Ekonomia

Flet Vasilika Vjero: Hapat e faljes për bizneset

Çfarë pritet të arrihet nga Ligji i Fshirjes, i cili hyri në fuqi në fillim të muajit maj?
Çfarë do të sjellë për tatimpaguesit, por edhe për vetë administratën?

Cilat janë rezultatet e deritanishme të aksionit të “vetëkorrigjimit” në shëndetësi dhe tregti?

Në një intervistë të posaçme për “Monitor”, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, jep më shumë detaje.

 

 

monitor 781.inddIntervistë me znj. Vasilika Vjero, Drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve

Në parim, ligjet e fshirjes, përgjithësisht e kanë riskun për të krijuar premisa për dekurajimin e tatimpaguesve të rregullt.

Por, në rastin konkret, nga ky ligj përfitojnë fshirje pa kushte vetëm detyrimet e papaguara që u përkasin periudhave tatimore të para dhjetorit 2010, të cilat praktikisht nuk mund të mblidhen.

Në këtë kuptim, në të dy rastet, si nëpërmjet një ligji si ky ose pa këtë ligj, këto detyrime nuk do të paguheshin. E njëjta gjë vlen të thuhet edhe për detyrimet tatimore për gjoba dhe interesa të periudhave 2011-2014, që fshihen me kushtin që të paguhet principali i tatimit të papaguar që lidhet me këto gjoba dhe interesa.

Vetëm pak kohë më parë, hyri në fuqi “Ligji i fshirjes”, cilat janë pritshmëritë që ju keni në lidhje me zbatimin e tij?

Qeveria ka ndërmarrë një sërë masash kundër informalitetit në vend. Plani i veprimit kundër informalitetit është shoqëruar në të njëjtën kohë me një sërë masash për thjeshtimin dhe lehtësimin e procedurave fiskale, duke synuar reflektimin e pritshmërive dhe kërkesat e bizneseve në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit, miradministrimit tatimor dhe trajtimit në mënyrë të barabartë dhe të paanshëm të tatimpaguesve edhe për sa i përket ngarkesës fiskale.
Përvojat botërore kanë treguar se qasja ndaj formalizimit nënkupton një strukturë reformash të shtrira në kohë, si dhe ofrimin e incentivave për të qenë formalë.

Në këtë kuadër, nga qeveria janë ndërmarrë një sërë masash, të cilat edhe do të vazhdojnë, por që për momentin synojnë të krijojnë bazat ligjore për finalizimin e objektit, pra për uljen e informalitetit. Puna e administratës fiskale për t’i ndërgjegjësuar tatimpaguesit me detyrimet e tyre ka qenë në fokus të kësaj iniciative ligjore, duke mbushur boshllëkun informativ që mund të ketë munguar ndër vite, sidomos në kushtet kur kultura fiskale është ende në nivele që kanë nevojë për përmirësim.

Ndër vite janë ndërmarrë iniciativa ligjore për fshirjen e detyrimeve tatimore, doganore, të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, por të tilla iniciativa ligjore asnjëherë nuk janë ndërmarrë paralelisht me thjeshtim procedurash, fushata sensibilizuese për rritjen e ndërgjegjësimit duke çuar kështu në mospërmbushjen e plotë të objektit kryesor të fshirjes së detyrimeve fiskale.

Në këtë kuadër, nëpërmjet ligjit të fshirjes së detyrimeve, pritet të pastrohet situata e tatimpaguesve, e cila është e ngarkuar me detyrime tatimore të vjetra dhe shumë të vjetra, të cilat realisht janë në kushte totale për t’u shpallur praktikisht si të pambledhshme. Ruajtja e këtyre detyrimeve në llogaritë e administratës tatimore dhe të tatimpaguesve është ineficiente, vështirësisht e menaxhueshme për të dy palët dhe gjithashtu pengesë ligjore për veprimtarinë e tatimpaguesve që aplikojnë për vërtetime të ndryshme.

