Von der Leyen: Shqipëria partnere në Ballkanin Perëndimor, plan investimesh për rimëkëmbjen ekonomike
Presidentja e KE, Ursula von der Leyen deklaroi sot se e ardhmja e Shqipërisë është në BE dhe se duhet mbajtur Konferenca e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, brenda këtij viti.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, von der Leyen tha se, “së pari është rimëkëmbja nga pandemia dhe këtu kemi dy shtylla kryesore dhe po punojmë në formë intensive për to. Nga njëra anë kemi vaksinimin dhe nga ana tjetër rimëkëmbjen nga pandemia, por edhe fuqizimin e vetë rimëkëmbjes ekonomike”.
“Sa i përket vaksinimit. Këtu ekipi i Europës, do të vazhdojë të qëndrojë krah jush, kemi pasur një fillim të vështirë në BE me miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor. Jemi të ndërgjegjshëm për këtë gjë, por jemi dhe të gatshëm që ta tejkalojmë këtë gjë dhe skuadra e BE ka dhuruar më shumë se 430 mijë doza vaksinash në Shqipëri dhe vaksina të tjera do të vijnë. Ne e dimë që vaksinat shpëtojnë jetë. Na shpëtojnë ne, shpëtojnë të dashurit e zemrës dhe është vaksinimi që ne na duhet sepse do të na ndihmojë që ta tejkalojmë pandeminë”, tha von der Leyen.
“Po ashtu ne do të na duhet që të rrisim ritmin e vaksinimit. Kjo është një çështje që ne e dëgjojmë në BE dhe në Ballkanin Perëndimor. Besimi është shumë i rëndësishëm, faktet janë shumë të rëndësishme. Shkenca është shumë e rëndësishme. Kështu që thjesht dëshiroj t’ju them që ne ju ndihmojmë të rikrijojmë këtë besim dhe që financimi i BE mund të përdoret pikërisht për këtë objektiv, në rast se ju dëshironi sigurisht”, theksoi von der Leyen.
“Sa i përket pandemisë më lejoni t’ju përgëzoj sepse Shqipëria është bërë pjesë e platformës së BE-së për certifikatën COVID. Sigurisht që ky është lajm i mirë sepse do të bëjë të mundur dhe të udhëtuarin ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së”, tha von der Leyen duke shtuar se, ky është një hap vërtet i madh.
Sa i përket rimëkëmbjes, von der Leyen theksoi se, “ne në fakt kemi investuar në mënyrë të konsiderueshme për t’u marrë me pjesën emergjente të krizës. Kemi mobilizuar 3.3 miliardë euro për të mbështetur rajonin. Shqipëria ka marrë 230 milionë euro me anën e granteve dhe financimeve në mënyrë që t’ju ndihmojë me pasojat e pandemisë, siç kemi bërë dhe në BE ku kemi pompuar në ekonomi likuiditet të shumtë, sepse pasojat e pandemisë ishin të mëdha. Sigurisht këtu kishim të bënim që me pajisje mjekësore, por edhe me paketa të plota për rimëkëmbjen ekonomike, por edhe të rajonit”
Von der Leyen nënvizoi se, “tani sytë duhet t’i hedhim drejt së ardhmes, pra investimet që do të bëjnë të mundur një rimëkëmbje që të zgjasë ndër vite. Një rimëkëmbje solide të fortë. Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht për para’, por për financim sepse ky është partneritet ndërmjet të barabartëve. Ashtu si edhe në BE qytetarët e Shqipërisë dhe në veçanti të rinjtë e meritojnë një të ardhme më të gjelbër dhe më digjitale. Ata kanë nevojë dhe e meritojnë në fakt edhe për vende pune, të cilat janë të mirëpaguara. Kështu që ky është në fakt plani ynë i investimeve ekonomike për Ballkanin Perëndimor”.
“Në tryezë ne kemi kemi vënë 9 miliardë euro dhe e rëndësishme është për ne dhe kjo funksionon në vetvete që ju jeni ata që bëni propozimet për projektet cilësore dhe solide të forta, në mënyrë që ne së bashku të arrijmë të sjellim edhe më shumë se 20 miliardë euro të tjera në investime. Ky është objektivi ynë. E kemi filluar tashmë këtë gjë me anën e këtij plani të investimeve ekonomike. Ne tashmë kemi sjellë 500 milionë euro dhe kam kënaqësi të them se ne do të propozojmë dhe një shtesë prej 600 milionë eurosh për këtë vit. Kështu që le të kemi sukses në këtë plan, një sukses të përbashkët sigurisht”, theksoi ajo.
“Ne po bashkëpunojmë ngushtësisht me njëri-tjetrin si partnerë në Ballkanin Perëndimor duke identifikuar projektet më të mira, për të krijuar vende pune për të lidhur rajonin dhe për Shqipërinë do të punojmë për rehabilitimin e hekurudhës së Tiranës dhe Durrësit me Podgoricën si dhe do të rehabilitojmë dhe Fierzën. Këto janë 2 prej shumë shembujsh dhe projekte interesante, të cilat ju vetë i keni propozuar”, u shpreh von der Leyen.
“Plani i investimeve ekonomike do të krijojë vende pune, do të sjellë rritje ekonomike në rajon. Por është thelbësore që të jepet mbështetje për integrimin brenda për brenda rajonit. Pra të 6 partnerët në rajon duhet të ecin përpara me shpejtësi për tregun e përbashkët rajonal. Prandaj faleminderit që ju e përmendët dhe rëndësinë e Procesit të Berlinit, që e theksuat këtë gjë. Unë jam plotësisht mbështetëse e fortë e këtij procesi. Kemi ende shumë për të bërë dhe ta dini që ne na keni partnerë dhe ne do të qëndrojmë krah jush”, theksoi von der Leyen.
Von der Leyen nënvizoi se, “sa më i shpejtë ky proces aq më i shpejtë do jetë dhe procesi i anëtarësimit në BE. Shqipëria meriton dhe e ardhmja e saj do të jetë në BE dhe nuk ka pikë dyshimi. Prandaj unë jap mbështetjen time të plotë për të ecur përpara për negociatat e anëtarësimit më Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Unë jam e vendosur që kjo gjë të bëhet realitet dhe ne të kemi Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Pra që të fillojnë bisedimet për anëtarësim. Ne e kemi diskutuar këtë gjë edhe në të shkuarën, po vazhdojmë të punojmë fort për këtë gjë. Unë dua shumë që ky proces të ecë përpara që ne të kemi mundësinë të fillojmë përpara fundit të vitit”, tha von der Leyen.
“Ju përmendët edhe një çështje tjetër, pra që rajoni ka nevojë për bashkëpunim, por edhe për pajtim. Ju keni punuar fort për këtë çështje dhe keni pasur arritje dhe shikojmë që rritja e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shqetësuese. Është thelbësore që të ulet ky tension dhe të kemi rikthim në dialog. Edhe Bashkimi Europian u ndërtua mbi bazën e dialogut në fillimet e veta dhe si fillim u ndërtua në bazën e zhvillimit ekonomik. Pra u bazua tek zhvillimi ekonomik. Kjo solli mirëkuptim nga të gjitha palët e më pas solli dhe pajtimin. Pra ky është një proces i gjatë. Është një proces i cili sjell një të ardhme me paqe dhe begati këtë dëshirojmë që të arrijmë”, u shpreh von der Leyen.
“Dëshiroj që ta përgëzoj Shqipërinë për përparimin që po bën për ecurinë që ka pasur me reformën në drejtësi. Sigurisht që duhet t’i hedhim sytë drejt së ardhmes, por të mos harrojmë se çfarë është arritur në të shkuarën, gjithë këtë punë që është bërë. Dëshiroj t’ju përgëzoj edhe për progresin, ecurinë në luftën kundër krimit të organizuar për strukturat e reja anti-korrupsion. Ky ka qenë sukses vërtetë i madh. E di që ju tashmë po punoni për luftën kundër pastrimit të parave dhe hartimin e akteve nënligjore për të drejtat e pakicave. Konsolidimi i këtij historiku në fushën e reformave thelbësore është vendimtar dhe unë mirëpres punë të vazhdueshme në këtë drejtim”, tha von der Leyen.
“Me kënaqësi pres të ritakohemi në samitin e ardhshëm javën që vjen në Slloveni, në Samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku së bashku do të vendosim drejtimin, kursin, e të ardhmes tonë të përbashkët. Dhe si anëtare e ardhshme e BE, dua që Shqipëria, dua që ju të merrni pjesë plotësisht në Konferencën për të ardhmen e Europës, pasi ne dëshirojmë të dëgjojmë zërin e qytetarëve shqiptarë”, përfundoi von der Leyen.