Home / Intervista / “Më drejtoi armën në lule të ballit, iu përgjërova që të mos më vriste për vajzën”

“Më drejtoi armën në lule të ballit, iu përgjërova që të mos më vriste për vajzën”

Intervista

Flet Argela Senko, gruaja që u plagos nga burri, i cili më pas vrau veten

I thashë që të mos më vriste, sepse kishim një vajzë. Nga martesa ne patëm një fëmijë, e cila tani është 6 vjeç

Martesa – Ka qenë shumë e vështirë. Ai nuk punonte kurrë, por vetëm pinte alkool, luante bixhoz dhe merrte para borxh. Elsoni flinte me thikë poshtë jastëkut

Kërcënimi – Fjalia e parë që më tha ishte: ‘Meqë ti nuk do të kthehesh me mua, tani të erdhi fundi’. Unë nuk e besova se ai do të arrinte deri në këtë pikë

Nga Silvana Muça

vrasja“Iu përgjërova që të mos më qëllonte, por nuk u bind. Ai ka pasur në mendje një krim edhe më makabër se ai që bëri. Ka dashur të vrasë vëllain dhe djalin e dajës tim. Atë ditë Elsoni mori në telefon vëllain tim dhe i kërkoi takim urgjent. Vëllai ishte në Vlorë, por i premtoi se do të shkonte në takim, sapo të kthehej. Ka qenë fati i tij që nuk ishte në Tiranë, sepse në të kundërt ai do e kishte vrarë. Akoma nuk e besoj se jam gjallë, pas asaj që ndodhi. U tmerrova kur qëlloi me pistoletë në tokë, pasi aty kuptova që çdo gjë mori fund.” Kështu ka deklaruar Argela Senko, gruaja e cila mbeti e plagosur rëndë pasditen e së shtunës me dy plumba pas konfliktit të ish-bashkëshortit të saj, Elson Senko. Ky i fundit qëlloi dy herë në drejtim të Argelës dhe besoi se e kishte lënë të vdekur. Në një situatë të tillë, ka vendosur që t’i japë fund jetës me të njëjtën armë krimi. Fatmirësisht, 31-vjeçari nuk ka arritur që të përfundojë planin e tij makabër. Argela ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por pavarësisht kësaj, mbahet e shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Nuk është e vështirë që të gjesh dhomën ku qëndron 28-vjeçarja. Është shtruar në pavijonin e ORL-së, i cili ndodhet në katin e dytë të spitalit, pasi plumbi që ka marrë i ka shkaktuar probleme në pjesën e fytyrës. Ndonëse e ka pak të vështirë që të flasë, prej plagëve të hapura, Argela është mjaft e ëmbël në komunikim dhe e sinqertë. Buzëqeshja nuk i shqitet nga fytyra. I vjen mirë që gjithçka përfundoi me kaq. Në fytyrë është e ënjtur, sidomos te sytë. Hundën e ka të tërë të fashuar dhe disa të gërvishtura i vihen re në pjesën e krahëve. Te shtrati i qëndrojnë vëllai dhe motra. Ata tregohen shumë të kujdesshëm, që Argelës të mos i mungojë asgjë. Nuk i ndahen për asnjë moment. Janë të lumtur që 28-vjeçarja nuk pati pasoja serioze për jetën, pas sulmit të ish-bashkëshortit të saj. Argela ka marrë dy plumba, një në këmbë dhe tjetrin në fytyrë. Thotë se ka pasur një jetë shumë të vështirë bashkëshortore, për pasojë është ndarë përpara dy vitesh. Prej martesës 5-vjeçare, me Elsonin ka edhe një vajzë 6 vjeç. Gjatë kësaj kohe, viktima është përpjekur që të ribashkojë familjen, por e plagosura nuk ka pranuar. Ajo nuk donte që të kishte një familje, ku bashkëshorti nuk i siguronte në tryezë as bukën e gojës. Sipas saj, ai ishte i aftë që të grumbullonte vetëm borxhe te njerëzit që e rrethonin. Pinte alkool dhe luante bixhoz. Nuk hoqi dorë kurrë nga këto vese, ndonëse kishte një dashuri të madhe për bashkëshorten e tij, një dashuri e cila i mori edhe jetën. Këto detaje, janë pjesë nga intervista që Argela Senko ka dhënë për gazetën “Shqip”.

Argela, jeni në gjendje që të përshkruani atë që ndodhi ditën e krimit?

ambualnca policiaPo. Jam në gjendje që të kujtoj gjithçka që ndodhi. Të shtunën nga mesdita shkova të tërhiqja dosjen time te një universitet privat që ndodhet pranë banesës sime në rrugën “Tefta Tashko Koço”, për t’u regjistruar në universitetin publik. Pas godinës është edhe shtëpia ime. Kishte shumë radhë prej studentëve të shumtë dhe unë u mërzita duke pritur. Shkova në shtëpi, për të ardhur më vonë. Rreth orës pesë të pasdites dola sërish për të shkuar tek universiteti privat. Binte shi dhe unë nxitoja që të mbërrija në godinë sa më parë, për të mos u lagur.

Me kë ishit e shoqëruar?

Isha vetëm. Në rrugë nuk është se kishte shumë njerëz. Nga pas dëgjoj disa hapa, por nuk e ktheva kokën për të parë, sepse nxitoja prej shiut. Më pas dëgjoj një zë që më thoshte të prisja. Kthej kokën dhe pashë që ishte ai. I them se nuk kam arsye për të ndaluar dhe kisha shumë punë. Elsoni këmbëngulte që të më takonte dhe vrapoi për të më mbërritur.

