Arte

Fillon në Tiranë, Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut

Me shfaqjen e filmit dokumentar “Zjarr në det” të regjisorit italian Gianfranco Rosi ku përshkruhet jeta e një fëmijë në një ishull është hapur sonte edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri (IHRFFA). Tema qendrore për këtë vit e këtij edicioni është “migracioni”, raporton Anadolu Agency (AA).

Festivali organizohet nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “MARUBI” në Tiranë me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Ndërkohë në një fjalë përshëndetëse kryetari në Detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, duke u ndalur te migrimi, tema kryesore e festivalit këtë vit, tha se ai po e përball Evropën me një nga sfidat më të mëdha të kësaj gjenerate. Parë si çështje sigurie dhe nga lidhja e mundshme mes migracionit, trafikimit dhe terrorizmit, Wilton tha se ky kërcënim kolektiv dhe transnacional mund të përballohet vetëm përmes një përgjigjeje po kolektive dhe transnacionale.

“Megjithatë, më themelore është sfida ndaj njerëzimit. Te migrantët dhe refugjatët futen njerëz që kanë ikur nga vendi i tyre nga frika e luftës dhe persekutimit, viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore apo punës së detyruar. Këta njerëz kanë vuajtur, por ata kanë të drejtat e tyre si njerëz, të drejta që ne jemi të detyruar t’i mbrojmë – si moralisht, ashtu edhe ligjërisht. Kjo është sfida jonë: të balancojmë mbrojtjen e duhur të kufijve me mbrojtjen e domosdoshme të vlerave, të qytetarisë sonë. Të tregojmë se përgjigja nuk janë muret, por mikpritja”, shtoi ai.

Filmat pjesëmarrës janë nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë dhe Hercegovina, Franca, Italia, Belgjika, Kina, Suedia, SHBA, Izraeli, Danimarka, Spanja, Gjermania, Zvicra, Greqia, Holanda, Austria, Rusia, Republika Çeke. Mbretëria e Bashkuara, Argjentina, etj, ku në fokus kanë liritë dhe të drejtat e njeriut.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri do të mbyllet më 1 tetor 2016.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button