Çfarë do të sjellë për tatimpaguesit ky ligj?

Ligji i Fshirjes së detyrimeve të papaguara pritet të çojë në pastrimin e situatës fiskale të tatimpaguesve. Nga ky ligj përfitojnë të gjithë tatimpaguesit, të cilët janë debitorë ndaj administratës tatimore, të regjistruar në regjistrin aktiv apo atë pasiv, ose të çregjistruar të cilët, pavarësisht faktit se kryejnë apo jo veprimtari tregtare, rezultojnë me detyrime të papaguara në sistem.

Ligji parashikon detyrimet tatimore që fshihen pa kusht, ku përfshihen jo vetëm gjobat, por edhe tatimi (principali) dhe kamatëvonesat, që u përkasin periudhave tatimore përpara dhjetorit 2010, pavarësisht datës së konstatimit apo evidentimit të tyre. Lidhur me kontributet shoqërore dhe shëndetësore nuk falet detyrimi principal (kontributi) por falen vetëm dënimet administrative (gjobat) dhe kamatëvonesat.

Ligji parashikon gjithashtu fshirjen e detyrimeve tatimore që falen me kusht ku përfshihen gjobat dhe kamatëvonesat që u përkasin periudhave tatimore janar 2011 deri në dhjetor 2014, që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, me kushtin që deri më 31.12.2017, të paguhet i plotë detyrimi principal për tatimin/kontributin.

 

Kush përfiton

Ligji i Fshirjes së detyrimeve të papaguara pritet të çojë në pastrimin e situatës fiskale të tatimpaguesve. Nga ky ligj përfitojnë të gjithë tatimpaguesit, të cilët janë debitorë ndaj administratës tatimore, të regjistruar në regjistrin aktiv apo atë pasiv, ose të çregjistruar të cilët, pavarësisht faktit se kryejnë apo jo veprimtari tregtare, rezultojnë me detyrime të papaguara në sistem.

 

TaksaPo për vetë administratën, çfarë do të sjellë ky ligj?

Fshirja e detyrimeve tatimore në zbatim të Ligjit të Fshirjes do të pastrojë regjistrin e tatimpaguesve me borxhe të papaguara në administratën tatimore, duke lehtësuar kështu mirëmbajtjen e regjistrit të borxheve më të reja dhe duke krijuar mundësi shtesë për fokusim në mbledhjen e borxhit më të ri, i cili praktikisht është e mundur të arkëtohet.

Nga ana tjetër, fshirja e borxheve, të cilat praktikisht nuk janë mbledhur do të çlirojë administratën tatimore nga barra për të menaxhuar regjistrin e tatimpaguesve me borxhe të vjetra, si dhe për të kryer procedura administrative ineficiente të kërkuara nga ligji aktual.

 

Pastrimi i regjistrave

Fshirja e detyrimeve tatimore, në zbatim të Ligjit të Fshirjes, do të pastrojë regjistrin e tatimpaguesve me borxhe të papaguara në administratën tatimore, duke lehtësuar kështu mirëmbajtjen e regjistrit të borxheve më të reja dhe duke krijuar mundësi shtesë për fokusim në mbledhjen e borxhit më të ri, i cili praktikisht është e mundur të arkëtohet

 

A mendoni se këto masa mund të dekurajojnë tatimpaguesin e rregullt?

Në parim, ligjet e fshirjes përgjithësisht e kanë riskun për të krijuar premisa për dekurajimin e tatimpaguesve të rregullt. Por, në rastin konkret, nga ky ligj përfitojnë fshirje pa kushte vetëm detyrimet e papaguara që u përkasin periudhave tatimore të para dhjetorit 2010, të cilat praktikisht nuk mund të mblidhen. Në këtë kuptim, në të dy rastet, si nëpërmjet një ligji si ky ose pa këtë ligj, këto detyrime nuk do të paguheshin. E njëjta gjë vlen të thuhet edhe për detyrimet tatimore për gjoba dhe interesa të periudhave 2011-2014, që fshihen me kushtin që të paguhet principali i tatimit të papaguar që lidhet me këto gjoba dhe interesa.

