftim.