Kosova

“Zgjedhjet lokale 2017”: Gjithçka gati për zgjedhjet, rreth 3 mijë vëzhgues vendorë

Pas një fushate 30 ditëshe për zgjedhjet lokale, në Kosovë ka nisur heshtja zgjedhore.

Më shumë se 1 milion e 890 mijë qytetarë me të drejtë vote, do të kenë mundësinë që të votojnë të dielën, më 22 tetor, për kandidatët për kryetar të komunave dhe për këshilltarë komunal.

Për këto zgjedhje lokale janë gjithsej 899 qendra votimi me 2,505 vendvotime, në 38 komuna të Kosovës.

Organizata të shumta vendore dhe ndërkombëtare kanë paralajmëruar se do të vëzhgojnë nga afër procesin e zgjedhjeve lokale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues.
Numri i kandidatëve që janë certifikuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, është 7,091 kandidatë, prej tyre 6,887 janë kandidatë për Kuvende Komunale, ndërkaq 204 kandidatë janë në garë për kryetar komune.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, thotë për Radion Evropa e Lirë se sa i përket KQZ-së, të gjitha përgatitjet për ditën e zgjedhjeve janë përmbyllur
“Gjatë ditës së shtunë do të bëhet rregullimi i të gjitha vendvotimeve, do të vendosen kabinat votuese dhe të gjitha shenjat njoftuese që duhet t’i ketë një vendvotim. Po ashtu, të shtunën do të bëhet shpërndarja e materialit sensitiv zgjedhor dhe materialit tjetër përcjellës nga depoja qendrore e KQZ-së për në depot e komisioneve komunale në 38 komunat e Kosovës”.

“Kurse, në orët e hershme të ditës së nesërme, do të bëhet shpërndarja e këtyre fletëvotimeve për në qendrat e votimit nga depot e komisioneve nën përcjelljen e policisë”, thotë Elezi.

Ai bëri të ditur se KQZ-ja përveç që do të presë në vendvotime votuesit, do t’u mundësojë edhe disa kategorive tjera të shoqërisë që të votojnë përmes ekipeve mobile.

Numri i përgjithshëm i këtyre votuese, sipas Elezit, është rreth 3,200.

Zgjedhjet e 22 qershorit do të vëzhgohen edhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare vendore, “Demokracia në Veprim”.

Në një konferencë për media, Ismet Kryeziu, nga kjo organizatë, bën të ditur se procesin zgjedhor të 22 tetorit do ta vëzhgojnë rreth 3,000 vëzhgues nga Demokracia në Veprim.

“Ne u bëjmë thirrje partive politike që të përkujdesen që nesër nga simpatizantët e tyre, votuesit e tyre, njerëzit e angazhuar që kanë, qoftë në vëzhgimin apo menaxhimin dhe organizimin apo menaxhimin e zgjedhjeve, që janë komisionarët, që të jenë të përgjegjshëm për t’i ruajtur këto standarde për t’i dhënë një legjitimitet më të fuqishëm procesit zgjedhor dhe për të garantuar edhe një herë që secila votë që nesër votohet nga qytetarët, të jetë e drejtë, secila votë të jetë e numëruar”, thotë Kryeziu.
Kryeziu kërkon edhe nga organet përgjegjëse për ruajtjen e procesin zgjedhor që të garantojnë dhe ofrojnë siguri në gjithë territorin e vendit, duke përfshirë edhe komunat serbe.

Ndërkohë, organet përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, kanë thënë se kanë bërë mobilizime të shtuara për të sanksionuar çdo veprim joligjor në procesin e zgjedhjeve lokale.

Autoritetet e rendit në Kosovë kanë bërë të ditur një ditë më parë se i kanë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve lokale.

“Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës”, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, në një takim lidhur me angazhimin e Policisë në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet lokale 2017”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button