Duhet përmendur këtu se dënimet administrative të vendosura nga administrata tatimore në raste të konstatimit të shkeljeve të legjislacionit tatimor, nuk përfitojnë nga fshirja sipas këtij ligji, siç është rasti i dënimeve administrative për moslëshim kuponi tatimor, për mosregjistrim të të punësuarve, etj.

 

Dëmi moral

Në parim, ligjet e fshirjes përgjithësisht e kanë riskun për të krijuar premisa për dekurajimin e tatimpaguesve të rregullt. Por, në rastin konkret, nga ky ligj përfitojnë fshirje pa kushte vetëm detyrimet e papaguara që u përkasin periudhave tatimore të para dhjetorit 2010, të cilat praktikisht nuk mund të mblidhen

 

DosjeReferuar ligjit të faljes, ka disa paqartësi që lidhen me ato raste kur subjektet që aplikojnë për falje kanë çështje në gjykatë dhe kanë paguar detyrimin (për efekt ankimi). Çfarë ndodh në këtë rast me detyrimin e paguar? A do të njihet si gjendje kreditore?

Tatimpaguesit përfitojnë nga falja për detyrimet tatimore me kushtin që këto detyrime të jenë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kjo nënkupton se, nëse tatimpaguesit i kanë paguar detyrimet, nuk përfitojnë nga falja dhe detyrimet tatimore të paguara nuk kthehen apo njihen si kredi. Ky parashikim e shtrin efektin edhe për rastet kur tatimpaguesit kanë paguar detyrimet si kusht për ushtrimin e së drejtës për të apeluar.

Një nga aksionet kryesore që ju nisët me ardhjen në këtë detyrë ishte edhe analiza mbi bazë risku, si ka rezultuar deri tani ky kontroll? A keni evidentuar raste kur kompanitë nuk janë vetëkorrigjuar dhe cilat kanë qenë masat e marra nga ju?

Administrata tatimore ka vendosur në funksionim Menaxhimin e Riskut si një model të nxitjes së pajtueshmërisë me legjislacionin tatimor dhe kontributet shoqërore, por edhe identifikimin e rasteve potenciale, të cilat përbëjnë risk. Fondi Monetar Ndërkombëtar na ka asistuar në vijimësi në përmirësimin e Modulit të Riskut (CRM) duke përmirësuar e duke përditësuar kriteret për të zgjeruar gamën aplikative të këtij modeli. Tashmë politikat dhe veprimtaria e administratës tatimore mbështeten në analizat dhe të dhënat e prodhuara nga Moduli i Riskut, çka na jep një pasqyrë të qartë e të shpejtë të sektorëve më vulnerabël në sferën e biznesit. E gjithë kjo bën të mundur që administrata të reagojë më shpejt dhe e mbështetur në të dhëna të besueshme e lehtësisht të aksesueshme nga strukturat e saj të analizës. Planet sektoriale për nxitjen e vetëkorrigjimit patën efekt mbresëlënës.

