Ekonomia

Koncesionari në Portin e Durrësit abuzoi me pozitën dominuese, Konkurrenca hetim të thelluar

Koncesionari EMS APO që ushtron aktivitet në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit, ka abuzuar me pozitën dominuese. Autoriteti i Konkurrencës doli në këtë përfundim pas një hetimi paraprak i cili ka bërë gjetje të mjaftueshme për të thelluar hetimin që do të fillojë nga 6 maji 2013 e në vijim. Në raportin e tij Autoriteti nënvizon se janë vërejtur shkelje në disa raste të mara në vlerësim.

Nënshkroi kontrata me kushte të ndryshme

“Nga krahasimi i dy kontratave të lidhura nga ndërmarrja EMS APO me ndërmarrjet stivadore ASC dhe Liburneti-1, rezulton se midis tyre ka ndryshime në kushtet kryesore siç janë: pjesa e fitimit në përqindje (%) dhe volumet e shërbimit në ton.

Ndërmarrja EMS për ndërmarrjen stivadore ASC ka caktuar pjesën e pagesës prej 33% të tarifave përkatëse të përpunimit të çdo lloj ngarkese, ndërsa për ndërmarrjen Liburnet – 1 pjesa e pagesës në përqindje ndryshon sipas llojit të ngarkesave, konkretisht: 33% për ngarkesat Rifuxhio dhe 39% për ngarkesa të lehta rifuxho dhe ngarkesat Gjenerale. Lidhur me volumet e shërbimit sipas kontratës me ndërmarrjen ASC palët marrin përsipër të sigurojnë shërbimet për një volum 650,000 ton në vit, ndërsa me ndërmarrjen Liburnet-1 volumi vjetor i shërbimeve lihet i papërcaktuar” thuhet në vendimin e Konkurrencës.

Ndërmarrja EMS APO nuk ka respektuar detyrimin e saj për lidhjen e kontratave me kushte të njëjta bashkëpunimi dhe jo-diskriminuese me kompanitë stivadore ASC dhe Liburnet-1 në Terminalin Lindor. Këto kontrata përmbajnë kushte të ndryshme për stivadorët nga ato të vendosura në kontratat/licencë me APD.

Kompania ka penguar konkurrentët

Koncesnionari duket se përveç kushteve të diferencuara në kontrata ka abuzuar edhe me pozitën e tij dominuese. Të paktën në këtë përfundim del Konkurrenca.

“Nga vlerësimi i sjelljes së ndërmarrjes EMS APO në lidhje me rastet: Kurum, Antea Cement, Klosi, Dedja Shipping, “Nazlikiz”, “AKIN”, “HALIDE”, “GRANDA” dhe “PORHOV”, rezulton se kjo ndërmarrja, me pozitë dominuese dhe e integruar vertikalisht në të dy nivelet e tregut, ka penguar konkurrentët e saj në tregun e rrjedhës së poshtme (stivadore), ndërmarrjet ASC dhe Liburnet-1, që të ofrojnë shërbimin e përpunimit të mallrave/anijeve për përdoruesit e portit, duke ju refuzuar aksesin në facilitetet e infrastrukturës që disponon, gjë e cila, në bazë të nenit 9, pika 2, gërma (c) të Ligjit Nr. 9121/2003, mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese të ndërmarrjes EMS APO, pasi i vendos ato në kushte të pafavorshme konkurrence” thuhet në vendim.

Po kështu Autoriteti nënvizon se  analizës së tregut të shërbimit të ngarkim-shkarkimit dhe aktivitetet e lidhura me to, për mallrat rifuxho në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit, rezulton se sjellja e ndërmarrjes me pozitë dominuese EMS APO, duke vendosur kushte të padrejta tregtimi dhe refuzuar aksesin në facilitetet e infrastrukturës që disponon ndaj ndërmarrjeve stivadore, në zbatim të nenit 9, pika 2, gërma (a) dhe (c) të Ligjit Nr. 9121/2003, mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese, me pasoja të rënda për konkurrencën në treg.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button