Kosova

Viets:Veprimet e opozitës janë të papranueshme

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ka thënë se që nga viti 2008 Kosova ka bërë përparim të madh.

Në këtë intervistë për gazetën kosovare “Epoka e re”, Vietsi ka vlerësuar se me krijimin e qeverisë së re janë krijuar mundësi të mira për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ambasadorja gjermane ka thënë se qeveria e Kosovës ka qenë para disa vendimeve shumë të rëndësishme që janë kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

“Një prej këtyre vendimeve ka qenë edhe krijimi i Gjykatës Speciale, edhe pse kjo është bërë me dy vjet vonesë. Gjithashtu, vendim i rëndësishëm është edhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Pas këtyre vendimeve është koha që Qeveria e Kosovës të fokusohet më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit”, është shprehur ambasadorja Viets.

Duke folur për migrimin e qytetarëve të Kosovës, ajo i ka porositur qytetarët kosovarë mos të largohen nga vendi. “Për ne është shumë me rëndësi që qytetarët në Kosovë të rrinë në vendin e tyre dhe ta krijojnë perspektivën këtu. Ata nuk duhet ta lëshojnë vendin e tyre dhe të migrojnë në vende të ndryshme, siç ndodhi në fillim të këtij viti”, ka deklaruar Viets.

Ajo tha se shanset për të kërkuar azil në Gjermani janë pothuajse zero.

“Shanset për të fituar azil për qytetarët e Kosovës në Gjermani janë pothuajse zero. Në Kosovë nuk ka përndjekje politike dhe, falë Zotit, në Kosovë nuk ka luftë qytetare dhe për këtë arsye refuzohet azili në Gjermani. Ne i kuptojmë arsyet ekonomike, por këto nuk janë arsye për të fituar azil. Ne po përpiqemi të krijojmë hapësira për migrim legal për aq sa është e mundur, për një numër të caktuar të qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Vietsi.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ka thënë se sfidë për institucionet e Kosovës mbetet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Qeveria në këtë drejtim duhet të japë dëshmi dhe fakte që gjyqësia të funksionojë”, është shprehur ajo, duke bërë me dije se kryeministri Mustafa ka premtuar se do të marrë hapa konkretë për ta luftuar korrupsionin.

Në këtë intervistë Viets ka folur edhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit që pritet ta nënshkruajë Kosova me BE-në.

Viets u shpreh se nuk është në dorën apo fuqinë e qeverisë së Kosovës të japë data se kur do të ndodhë nënshkrimi për MSA-në. “Kjo është një gjë që vendoset nga Komisioni Evropian. Gjermania e ka përkrahur shumë Kosovën, jashtëzakonisht shumë në drejtim të nënshkrimit të MSA-së”, është shprehur ajo, duke shtuar se nënshkrimi i MSA-së mund të ndodhë në dhjetor ose janar. Vietsi ka thënë se MSA-ja është një arritje për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Duke folur për situatën e fundit politike në vend, pas arritjes së marrëveshjeve në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe reagimit të opozitës, ambasadorja gjermane në Kosovë ka një porosi për opozitën sa i përket shqetësimit të saj për këto marrëveshje.

“Për Kosovën është shumë me rëndësi ta shtrijë sovranitetin e saj të plotë në veri, në mënyrë që strukturat paralele të largohen dhe që serbët të kenë një perspektivë më të mirë për jetën e tyre këtu. Opozita është shumë e rëndësishme në demokraci, por çdo parlament ka një rregullore pune dhe deputetët e opozitës duhet t’i përmbahen kësaj rregullore.  Unë nuk mund t’i kuptoj aksionet dhe veprimet e papranueshme në parlament. Para dy vjetëve Parlamenti i Kosovës ka vendosur për këto marrëveshje të cilat po kundërshtohen tani nga opozita. Pra, opozita po i keqpërdor temat. Për shembull, Gjykata Speciale është vërtetuar nëpërmjet letërkëmbimit të presidentes Atifete Jahjaga dhe baroneshës Ashton, pastaj e ka miratuar Parlamenti i Kosovës dhe tani përdoren terma të ndryshëm. Opozita mund ta japë mendimin e vet në parlament, por është e papranueshme ta sulmojë me vezë kryeministrin e Kosovës. Me këtë veprim opozita e bën veten jo të besueshme, njëkohësisht e bën veten jo të zellshëm për t’u zgjedhur nga elektorati. Edhe protestat janë pjesë e demokracisë, por jo të jenë të dhunshme, siç ka ndodhur herën e kaluar me shishe molotovi”, ka deklaruar ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets.

