Zhvillohet stërvitja “Vlora SAREX 2015”
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ndoqi sot stërvitjen “Vlora SAREX 2015”. Stërvitja e zhvilluar në Gjirin e Vlorës u ndoq edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Qemal Shkurti, si dhe nga përfaqësues të lartë të pushtetit vendor të Vlorës dhe Orikumit, të Policisë Kufitare, të Delta Forcë në Vlorë, të Shkollës së Trupës në Bunavi etj.
Qëllimi i stërvitjes ishte arritja e bashkëpunimit ndërinstitucional për zhvillimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit, SAR, si dhe zbatimit të ligjshmërisë në det.
Ministrja Kodheli dhe autoritetet që e shoëqëronin e ndoqën stëvitjen duke qëndrua në pikën dominues në ish-distriktin detar, tek Kalaja, Uji i Ftohtë. Paraprakisht, komandanti i Flotiljes Detare të Vlorës, Kapiten i Rangut I, Subi Zenelaj, dha një informacin të shkurtër rreth stëvitjes, qëllimin dhe objektivat e saj, forcat dhe mjetet pjesëmarrëse etj. Ministrja e Mbrojtjes Kodheli vlerësoi stërvitjen si një arritje tjetër të Forcave tona të Detare, në bashkëpunim edhe me struktura të tjera përgjegjëse për vëzhgimin dhe sigurinë e ujrave tona detare.
Forcat e Armatosura, nënvizoi Kodheli, janë në dispozicion të qytetarëve dhe u shërbejnë atyre. Më tej, ministrja Kodheli, theksoi se, kjo stërvitje është shumë e rëndësishme edhe për faktin se ajo është një stërvitje e kombinuar ndërinstitucionale, çka shpreh atë se të gjithë jemi përgjegjës për sigurinë e jetës së qytetarëve. Forca Detare ka mision të saj edhe Rojen Bregdetare dhe kjo është një stërvitje e cila i shërben më së miri këtij misioni, u shpreh ministrja e Mbrojtjes Kodheli.
Stërvitja “Vlora SAREX 2015” është një stërvitje ndërinstitucionale që zhvillohet në kuadër të zbatimit të ligjëshmërisë në det. Struktura përgjegjëse dhe drejtuese e stërvitjes ishte Komanda e Forcës Detare. Objektivay kryesore të saj ishin: trajnimi i efektivave lundrues së Flotiljes Detare mbi veprimet që merr anija për reagimin ndaj ngjarjeve dhe situatave në det (SAR, Zbatimi i Ligjëshmërisë, etj) sipas rajonit që mbulon; koordinimi dhe bashkëveprimi i veprimeve me Forcën Ajrore (Baza e Helikopterëve në Farkë) në rast situate; koordinimi dhe bashkërendimi me agjencitë e tjera që kanë interesa në det.
Në këtë stërvitje morën pjesë: 3 anije nga Forca Detare, 2 mjete nga Policia Kufitare, 1 mjet nga Delta Forcë, si dhe 2 helikopterë nga Forca Ajrore.
Gjatë stërvitjes “Vlora SAREX 2015” u zhvilluan dhe u përpunuan disa skenarë si: zbatimi i veprimeve për zbatimin e ligjëshmërisë ndaj një mjeti detar që kryen veprimtari të kundërligjshme, bllokimi dhe ankorimi i tij në portin e Vlorës për të kryer procedurat e duhura ligjore; zbatimi i veprimeve për zbatimin e ligjëshmërisë ndaj një anije tregtare ekuipazhi i të cilës nuk tregohet bashkëpunues dhe hap zjarr ndaj mjeteve tona; zbatimi i veprimeve dhe reagimi ndaj një situate kërkim-shpëtimi SAR, me pjesëmarrjen e të gjitha mjeteve dhe një helikopteri; zbatimi i veprimeve në rast të dhënies së ndihmës një anijeje me avari dhe zjarr në bord, evakuimi i personelit të anijes me anë të helikopterit dhe vënia nën kontroll e zjarrit për të parandaluar një katastrofë detare.