Patët debate me njëri-tjetrin?

Po. Fjalia e parë që tha ishte: “Meqë ti nuk do të kthehesh me mua, tani të erdhi fundi”. Unë nuk e besova se ai do të arrinte deri në këtë pikë. Kërkova të ikja, por nuk më la. I thashë që nuk kishim shanse që të riktheheshim, pasi asgjë nuk kishte ndryshuar në jetën e tij.

Po përleshje fizike?

Nuk patëm përplasje. Gjatë debatit, ai nxori pistoletën. Unë për momentin nuk e besova. Kujtova se ishte lodër dhe nuk u tremba. Vazhdoja të këmbëngulja në idenë time, për të mos u rikthyer tek ai. Për të më bindur se e kishte seriozisht, qëlloi një herë me pistoletë në tokë.

Çfarë bëtë në këto momente?

U përpoqa që ta qetësoja. I thashë që të mos më vriste, sepse kishim një vajzë për të rritur. Nga martesa ne patëm një fëmijë, e cila tani është 6 vjeç. Ai nuk e mori parasysh këtë fakt. Ishte shumë i acaruar dhe më qëlloi në këmbë. Plumbi më ka përshkuar tej për tej. Ai nuk ndalet dhe qëllon për herë të dytë. Matet të më godasë në lule të ballit, por në ato momente unë ulem për të parë plagën e bërë nga e shtëna e parë. Arma shkrepet sërish dhe plumbi më kalon nga pjesa rrëzë hundës, të krahut të majtë dhe del poshtë nofullës, nga krahu i djathtë.

Si shpëtuat?

Prej goditjes së dytë rrëzohem në tokë. Ai ka besuar se unë gjeta vdekjen. Unë isha në gjendje alivanie. Pas kësaj arrij të dëgjoj edhe një të shtënë tjetër. Nuk e arrita të kuptoj nëse plumbi ishte për mua, sepse ndieja shumë dhembje. Pashë se një person tjetër ishte shtrirë pranë meje. Aty mendova se ai kishte vrarë veten.

Si shkuat në spital?

Arrita të gjej forcë që të marrë babanë në telefon. I them që të vijë me shpejtësi te rruga dytësore, që ndodhet pranë universiteti dhe shtëpisë sime. Ai punonte aty dhe erdhi brenda një kohe shumë të shkurtër. Mori masa dhe më solli me makinë në spital.

Si kanë qenë marrëdhëniet bashkëshortore mes jush?

Kam pasur një martesë të vështirë me atë person. Ai nuk punonte. Luante bixhoz dhe ishte i alkoolizuar. Kishte shumë borxhe te të gjithë njerëzit që e njihnin. Nuk mund të jetoja dot me atë person. Ai ishte i dhunshëm dhe pas kësaj unë i kërkoja që të ndaheshim, por ai bëhej shumë agresiv.

Kur jeni ndarë?

Jam ndarë përpara dy vjetësh. Gjatë kohës që i kërkoja të ndaheshim, ai më kërcënonte me jetë, më thoshte se nëse do e braktisja, atëherë do të më vriste. Unë i trembesha deri sa një ditë vendosa të ikja prej tij, së bashku me vajzën. Kur i përmendja divorcin, ai më thoshte se do të më vriste. Madje flinte me thikë poshtë krevatit.

Pas ndarjes, ju ka përndjekur?

Sa herë që më shihte në rrugë, më përndiqte. Më lutej që të kthehesha tek ai, duke më gënjyer se kishte ndryshuar mënyrën e të jetuarit. Më thoshte shpesh se do të më vriste edhe pas ndarjes, por nuk e merrja seriozisht. Ai shqetësonte vëllain dhe babanë tim. Sillte njerëzit e tij te familja ime që të më mbushnin mendjen për t’u rikthyer tek ish-bashkëshorti. Prindërit e mi kthenin gjithmonë përgjigje negative, sepse e shihnin se tek ai nuk kishte ndryshuar asgjë. Vazhdonte të merrte borxhe poshtë e lart. Pinte alkool dhe luante sërish bixhoz. Fatmirësisht nuk më merrte në telefon se nuk e kishte numrin tim të kontaktit.

E keni denoncuar në polici?

Kam bërë disa herë kallëzime në polici. Pata marrë dy herë urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje, pasi ai nuk më linte të qetë. Ishte kthyer në një shqetësim shumë serioz për mua. Kohët e fundit nuk e kam pasur shumë të nevojshme që ta denoncoj, pasi ai kishte qenë në vendet aziatike, për të punuar. Fakti që ishte larg, nuk i jepte mundësi të më shqetësonte. Qëndroi disa kohë andej dhe unë gjeta qetësi.

Keni pasur dijeni për lëvizjet e tij, ditën e krimit?

Atë ditë ai kishte marrë në telefon vëllain tim. Kishte kërkuar që të takohem urgjent me atë, pa i thënë arsyen e takimit. Vëllai atë ditë ishte në Vlorë, për punë. I tha se do ta takonte sapo të kthehej. E kishte lënë që kur të takohej, të merrte me vete edhe djalin e dajës, se nuk dihej se si do të merrte situata. Besoj se ai kishte si qëllim që t’i vriste të dy. Falë Zotit që ai ishte larg, se në të kundërt nuk dihet se çfarë mund të kishte ngjarë! Rrezik do i kishte vrarë të dy.

Leave a Reply

%d bloggers like this: