Politika

Zgjedhjet në PD, Basha kryen spastrimet me drejtorët e Bashkisë

Kryebashkiaku liron nga detyra tre drejtorë, ndërsa priten lëvizje të drejtuesve aktualë

Lëvizjet – Gara për krerët e degëve të PD-së në Tiranë përfshiu edhe disa prej drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, të cilët u larguan nga detyra pas kandidimit të tyre pak javë më parë.

Precedenti – Vetëm Xhelal Mziu arriti të mbante njëkohësisht edhe postin e kryetarit të degës së PD-së në Kamzë, edhe të kryebashkiakut në kundërshtim të hapur me udhëzimin e Bashës.

Emërimet – Sa u përket emërimeve të reja në Bashki, ato do të zhvillohen muajin e ardhshëm, ku mbetet për t’u parë nëse do të ketë emërime të krerëve të degëve të PD-së në Tiranë.

NGA HERION MESI

drejtoret e bashkiseKryedemokrati Lulzim Basha ndërmerr spastrime në administratën e bashkisë, duke hequr ata drejtorë që u përfshinë në mënyrë direkte apo indirekte në zgjedhjet e strukturave të PD-së.

E mbetur si streha e demokratëve për punësim, Basha duket se ka tentuar që ‘fshesën’ në parti ta shtrijë dhe në institucionin më të madh të vendit, Bashkinë e Tiranës. Nga burimet konfidenciale nga Bashkia e Tiranës, mësohet se në shënjestrën e kryebashkiakut Lulzim Basha janë vënë një sërë drejtorish, ku gjithçka duket se ka nisur nga ajo e pastrim gjelbërimit, ku ndaj drejtorit të saj Bashkim Elezi pak ditë më parë është firmosur dhe shkarkimi. Por, vala e shkarkimit të drejtorëve të bashkisë më të madhe në vend ka përfshirë dhe ndërmarrjen numër 2, atë të mirëmbajtjes së rrugëve, trotuareve dhe ndriçimit, ku është liruar nga detyra drejtori i saj, Fatmir Neza. Një tjetër lirim nga detyra është edhe ai i drejtorit të ndërmarrjes numër 3, që ka të bëjë me mirëmbajtjen e shkollave 9-vjeçare, gjimnazeve, kopshteve dhe çerdheve të Tiranës, Alfons Muça. Mësohet se kryebashkiaku ka liruar drejtorin e Zyrës për Mbrojtjen Konsumatore, Avdi Mataj.

Edhe pse nuk dihen saktësisht shkaqet e këtyre largimeve të menjëhershme, mendohet se këto lëvizje janë në kuadër të ristrukturimit dhe riformatimit të bashkëpunëtorëve të afërt të Bashës në drejtimin e menaxhimin e punëve të bashkisë. Duket se gjithçka është ndikuar nga procesi i kryetarëve të rinj të PD-së në Tiranë, ku kryedemokrati Basha e ka të vështirë të refuzojë zërin e militantëve në radhët e partisë që ai drejton. Sipas burimeve mësohet se një pjesë e drejtuesve janë larguar për shkak se kanë ndërhyrë në procesin e brendshëm të zgjedhjeve të PD-së, ku kanë kërkuar që të caktohen të preferuarit e tyre. Përveç largimeve mësohet se një sërë krerësh të lartë të bashkisë pritet të lëvizin brenda strukturave të bashkisë, ku një nga emrat që përflitet këto ditë në Bashki është ai i drejtoreshës së Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës, Andia Pustina. Gjithashtu, nuk përjashtohet edhe transferimi i drejtorit aktual të Konvikteve të Tiranës, Isa Doçi. Ndërkohë, janë ende të paqartë se cilët do të jenë zëvendësuesit e drejtorëve të liruar, apo se ku do të bëhen transferimet e brendshme, kjo për shkak se vetë kryebashkiaku Basha është me pushime, dhe se gjithçka do të konkretizohet në fillim të muajit të ardhshëm.

Zgjedhjet në PD

Duke tentuar që të shuante zërat kritikë brenda radhëve të demokratëve, lidhur me shkeljen e udhëzimit të tij për zgjedhjet e brendshme në PD-në e Tiranës me rikandidimin e Xhelal Mziut në Kamzë, ku përcaktoheshin kriteret e kandidatëve që do të merrnin pjesë për zgjedhjet e brendshme për kryetarë të degëve të PD-së, të cilët nuk duhet të kishin asnjë post drejtues, as në bashki, as në komuna, si dhe në drejtori bashkish, pak ditë më parë kryebashkiaku Lulzim Basha do të firmoste lirimin nga detyra për dy nga drejtorët e bashkisë, të cilët morën pjesë në zgjedhjet për kryetarë të Tiranës. Bëhet fjalë për shkarkimet e ish-drejtoreshës së Qendrës Sociale Multidisiplinare në Bashkinë e Tiranës, Zamira Bushati, e cila mori pjesë në zgjedhjet për kryetarë të degës së njësisë nr. 6 në Kombinat, e cila nuk fitoi përballë Astrit Xakes. Një tjetër lirim nga detyra është edhe ai i ish-drejtorit të Drejtorisë së Politikave dhe Shërbimeve për Objektet në Bashkëpronësi, Uran Metko, i cili u shpall kryetar i PD-së në njësinë nr. 3 në Tiranë. Lirimi nga detyra i dy ish-drejtorëve, më shumë se zbatimi i udhëzimeve për pjesëmarrjen në zgjedhjet e brendshme të PD-së, u bë për shkak të reagimeve kritike të demokratëve ndaj Bashës, i cili u detyrua që të shkelte udhëzimin e tij, duke lejuar pjesëmarrjen në këtë garë të kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, i cili pa dhënë asnjë dorëheqje nga posti i tij, kandidoi për mandatin e dytë si kryetar i PD-së, ku më pas do të shpallej fitues i garës së zhvilluar në këtë zonë.

Drejtorët e liruar

Bashkim Elezi, drejtor i ndërmarrjes nr. 1 i pastrim gjelbërimit.

Fatmir Neza, drejtor i ndërmarrjes nr. 2, mirëmbajtja e rrugëve, trotuareve dhe ndriçimit.

Alfons Muça, drejtor i ndërmarrjes nr. 3 të mirëmbajtjes së shkollave 9-vjeçare, gjimnazeve, kopshteve dhe çerdheve të Tiranës.

Avdi Mataj, drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit

Zamira Bushati, drejtoresha e Qendrës Sociale Multidisiplinare në Bashkinë e Tiranës.

Uran Metko, drejtor i Drejtorisë së Politikave dhe Shërbimeve për Objektet në Bashkëpronësi në Bashkinë e Tiranës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button