Sporti

Teuta-Kukësi, barazim i varfër

Takimi i 3-të i së mërkurës, i vlefshëm për javën e 6-të të Kategorisë Superiore, që është luajtur më vonë në mbrëmje në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, aty ku janë përballur dy skuadrat që janë hëpërhë në zonën e ftohtë të renditjes, Teuta dhe Kukësi. Në fakt, pjesa e parë e kësaj sfide, e cila është zhvilluar nën nivelin mesatar, ka parë vendasit të bëjnë një vëllim më të madh loje dhe rastesh, por u ka munguar rrezikshmëria dhe saktësia para portës mike.

Miqtë mund të kishin gjetur golin në fundin e 45 minutave të para, por Hasaj e dërgon topin jashtë përballë portierit të Teutës, Vatës. Kështu, pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura, ndërsa në të dytën, në minutën e 56-të, ka shënuar Teuta, me anë të Dacit, pas një aksioni të bukur të Filit. Por sulmuesi sinjalizohet në pozicion jashtë loje dhe goli anulohet.

Më pas, ndeshja do të bjerë në kllapi dhe gjysmëora e mbetur e kohës së rregullt e minutat shtesë nuk do të prodhojnë gol dhe Teuta e Kukësi ndajnë nga një pikë, duke mbetur përkatësisht në vendin e 8-të dhe të 9-të, me 5 dhe 4 pikë pas 6 javësh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button