Ekonomia

Vjosa- E bukur, e panjohur dhe e kërcënuar

Kur flasim për turizëm kemi parasysh natyrën e bukur, detin, pyllin, liqenet dhe lumenjtë me shtratin e tyre. Një perlë e bukurisë shqiptare është edhe lumi Vjosa. Deri tani i pa dëmtuar, por i rrezikuar nga shfrytëzimi pa kriter.

Lumi Vjosa është një nga lumenjtë e fundit “të egër” mbase dhe në Europë. Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa rrjedh e pandikuar në mënyrë të natyrshme, e karakterizuar nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme. Në disa zona shtrati i lumit arrin një gjerësi më shumë se 2 km.

Së bashku me degët e saj, Vjosa ofron një ekosistem dinamik, pothuajse natyror. Ky ekosistem unikal në kontinent, edhe pse i panjohur, përfaqëson një trashëgimi të vërtetë natyrore evropiane. Gjarpërimet e rrjedhës së poshtme krijojnë një luginë të gjerë me habitate ligatinore, që bëhen strehë për peshqit, shpendët migratorë dhe shumë specie të tjera. Rrugëtimi i saj natyror përfundon në detin Adriatik, në veri të lagunës së Nartës – një nga lagunat më të mëdha dhe ekologjikisht më të pasura në bregdetin shqiptar, e përcaktuar si Rezervat Natyror i Menaxhuar. Kjo lagunë sot vjosa4është tepër e populluar me shpendë të shumtë që shumohen po aty.

Njohuritë shkencore për Vjosën dhe biodiversitetin e saj janë shumë të kufizuara. Ndoshta është një nga lumenjtë më pak të studiuar në Evropë. Shumë pak studime janë kryer deri tani. Studimet janë shtrirë më së shumti në pjesën e luginës se sa në studimin e habitateve dhe specieve ujore si peshqit apo shpendët, për të cilat Vjosa konsiderohet si zonë kyçe për këto vlera të biodiversitetit shqiptar. Vjosa mbart një popullsi të qëndrueshme të specieve nënujore. Flora e ekosistemit të Vjosës është gjithashtu mbresëlënëse. Në rrjedhën e sipërme janë të pranishme disa lloje të rrezikuara të bimëve endemike. Rrjedha e mesme dhe e poshtme karakterizohet nga dushkaja të përziera. Tarracat e saj u sigurojnë fshatrave tokën pjellore për aktivitete bujqësore të tilla, si prodhimet agrokulturore dhe blegtorale. Sasia dhe shumëllojshmëria e peshkut janë jetike për ekonominë dhe mirëqenien e peshkatarëve vendas.

Turizmi rekreativ në Vjosë dhe degët e saj është gjithnjë në rritje, veçanërisht në vitet e fundit ku kanë filluar të organizohen veprimtari të tilla si rafting, kanotazh, not, etj. Shumë biznese të vegjël dhe të reja si kompanitë e eko-turizmit në vjosa2zhvillim, kanë bazuar ekzistencën e tyre në rrjedhat natyrore të Vjosës. Për më tepër, Vjosa dhe uji i saj kanë dhe vlera kurative. Vjosa shfrytëzohet për turizëm në të katër stinët. Në verë për freskinë dhe bukurinë natyrore ndërsa në dimër për sportet e ujit dhe gjueti të peshkut. Është një perlë e natyrës shqiptare që duhet ruajtur dhe shfrytëzuar si një burim i mirëfilltë ekonomik. Rreziku më i madh asaj i vjen nga shfrytëzimi i inerteve dhe nga devijimet e hidrocentraleve të planifikuara mbi shtratin e saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button