OPOZITA RIKTHEHET NË KUVEND PËR T’I BLLOKUAR SEANCAT

Gazeta Koha Ditore shkruan se, opozita ka vendosur të largohet edhe më shumë nga Kuvendi, duke e përqendruar gjithë aktivitetin e vet jashtë institucioneve. Pas vendimit për mospjesëmarrje në mbledhjet e Kryesisë dhe bllokimit të seancave, nga e hëna tri partitë opozitare do ta bojkotojnë edhe punën e komisioneve funksionale brenda Kuvendit. Por, kurdo që thirret seanca ata do t’i përgjigjen, me qëllimin e vetëm – për të mos lejuar zhvillimin e saj.

Në faqen zyrtare të Kuvendit për të hënën është caktuar mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, ku mes tjerash do të raportojë Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shkëlzen Sopjani, shkruan gazeta.

Por, kryetari i këtij Komisioni, Haxhi Shala, që vjen nga radhët e Nismës për Kosovën, si dhe dy anëtarët e tjerë të opozitës Rrustem Berisha i AAK-së dhe Aida Dërguti nga “Vetëvendosje” nuk do të marrin pjesë.

“Siç e dini, opozita nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit dhe që nga dita e nesërme (e hënë) është marrë vendim që të bojkotohen edhe mbledhjet e komisioneve parlamentare”, ka thënë shefja e Grupit parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami.

Haradinaj synon qeverinë

Ndërsa, sipas gazetës Zëri, pas zhvillimeve të fundit në Kuvend, po diskutohet mundësia e zgjerimit të koalicionit qeverisës edhe me partinë e Ramush Haradinajt. Sipas disa kalkulimeve politike, ky i fundit mund ta marrë pozitën e Hashim Thaçit në Qeveri kur kreu i PDK-së të zgjidhet president.

Gazeta përkujton se, është dukur pak e çuditshme kur deputetët e Ramush Haradinajt javë më parë gjuanin me vezë në drejtim të kryeministrit, Isa Mustafa, teksa ky i fundit doli të raportonte për marrëveshjet e fundit të nënshkruara me Serbinë. Komente të njëjta kishte edhe kur Haradinaj dhe opozitari tjetër, Fatmir Limaj, i prinin protestave bashkë me Albin Kurtin e Visar Ymerin për shkarkimin e Aleksandër Jabllanoviçit, derisa protestues të shumtë gjuanin me gurë në drejtim të godinës së Qeverisë. Imazhe të tilla po vlerësoheshin si krejt normale sikur protestat të organizoheshin nga Lëvizja “Vetëvendosje”, por jo edhe nga dy opozitarët tjerë, Haradinaj e Limaj, pasi që këta të fundit deri më tani pakënaqësitë e tyre politike i kanë shprehur gjatë debateve parlamentare e jo në rrugë e as duke gjuajtur vezë në Parlament. Burime të gazetës, të afërta me partnerët e koalicionit qeveritar, bëjnë të ditur se pas ngjarjeve të fundit në Kuvend po diskutohet mundësia që edhe AAK-ja të futet në qeveri.

Në zhvillimet e fundit, Kuvendi i Kosovës është bllokuar nga “aksionet simbolike” protestuese të deputetëve të opozitës në kundërshtim të katër marrëveshjeve me Serbinë dhe marrëveshjes së demakacionit me Malin e Zi dhe nuk ka arritur të zhvillojë asnjë seancë në sesionin vjeshtor, ndërsa, në këtë situatë, seanca që ishte në axhendë të mbahej të premtën është anuluar.

“Qasjet aktuale të pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, është tema e tryezës politike, e cila do mbahet sot në Prishtinë.

Tryeza organizohet nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, bëhet e ditur në ftesën e dërguar.

Në këtë tryezë do të marrin pjesë përfaqësues të medias e të shoqërisë civile në Kosovë, analistë, publicistë, ligjërues universitarë dhe të ftuar të tjerë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button