Home / Opinion / Banka e Shqipërisë nuk është e pavarur nga Shqipëria!

Banka e Shqipërisë nuk është e pavarur nga Shqipëria!

ARBEN MANAJ

Arben ManajKoncepti i pavarësisë është relativ, aq më tepër në shoqëri demokratike në zhvillim, siç është Shqipëria. Drama e Bankës së Shqipërisë, e cila po rrezikon të shndërrohet në telenovelë për shkak të politikës shqiptare, në mungesë të dorëheqjes së Guvernatorit të saj sfidues, po merr pashmangshmërisht edhe trajtat e një komedie, pas ndërhyrjes së vonuar të Kryeministrit të Republikës. Rama tha se nuk mund të kërkojë dorëheqjen e një drejtuesi të një institucioni të pavarur, por shtoi se është sfidë e Parlamentit dhe e qeverisë, e cila do ta realizojë.

Që do e realizojë, ose e thënë ndryshe, që do e shkarkojë a largojë Fullanin, në një të ardhme jo të largët, kjo nëse nuk do ndodhte, do e cilësoja vrasje të rilindjes. Por çështja është te koha. Padyshim, në një rrethanë normale dhe jo kaq inkriminuese potencialisht për një drejtues institucioni, kërkesa për shkarkim e kreut të një institucioni të pavarur do të ishte anomali demokratike. Dhe nuk duhet të jesh shkencëtar i hapësirës ta kuptosh një gjë të tillë.

Por në rastin konkret nuk jemi në një rrethanë të tillë. Përkundrazi, jemi në një rrethanë të një krimi ekonomik të identifikuar, me efekte monetare dhe imazhi për Bankën simbol të shtetit dhe vetë ekonomisë, si në planin e brendshëm edhe atë ndërkombëtar.

Askush nga ata që janë gardianët e demokracisë shqiptare nuk do të guxonte dhe kishte luksin të kritikonte shefin e ekzekutivit shqiptar dhe qeverinë e tij, apo dhe institucione të rëndësishme të shtetit, nëse do e shkarkonin Guvernatorin, që këto javë tregoi se fatkeqësisht nuk ka stofin intelektual dhe as dinjitetin e presupozuar profesional, për të dhënë dorëheqjen.

Askush nga ndërkombëtarët nuk do t’i thoshte qoftë edhe një fjalë apo do shtonte ndonjë paragraf në ndonjë raport politik për nivelin e demokracisë në Shqipëri dhe standardet e aplikuara prej saj, nëse qeveria dhe Parlamenti do të shkarkonin Guvernatorin e një banke, ku janë vjedhur disa milionë dollarë e që nuk dihet se ku kanë shkuar.

Askush nga ata nuk do merrte guximin të mbronte një drejtues të një institucioni, ku është kryer një vjedhje e tillë, pavarësisht përgjegjësisë morale apo penale të tij.

Shqipëria as nuk duhet, por dhe as nuk mund të pretendojë të sillet si zbatuesja më strikte dhe më parimore në marrëdhëniet mes institucioneve të saj, sidomos në rrethana të tilla, nëse nuk ka ndonjë arsye tjetër.

Mosveprimi qeveritar e komplikon, por edhe e paragjykon në rastin më të pafajshëm reputacionin e kabinetit qeveritar në veçanti, por edhe të politikës shqiptare në përgjithësi.

Kryeministri nuk ka çfarë humbet nga thirrja e Parlamentit, edhe përkundër vështirësive të koalicionit dhe mbijetesës së tij, për të realizuar shkarkimin e Guvernatorit. Të mos harrojmë se një ndër shkaqet e humbjes së administratës së kaluar, në një kaleidoskop arsyesh, ishte edhe mosveprimi i ish-kryeministrit në raste aparente të korrupsionit të qeverisë së tij, nisur nga keqkalkulimi dhe konsideratat koalicioniste.

Do të ishte në nderin e qeverisë “Rama” ta bënte, jo kur të rimblidhet Parlamenti në shtator, por duke thirrur një seancë urgjente të tij, duke ua prishur për një ditë plazhin dhe pushimet ligjvënësve, për një shumicë apo kuorum qoftë edhe të thjeshtë, edhe ka raste në botën demokratike të një gjëje të këtillë.

Shkarkimi do të ishte më shumë një gjest i admirueshëm, sesa i kritikueshëm dhe as që do të lidhej me ndërhyrje të qeverisë në pavarësinë e një institucioni të pavarur, si Banka e Shqipërisë, që nuk është se është një Shqipëri brenda Shqipërisë, tekefundit.

Për interesa shtetërore, shtetet dinjitoze ndërhyjnë deri në shtetëzime, siç ka qenë rasti në disa banka private angleze, në mbrojtje të interesave të publikut të gjerë dhe të vetë ekonomisë së vendit, siç ndodhi në kushtet e krizës së fundit ekonomike disa vjet më parë, e jo më në një bankë të shtetit.

Shkarkimi nga Parlamenti me votim të hapur, jo vetëm i Guvernatorit, por edhe Këshillit të papërgjegjshëm dhe mëkatar mbikëqyrës të Bankës, do të ishte pozitiv për qeverinë edhe në planin e brendshëm politik dhe do të ofronte një pasqyrë reale të raporteve dhe qëndrimeve politike të forcave parlamentare për këtë çështje, si dhe lidhjet e përfolura okulte të disa ligjvënësve shqiptarë, çka do të ndihmonte edhe publikun e shqetësuar shqiptar, për të parë se cilët janë mbështetësit institucionalë dhe politikë të një Guvernatori në bankën e të cilit është konsumuar hajni, siç thuhet në zhargonin protestues, apo vepër penale.

Shkarkimi do të ishte një pastrim i rrugës që hetimet për çështjen të mos mbingarkoheshin pa lidhje me paragjykime dhe hije të panevojshme konspiracioni apo futje bëmash nën qilim.

Shkarkimi i një kreu institucioni është një akt moral dhe shprehje e dinjitetit dhe e vlerave që do të duhet të përfaqësojë një qeveri, aq më tepër si kjo e tanishmja, e cila ka ardhur në pushtet me karta të mëdha morale ndaj zullumeve shqiptare, ku vjedhja e bankës është një nga më të pabesueshmet dhe më poshtërueset për një institucion shtetëror.

E kundërta do të përbënte shpërdorim fatkeq të fuqisë përmbledhëse që të ofrojnë një milion shpullat që shqiptarët i dhanë ish-pushtetit kur mendohet se ka ndodhur në kohë fizike vjedhja shqiptare e shekullit.

Mosnuhatja politike dhe mëkatet hipotetike të kundërshtarëve politikë apo edhe ndonjë nga të vetëve, nuk ka përse njollos, siç ende besoj një Kryeministër që s’ka lidhje me virusin ebolian të Fullanërisë politiko-financiare dhe të ofrojë një ombrellë politike për t’i bërë fresk atij dhe atyre, që kanë siklet dhe nxehtësi trupore që çlirohet nga sëkëlldia dhe pesha e fajit dhe zbulimit të tij.

Fshehja pas pavarësisë institucionale nuk ka përse të keqinterpretohet apo në rastin më të keq të përdoret për fshehje të ndonjë vartësie tjetër. Kjo do të ishte zhgënjyese akoma më tepër se ç’është bërë ndërkohë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: