Politika

Vlahutin: Zbatimi i reformës në drejtësi, sfidë e madhe

Kryetarja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadorja Romana Vlahutin mori pjesë sot në takimin e 3 të komitetit drejtues të EURALIUS IV.

Gjatë fjalës së saj Ambasadorja Vlahutin u shpreh se, zbatimi i reformës në drejtësi do të jetë një sfidë e madhe.

“Reforma e Drejtësisë nuk do të mbarojë me miratimin e paketës kushtetuese, por aty do të fillojë. Zbatimi i reformës do të jetë një sfidë e madhe dhe një numër i madh aktesh legjislative janë në proces ndryshimi apo hartimi”, tha Vlahutin.

Duke folur për projketin EURALIUS IV, Vlahutin theksoi se, “Ndërsa projekti do të punojë për të rritur kapacitetet e autoriteteve shqiptare, përfituesi i fundit do të jetë popullsia shqiptare, që do të përfitojë nga një administratë gjyqësore moderne, më transparente dhe efikase, nga një legjislacion më i zhvilluar dhe më pranë standardeve të BE-së, si dhe nga një funksionim më i mirë dhe më transparent i sistemit gjyqësor.Prandaj projekti do të kontribuojë për t’u rikthyer njerëzve besimin te sistemi i drejtësisë, te konsolidimi i demokracisë dhe shteti ligjor në Shqipëri. Ndaj kur të planifikojmë gjithë veprimtaritë e ardhshme, gjithnjë duhet të mbajmë në mendje këtë parim bazë, se paratë e taksapaguesve të BE-së që financojnë këtë projekt duhen shpenzuar në mënyrë të zgjuar dhe të përgjegjshme, çka në fund do t’i shërbejë besimit të njerëzve te sistemi”.

“Lista e përfituesve institucionalë është shumë e gjatë: Ministria e Drejtësisë, Zyra për Administrimin e Buxhetit të Gjyqësorit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme, gjykatat, Konferenca Kombëtare Gjyqësore, Shkolla e Magjistraturës, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterëve. Në Komisionin e fundit Drejtues u vendos që Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën e Drejtësisë do të ishte një ndër përfituesit kyç, për shkak të rëndësisë qendrore të përpjekjeve në vazhdim për reformën e gjyqësorit”, tha Vlahutin.

Ambasadorja e BE shtoi se, “për ne pika kryesore e referimit në punën tonë është Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2015 që e konsideron sistemin gjyqësor shqiptar në stadin e hershëm të përgatitjes. Dhënia e drejtësisë është e ngadaltë, trajnimi profesional dhe pavarësia e gjyqtarëve është i pamjaftueshëm, korrupsioni po minon gjerësisht efikasitetin e sistemit. Por raporti e lavdëron punën e bërë për çuarjen përpara të procesit të reformës, që ka potencial ta riformatojë sistemin shqiptar të drejtësisë. Hapat e tjetër vendimtarë janë miratimi i reformës së gjyqësorit dhe i masave të nevojshme institucionale legjislative dhe procedurale”.

“Një progres i qëndrueshëm në këtë fushë është kyçi për të ardhmen evropiane të këtij vendi dhe më konkretisht, për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, shtoi Vlahutin.

Sipas saj, “ky moment i veçantë ka kërkuar masa të veçanta dhe një shkallë fleksibiliteti nga ana e asistencës së Bashkimit Evropian për institucionet shqiptare. Energjia dhe burimet e veprimtarive të planifikuara më parë u ridrejtuan, në marrëveshje me institucionet shqiptare, për të mbështetur përparësitë e caktuara nga partnerët tanë shqiptarë. Gjatë muajve të fundit, ekipi EURALIUS IV ka punuar me zell për t’i dhënë ekspertizën e tij teknike punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar dhe Sekretariatit të tij Teknik”.

Por sigurisht, theksoi Vlahutin, “EURALIUS IV po e ndihmon ndërkaq këtë proces dhe është i gatshëm ta mbështesë fazën e zbatimit. Përveç ekspertizës teknike për punën e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, EURALIUS IV ka mbështetur gjithashtu finalizimin e ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë. Ekipi EURALIUS ka punuar me draftin sektorial të Strategjisë së Sektorit të Drejtësisë 2016 – 2020 dhe Planin e Veprimit. Strategjia do të jetë një dokument themelor për planifikimin e asistencës së ardhshme për gjyqësorin shqiptar, si dhe për zbatimin e reformës në vazhdim. EURALIUS ka mbështetur gjithashtu vazhdimisht Shkollën e Magjistraturës, punën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe ka siguruar ekspertizë për hartimin e akteve të tjera me rëndësi të legjislacionit”.

“Takimi i sotëm është një mundësi e mirë për t’i inkurajuar të gjitha palët e interesuara që të shprehin përparësitë e tyre për muajt e ardhshëm, si dhe për kuptuar këtë projekt, duke pasur parasysh nevojën për të siguruar koordinimin e veprimtarive dhe për të shmangur mbivendosjen. Reforma e Drejtësisë është kuadri udhëheqës i kësaj asistence dhe në këtë kuptim ne duhet të sigurojmë se ekziston një përqasje e harmonizuar dhe një koordinim i veprimtarive mes gjithë palëve të interesuara. Dialogu dhe diskutimi kanë rëndësi kritike për suksesin e reformës, askush nuk pret të ketë marrëveshje të plotë mbi gjithçka, por në një demokraci është shumë e rëndësishme të shkëmbehen mendime për të kërkuar zgjidhjet më të mira. Synimi i këtij projekti është krijimi i një sistemi gjyqësor më funksional, që do të përmirësojë jetët e qytetarëve shqiptarë, ekonominë e vendit dhe të ardhmen e tij në BE”, theksoi Vlahutin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button