Si projekti i parë pilot i fokusuar mbi sektorët e shërbimeve shëndetësore dhe tregtisë mund të konfirmojmë që nisma për vetëkorrigjimin e situatës së tyre tatimore shërben si nxitës për të vijuar me projektet e tjera në këtë drejtim.
Planet sektoriale përfshinë 1,506 subjekte të sektorit shëndetësor dhe më shumë se 20,000 subjekte të sektorëve të ndryshëm të tregtisë. Në përfundim të këtij projekti, efekti që u vu re ishte rritja e deklarimit vjetor me respektivisht 40% më shumë në sektorin e shëndetësisë dhe 10% në sektorin e tregtisë në raport me vitin 2015; formalizim gjatë periudhës së projektit të më shumë se 50 subjekteve vetëm në kryeqytet por edhe rritje e xhiros korrente të deklaruar. Përmes takimeve me përfaqësuesit e subjekteve, njoftimeve në faqen tonë zyrtare, kemi njoftuar të gjithë bizneset për hapat që ndërmerren. Subjektet në fokus të Modulit të Menaxhimit të Riskut dhe jo vetëm, monitorohen dhe kontrollohen nga zyra e më pas, në rast evidentimi të shkeljeve ndiqen procedurat e parashikuara në ligjin për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë. Vlen për t’u theksuar se vërehet një rritje e ndërgjegjësimit dhe përgjegjësisë nga ana e tatimpaguesve në raport me detyrimet e tyre ligjore.

 

Analiza e riskut

Planet sektoriale përfshinë 1,506 subjekte të sektorit shëndetësor dhe më shumë se 20,000 subjekte të sektorëve të ndryshëm të tregtisë. Në përfundim të këtij projekti, efekti që u vu re ishte rritja e deklarimit vjetor me respektivisht 40% më shumë në sektorin e shëndetësisë dhe 10% në sektorin e tregtisë në raport me vitin 2015

 

lupe kontroll shifra f_optNga vlerësimet që ju bëni edhe në terren, si ka ndryshuar marrëdhënia mes tatimpaguesit dhe administratës që ju drejtoni? Cila ka qenë ecuria e shërbimeve të tilla si “Qendra e Thirrjeve”? Cilat janë problemet kryesore që ju po vazhdoni të hasni?

Misioni i çdo administrate tatimore është mbledhja e të ardhurave me sa më pak kosto si për tatimpaguesin, ashtu edhe për atë vetë. Në këtë drejtim, ne jemi të angazhuar maksimalisht në nxitjen e përmbushjes vullnetare të detyrimeve nga ana biznesit dhe qytetarëve, duke përmirësuar shërbimet e ofruara dhe duke zhvilluar kanale të reja komunikimi me tatimpaguesit. Raporte të ndryshme të vlerësimit të performancës sa i përket shërbimit të ofruar për qytetarët na inkurajojnë për të vijuar më tej përmirësimin e këtyre shërbimeve. Do të veçoja se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u vlerësua me çmimin e ekselencës, duke u renditur e dyta në studimin që u krye nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA), Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSH) dhe në bashkëpunim të ngushtë me MIAP për matjen e performancës së shërbimeve të ofruara ndaj qytetarëve. Po kështu, vetëm në tre muajt e parë të këtij viti ne kemi hapur 3 kanale të reja komunikimi me tatimpaguesit, një sportel të dedikuar në QKB, kemi forcuar bashkëpunimin me ADISA-n dhe jemi të pranishëm me sportelet tona në Kavajë, Krujë dhe shumë shpejt në Fier dhe Gjirokastër. Një zhvillim shumë i rëndësishëm është edhe Qendra e Thirrjeve, e cila po rezulton një instrument shumë i dobishëm, për të ofruar asistencë në të gjithë territorin, pa asnjë kosto për tatimpaguesin, por edhe si në mjet, i cili e lejon administratën tatimore të njihet me perceptimin real të tatimpaguesit për performancën e saj, si dhe të orientojë më mirë strategjitë e saj në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit.

Tatimpaguesit ankohen për radhët e gjata që shkaktohen për të marrë shërbimet pranë Shërbimit të Tatimpaguesit. A keni ju një strategji për ta përmirësuar? Çfarë është duke u bërë për ofrimin e shërbimeve të tjera online?

