‘Vijat e kuqe’ të pronësisë po rrisin autocensurën në mediat shqiptare

Në ditët e para të qershorit, kur mijëra qytetarë u mblodhën në protestë përballë Kryeministrisë, pothuajse të gjitha televizionet e vendit i kthyen kamerat në drejtimin e kundërt.
Rrjetet sociale u shndërruan në burim parësor të informacionit, me transmetime të drejtpërdrejta, fotografi dhe dëshmi të protestuesve. Kur protesta u bë shumë e madhe për t’u injoruar, mediat televizive nxituan të kapnin ritmin e transmetimit.
Megjithatë, black out-i disaditor riktheu në vëmendje pyetjen se, në trekëndëshin media – biznes – politikë, kush i vendos prioritetet editoriale për ngjarje me interes të lartë publik?
Ndikimi i pronarëve të medias në kontrollin e informacionit nuk është një lajm i ri në Shqipëri dhe nuk lidhet vetëm me protestat maratonë të pagëzuara tashmë si “Revolucioni i Flamingove”.
Prej vitesh, organizatat e lirisë së medias u bien këmbanave të alarmit për ekzistencën e problemeve strukturore dhe ndërthurjen e dëmshme të konfliktit të interesit mes pronarëve të mediave, bizneseve të tyre dhe politikës.
Për gazetarët dhe ekspertët e medias, këto interesa dominojnë tashmë mbulimin mediatik, duke rritur vetëcensurën, pasigurinë profesionale dhe kufizimet editoriale. Kufijtë e raportimit, sipas tyre, nuk vendosen gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por përmes një sistemi të brendshëm “vijash të kuqe”, interesash ekonomike dhe vetëcensure të normalizuar.
“Kur një numër i vogël individësh kontrollojnë shumicën e televizioneve, portaleve apo platformave informative, krijohen monopole që reduktojnë zërat alternativë dhe raportimet kritike,” tha Elvin Luku, përgjegjës i departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës.
Një pyetësor i realizuar me 31 gazetarë dhe redaktorë të mediave të ndryshme për llogari të kësaj analize konfirmon shqetësimet e ngritura mbi rolin e pronarëve në kontrollin e informacionit.
Rreth 71 për qind e të anketuarve pohuan se pronari i medias ku punonin ndikon shumë ose disi në përcaktimin e linjës editoriale. Mes gazetarëve të anketuar, 74% pohuan se kishin marrë kërkesë për të ndryshuar materialet e tyre për arsye jo-gazetareske, ndërsa 68% pohuan se kishin përjetuar në vetë të parë ndalimin e publikimit të një materiali.
Interesat ekonomike dhe ato politike konkurojnë mes tyre në mënyrë të barabartë si arsye për ndalimin e publikimit të materialeve.
“Vija të kuqe”
Pronësia e medias në Shqipëri është një biznes familjar dhe tregu është shumë i përqendruar në duart e pak familjeve të fuqishme. Në tregun e televizioneve, dy pronarët më të mëdhenj – familja Frangaj e TV Klan dhe familja Hoxha e Top Channel – kontrollojnë më shumë se gjysmën e pjesës së tregut të reklamave, sipas Monitorimit të Pronësisë së Medias për vitin 2023.
Raporti evidenton gjithashtu se kompanitë e lidhura me tre mediat e mëdha private kombëtare, ku përfshihet edhe Vizion Plus, kanë përfituar statusin e investitorit strategjik nga qeveria e kryeministrit Edi Rama. Interesat e biznesit të pronarëve të medias shtrihen në një sërë sektorësh ekonomikë, nga ndërtimi deri të prodhimi i birrës.
Elona*, emri i së cilës u ndryshua për të ruajtur anonimatin, e përshkruan mjedisin mediatik si një realitet të njohur prej saj, që prej momentit kur filloi të punonte pranë një televizioni informativ në Tiranë.
“E dija se si funksiononte politika redaksionale, interesat dhe censura,” thotë ajo, ndërsa shton: “Bëra pakt me faktin që nuk do them gjithçka.”
Gazetarja tregon se kufizimet nuk shfaqen domosdoshmërisht si ndalime të hapura, por si një sistem i nënkuptuar paraprakisht brenda redaksisë. Ajo thotë se ishte e qartë për “interesat dhe vijat e kuqe”. Megjithatë, në dy raste i është ndaluar publikimi i materialit me një shpjegim të thatë: “pronari s”do”.
“Më krijonte stres të përditshëm fakti që kisha tema të mira për të trajtuar, por nuk më jepej mundësia”, thotë Elona, duke shtuar se kjo ishte një nga arsyet pse më vonë u largua nga televizioni.
Një rast i ngjashëm përshkruhet nga gazetarja Patris Pustina, e cila tregon se gjatë punës në television, një emision investigativ mbi ndërtimet nuk u transmetua i plotë. Ajo thotë se nuk mori asnjë sinjal paraprak, duke e bërë ndalimin një fakt të kryer.
“U transmetua vetëm pjesa e parë, jo e dyta për ndërtimet në Tiranë. Ne e morëm vesh vetëm kur u transmetua që e kishin prerë,” thotë ajo.
Në këtë hapësirë mes publikimit dhe kontrollit, gazetarët e përshkruajnë vetëcensurën si një mekanizëm të brendësuar.
Për gazetaren Esiona Konomi, kufijtë e raportimit janë të qartë brenda çdo redaksie, edhe pa u artikuluar. “Gazetarët e dinë në çdo media se cilat janë vijat e kuqe,” thotë ajo. “Ekziston gjithmonë një target shënjestër dhe një listë e të paprekshmëve, që burojnë nga interesat e pronësisë së medias.”
Sipas saj, kjo strukturë nuk ndikon vetëm në mënyrën si shkruhen lajmet, por edhe në mënyrën si ato zgjidhen. “Disa të vërteta nuk thuhen aq troç sa do të meritonin,” shton ajo, duke e përkufizuar këtë si formë autocensure.
Edhe rezultatet e pyetësorit e mbështesin këtë perceptim. Tetëmbëdhjetë nga 31 gazetarë pranuan se kanë praktikuar vetëcensurë “herë pas here” ose “shpesh” për të shmangur probleme në punë, ndërsa 18 të tjerë thanë se nuk ndihen aspak ose pak të sigurt për të raportuar tema që prekin interesat e pronësisë.
Gazetari dhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj, e përshkruan këtë proces si më të thellë sesa censura direkte. Sipas tij, kontrolli më efektiv është ai që ndodh përpara se lajmi të ekzistojë si propozim.
“Në vend që një lajm të mos lejohet të publikohet, shpesh ai as nuk propozohet fare,” thotë ai. “Kjo është forma më e sofistikuar e kontrollit, sepse nuk lë gjurmë dhe nuk mund të dokumentohet lehtësisht.”
Në shumë raste, kufijtë nuk vijnë si urdhër i drejtpërdrejtë nga pronari, por si strukturë e brendshme redaksionale. Gazetari dhe redaktori Andi Kurti e përshkruan këtë si një mënyrë funksionimi të njohur brenda mediave.
“Përpos linjës së caktuar editoriale, nuk ka presion të drejtpërdrejtë,” thotë ai. “Ka një lloj dakordësie për ato që raportohen dhe si raportohen.”
Kurti përmend rastin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, për të cilën thotë se ekzistonte një “kujdes” i përgjithshëm në raportim. Kjo u vu re edhe në momentin kur Balluku u mor e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera me vlera qindramilionë euro.
“Për Ballukun, lajme përbëjnë vetëm daljet e saj, inspektimet dhe deklaratat e saj në një kontekst të thatë çfarë tha, pastaj pjesa tjetër nuk raportohet”, tha ai.
Lidhjet biznes- politikë
Prania e shumë mediave në një treg të vogël si Shqipëria është duartrokitur shpesh si një garanci për larmishmëri këndvështrimesh, por ky ka qenë më shumë iluzion sesa realitet. Ndryshe nga një treg konkurrues, monitorimet e përmbajtjes tregojnë se grupet e ndryshme mediatike transmetojnë pothuajse të njëjtin informacion, që serviret shpesh si ushqim i gatshëm nga zyrat e marrëdhënieve publike të qeverisë.
Kjo “dakordësi” lidhet ngushtë me strukturën ekonomike të mediave, sipas pedagogut Elvin Luku, i thekson se varësia financiare është një nga faktorët kryesorë që ndikon në linjën editoriale.
“Kur shpërndarja e parasë publike nuk bëhet me transparencë, krijohet varësi financiare dhe deformohet konkurrenca në tregun mediatik,” tha Luku, ndërsa shtoi se marrëdhëniet mes shtetit, biznesit dhe pronarëve të mediave krijojnë interesa të ndërthurura që ndikojnë drejtpërdrejt në përmbajtje.
Në një nivel më strukturor, Aranita Brahaj, drejtuese e Institutit Shqiptar të Shkencave thekson se shumë pronarë mediash janë të lidhur me sektorë ekonomikë që varen nga vendimmarrja publike. Sipas një raporti të Open Data Albania, 27 pronarë mediash zotërojnë gjithashtu pjesëmarrje në 180 kompani të tjera në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
“Në tërësi, pronarët e mediave rezultojnë të jenë të përfshirë në biznese që janë shumë pranë vendimmarrjes dhe kontraktimit qeveritar,” thotë Brahaj. “Prania e tyre evidentohet në sektorë si ndërtimi, investimet strategjike, koncesionet dhe prokurimet publike.”
Sipas saj, problematika nuk lidhet vetëm me përqendrimin klasik mediatik, por me pushtetin ekonomik që krijohet përmes ndërthurjes së biznesit me median.
“Nëse një pronar media ka interesa që lidhen me leje ndërtimi, PPP apo vendime të ekzekutivit, ekziston rreziku që funksioni i medias të ndikohet nga interesat e tjera të tij,” theksoi Brahaj.
Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA tha përmes një përgjigje me shkrim se Shqipëria nuk ka ende një sistem të konsoliduar të matjes së audiencës televizive, çka e bën të vështirë një vlerësim të plotë të përqendrimit real të ndikimit mediatik.
Përtej kuadrit ligjor, gazetarët thonë se problemi mbetet praktik.
“Shumë gazetarë punojnë pa kontrata të rregullta, me paga të ulëta dhe pa siguri për të ardhmen,” thotë Myzyraj nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë. “Kjo i bën ata më të ndjeshëm ndaj presionit dhe më pak të gatshëm për të ndërmarrë investigime që mund të rrezikojnë vendin e punës.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.