Home / Kryeartikull / Ta bëjmë Shqipërinë kudo të jetueshme

Ta bëjmë Shqipërinë kudo të jetueshme

Ndue-Dedaj-213x320“T’u qepemi kodrave e maleve e t’i bëjmë dhe ato pjellore si fushat” ka qenë direktiva e Kongresit V të PPSH-së në mesin e viteve ‘60. Po malet, jo vetëm nuk u bënë dot pjellore, përkundrazi u nxorën nga natyra e tyre, me shpyllëzimet e shumta për hapje tokash të reja, duke u dëmtuar drurët, kullotat, ekologjia, mjedisi, fauna etj. Kurse thirrja e sotme, jo dhe aq e artikuluar nga politika, ka tjetër kuptim, të kundërtën e asaj direktivës së gjysmëshekulli më parë. Vërtet të ngjitemi në male, por për t’i pjelloruar me ato “bimë” që mund të prodhojnë të ardhura dhe mirëqenie. Turizmi malor, kultivimi i drurëve pyjorë, bimët mjekësore e industriale, blegtoria, bletaria, gjuetia, mineralet, ujërat termike e kurative, shpellat do të ishin disa nga mundësitë e afarizmit dhe begatisë së maleve. Blloku i vilave të Malësisë së Madhe në rrugën Koplik – Hani i Hotit është një zhvillim i ri urban në një hapësirë rurale. Në bjeshkët e Pukës ka investime serioze për turizmin, çka tregon se njerëzit e atjeshëm duan të mos e lëshojnë atë natyrë të rrallë me bukuri të pashoqe, por shteti ua ka borxh një rrugë në standard atyre kreshtave e luginave, sado e kushtueshme të jetë. Po ashtu Ksamili, Dhërmiu, Jali janë disa nga visaret turistike të bregdetit të Jugut, por është harruar Sazani, si të mos jetë më në hartë, kur duhej të ishte margaritari i Adriatikut shqiptar. Edhe deri aty nuk e kemi shtruar dot një copë “rrugë” gjithë këto vite, me gjasë duke e lënë sërish sektor ushtarak, ndërkohë që qeveria ka ndërmarrë disa nisma për Vlorën dhe bregdetin jonian.

Rruga e Kombit nga Prishtina deri në Thumanë?!…

Por a kemi politika zhvillimi për këto vende e pasuri kaq të lakmueshme? Të duket se ka pak projekte konkrete e shumë frazeologji organizatash të zhvillimit rural. E vetmja vepër madhore në anët e Verilindjes tash për tash është autostrada Thumanë-Prishtinë, që do të thotë se nuk është zgjatur dot deri në Durrës e Tiranë(!) Nuk ka kuptim të flasësh për rrugë të tjera pa nisur Rruga e Kombit nga Tirana. Nga Tirana dhe jo nga Thumana! E nuk është vetëm kjo pjesë që i mungon asaj – prej pesë vitesh nuk kanë përfunduar disa ura mes Kukësit e Morinit. Pra, ne, edhe kryerrugën tonë e kemi të cunguar, në hyrje dhe në dalje. Në mjaft raste është një rrugë që e ka përmirësuar marrëdhënien e banorëve me rajonet e brendshme ku ata rrojnë, siç diku tjetër është po mungesa rrugëve që ka lënë në vetmi, harresë e braktisje territore të tëra të vendit. Deformimi demografik ka ndodhur me zbrazjen e maleve për të mbushur fushat dhe qytetet, në vend që të ndodhte e kundërta, qytetërimi të “ngjitej” lart. Regjisori Piro Milkani na thoshte pak ditë më parë se kur kishte qenë student në Pragë, në gjysmën e dytë të viteve ‘50, e kishte gjetur kryeqytetin e çekëve me nëntëqind mijë banorë, ndërsa në vitet 2000, kur kishte shkuar atje ambasador, Praga nuk ishte shtuar me më shumë se katërqind mijë banorë. Kurse me Tiranën tonë ka ndodhur krejt ndryshe, duke i katërfishuar në njëzet vitet e fundit.

Shqipëria ka vetëm dy stinë kur është plotësisht e banueshme, më saktë e gjithëpërshkrueshme si territor, në verë gjatë stinës së turizmit kur vijnë emigrantët dhe një herë në katër vite gjatë fushatave zgjedhore e politikanët bëhen banorët më të shpeshtë, më të përvuajtur e më premtim-mëdhenj të fshatrave e komunave të largëta. Pjesën tjetër të vitit vetëm zogjtë dhe zvarranikët janë banorët e frymorët e viseve të largëta. Nëse për turizmin ka një interes në rritje nga çdo shqiptar, për fushatat zgjedhore interesi është thuajse vetëm i përfituesve politikë, atyre që presin favore vetjake e familjare nga politika. Dikur thuhej se e gjithë Shqipëria punon për Tiranën, kurse tani e gjithë Shqipëria lypet të punojë për të gjithë Shqipërinë. Dhe ndoshta njëfarë korrigjimi ka filluar të ndodhë, së pari në psikologjinë e njerëzve. Biznesmenë nga Lezha apo Fieri, që vite më parë i kishin blerë shtëpitë në Tiranë si për “salltanet”, tani kanë filluar t’i shesin a t’i lënë me qira ato, për të qenë më pranë bizneseve të tyre në rrethe.