Radhët që krijohen për marrjen e shërbimeve janë një shqetësim sa për tatimpaguesin, po aq edhe për administratën tatimore. Duhet të mbajmë në konsideratë se sportelet e shërbimit të tatimpaguesve ofrojnë një gamë të gjerë shërbimesh, mbi 20 lloje, që lidhen si me biznesin, ashtu edhe me individët, regjistrime, kërkesa për vërtetime të kontributeve për individët, ndryshim i përgjegjësive tatimore etj., pra fluksi i kërkesave sidomos në qendrat e mëdha urbane është shumë i lartë.

Lajmi i mirë është që një pjesë e madhe e këtyre shërbimeve do të ofrohen, së shpejti online.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (ADISA), do të ofrojë 9 shërbime interaktive në portalin qeveritar “e-Albania” dhe ky projekt pritet të finalizohet brenda verës së këtij viti. Orientimi i qytetarëve drejt shërbimeve të informatizuara do t’i japë frymëmarrje shërbimit të tatimpaguesve, duke i dhënë më shumë kohë forcimit të marrëdhënies me tatimpaguesit në drejtime të reja, si: trajnime të thelluara për grupe të targetuara, workshop-e, dhe informim dhe asistencë të dedikuar për çdo tatimpagues.

Drejtoria e PergjithshmeA mendoni se situata politike në vend do të mund të ndikojë në performancën e institucionit që ju drejtoni, jo vetëm në Tiranë apo edhe në rrethe?

Ne jemi një institucion ligjzbatues, ndaj dhe detyra jonë është vetëm zbatimi i ligjit. Për sa kohë ligji është i shkruar, i qartë dhe i njëjtë për të gjithë, nuk ka asnjë arsye pse faktorët e jashtëm të ndikojnë në punën e përditshme të institucionit. Filozofia jonë është forcimi i rolit të administratës dhe realizimi me sukses i detyrave në funksion të realizimit të planit të të ardhurave, ndaj dhe për asnjë arsye nuk duhet të humbasë fokusi ynë në këtë drejtim. Jam e bindur se ia kemi dalë të kapërcejmë vështirësitë për një administratë të depolitizuar, e cila funksionon pavarësisht dinamikave dhe zhvillimeve politike. Sidoqoftë, inkurajojmë të gjithë përfaqësuesit e biznesit, taksapaguesit e qytetarët të denoncojnë çdo rast ku përfaqësues të organeve tatimore, të cilitdo niveli, veprojnë në kundërshtim me ligjin duke kryer akte korruptive apo veprime selektive të orientuara politikisht në marrëdhëniet me tatimpaguesit. Për të rritur besueshmërinë e trajtimit të denoncimeve të çdo rasti abuziv ka një sërë mënyrash dhe kanalesh komunikimi si shkresor, telefonik apo elektronik, të disponueshëm jo vetëm në institucionin tonë, por edhe në institucione të tjera të pavarura. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë për rastet e abuzimit dhe sjelljeve joetike të çdo punonjësi të administratës në raport me tatimpaguesit.

 

 

Mesazhi

Inkurajojmë të gjithë përfaqësuesit e biznesit, taksapaguesit e qytetarët të denoncojnë çdo rast ku përfaqësues të organeve tatimore, të cilitdo niveli, veprojnë në kundërshtim me ligjin, duke kryer akte korruptive apo veprime selektive të orientuara politikisht në marrëdhëniet me tatimpaguesit

Vetëkorrigjimi

Në përfundim të këtij projekti, efekti që u vu re ishte rritja e deklarimit vjetor me respektivisht 40% më shumë në sektorin e shëndetësisë dhe 10% në sektorin e tregtisë në raport me vitin 2015; formalizim gjatë periudhës së projektit të më shumë se 50 subjekteve vetëm në kryeqytet por edhe rritja e xhiros korrente të deklaruar

Shërbimet

Orientimi i qytetarëve drejt shërbimeve të informatizuara do t’i japë frymëmarrje shërbimit të tatimpaguesve duke i dhënë më shumë kohë forcimit të marrëdhënies me tatimpaguesit në drejtime të reja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button