E mira nuk ndodh vetëm jashtë Shqipërisë

E kemi si tepër të zhvilluar sensin kritik për zhvillimet shqiptare, nganjëherë deri në kritizerë të çdo gjëje. Kurse të huajt që vijnë këtu na thonë fjalë të mira, se diçka ka ndryshuar e po ndryshon dita-ditës e kjo nuk është kortezi. Ndryshe ata nuk do të vinin për së dyti e së treti, disa duke blerë edhe shtëpi. Është e vlefshme që një komunitet ta ketë të zhvilluar ndjenjën e reagimit për më mirë, të kritikës dhe qortimit të vazhdueshëm të atyre që paguhen me taksat e shtetit për një shërbim cilësor ndaj njerëzve etj. Të parët e gjërave përmes vëzhgimit kritik ia vlen dhe lidhur me dukuritë sociale, kulturore, që kanë të bëjnë me shoqërinë civile, edukimin, rininë, marrjen e përgjegjësive publike etj. Por në vend të kësaj shpesh kritikat kanë formën e thashethemeve pa bereqet të klubeve. Kjo është e kundërta e së djeshmes, kur nga frika e regjimit nuk hapnim gojën, po duartrokisnim dhe tufëzat e arëzat. Kurse tani ngaqë është demokraci dhe nuk kemi frikë nga askush, as nga vetja, kemi kaluar në anën tjetër, shajmë e përgojojmë pa analizuar atë që ka ngjarë. Sipas mendësisë provinciale, ajo që është matanë nesh është gjithnjë më e mirë, sidomos kur është bërë nga të huajt. E ka një shpjegim dhe kjo mënyra e këndvështrimit negativist të gjërave, opozita as dje, as sot, nuk shqipton qoftë dhe një fjalë të mirë për qeverisjen dhe publiku, duke qenë i përfshirë dukshëm në jetën politike, imiton liderët dhe atëherë kur duhet të flasë si qytetar. Kuptohet, për ata atje lart gjërat nuk janë kaq bardhezi sa në popull, ata i kanë vilat ngjitur, të majtë e të djathtë, në Gjirin e Lalëzit dhe është normale të jenë kundërshtarë në politikë, por fqinj të mirë në jetën komunitare.

E mira publike ndërtimore, tregtare, turistike nuk është vetëm jashtë nesh, përtej nesh, sapo të kalosh kufirin, doganën, Rinasin, portin. Edhe këndej ndryshimi po ndodh, sidomos me investimet private, ku po shkohet drejt standardit të vendeve të tjera. Ne kemi kafene si në çdo vend europian, të bëra me shije, arkitekturë të kohës dhe të pajisura më së miri, por ajo që është “shqiptare” në to, është shërbimi jo i mirë nga një personel pak ose aspak i kualifikuar dhe i keqpaguar! Le pastaj që ne nuk shkulemi gjithë ditën e ditës nga lokalet ku gjëmon ekspresi. Ata që zakonisht sjellin një kulturë te re pune janë emigrantët, që si të thuash kanë parë botë më sy. “Unë jam krenar që jam shqiptar, jo thjesht nga përkatësia etnike, por se bëj diçka për Shqipërinë”, na thoshte një emigrant. Sa emigrantëve u këndojmë këngë të përzemërta mirëseardhje në verë, por nuk është se ua kemi krijuar të gjitha lehtësitë që ata të mos investojnë më lehtë atje ku janë, në “atdheun” e dytë, por t’i kthejnë sytë këndej. Megjithatë jo pak prej tyre tashmë e kanë bërë sfidën. Ndër shumë resorte e restorante ku gërshetohet tradita me modernen në rajonin e Lezhës e më gjerë, vetëveçohet “Mrizi i Zanave”, në vendlindjen dhe emrin e Gjergj Fishtës, bërë me shije nga djem emigrantë të fshatit që kanë punuar në Itali, që shërben dhe si qendër promovuese, për çka Qarku i Lezhës, njësitë dhe shoqatat vendore kanë zhvilluar aty. Trajnime mbi nxitjen e prodhimeve bio e turizmit kulturor, shfaqje folku, tubime letrare etj. Investime të tilla bëhen të njohura përmes mediave, panaireve, reklamave, por mbase ka ardhur koha që jo “inventari” i tyre si i tillë, po prurja që sjellin në biznes, kulturën e tregut, thithjen e prodhimit vendas, stimulimin e punësimit privat të jenë objekt i ndonjë forumi kombëtar, pse jo dhe i vetë Kuvendit të Shqipërisë. Kurse Dobërçani në Kosovë është një model unik i një lloji tjetër, ku emigrantët e tij në Zvicër, të tubuar në shoqatën “17 shkurti”, kanë mbledhur fonde atje dhe me to ia kanë ndërruar fytyrën fshatit, duke ndërtuar një park çlodhës në qendër, shtëpinë e shëndetit, bibliotekën, banjën e ujërave termale etj., një nismë që do t’i kishte hije çdo biri e bije të emigracionit shqiptar etj. Vetëm kështu, me vepra komunitare, braktisja do të nisë të mos jetë më e frikshme si deri tani kudo në trojet tona.

Leave a Reply

%d bloggers like this: