MaqedoniaRajoni

KSHZ publikon rezultatet e zgjedhjeve lokale në Maqedoni

Sipas rezultateve KSHZ-së pas dy raundeve të zgjedhjeve lokale LSDM ka fituar në Shkup dhe 56 komuna, BDI në 10 komuna, VMRO-DPMNE në 5, Aleanca për Shqiptarët në 3, BESA, PDSH dhe TDP në nga një komunë.


Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka përfunduar procesin e numërimit të votave në të gjithë territorin e Maqedonisë pas dy raundeve të zgjedhjeve lokale në Maqedoni, i pari më 15 tetor, ndërsa i dyti më 29 tetor, ditën e djeshme.

Sipas rezultateve të KSHZ-së pas dy raundeve të zgjedhjeve lokale në Maqedoni, Lidhja Social Demokratike e Maqedonisë (LSDM) ka fituar në Shkup dhe në 56 komuna, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në 10 komuna, VMRO-DPMNE në 5, Aleanca për Shqiptarët në 3, BESA, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Partia Demokratike Turke (TDP) në nga një komunë, ndërsa në tre komuna do të udhëheqin kandidatët e propozuar prej grupeve të votuesve.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, nga gjithsej 1.814.644 të regjistruar në listën e votuesve, të drejtën e votës e shfrytëzuan 1.079.876 qytetarë apo 59,51 për qind. Atëherë u zgjodhën kryetar në 45 komuna dhe këshillat në Qytetin e Shkupit dhe në gjithsej 80 komunat e vendit.

Ndërsa, në raundin e dytë nga gjithsej 833.710 të regjistruar në listën e votuesve, të drejtën e votës e shfrytëzuan 432.866 qytetarë apo 51,92 për qind të cilët zgjodhën kryetar të rinj në 35 komuna të vendit të cilët do të udhëheqin për katër vitet e ardhshme.

Fituesi i këtyre zgjedhjeve, lideri i partisë në pushtet, LSDM, Zoran Zaev, pas mbylljes së votimit deklaroi se këto zgjedhje lokale janë fitore e madhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, duke shtuar se zgjedhjet ishin korrekte, demokratike dhe të rregullta.

Po ashtu edhe vlerësimi i BDI-së, pjesë e koalicionit qeveritar të LSDM-së, është se zgjedhjet ishin demokratike, ndërsa qytetarët lirshëm shprehën vullnetin e tyre. Shefi i shtabit zgjedhor të kësaj partie, Arbër Ademi, pas mbylljes së votimeve deklaroi se “Qeveria e Maqedonisë tregoi kapacitet demokratik për organizimin e zgjedhjeve demokratike”.

Opozita nuk njeh procesin dhe rezultatet e zgjedhjeve

Udhëheqësi i partisë më të madhe opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, në një konferencë për shtyp të mbajtur pas mbylljes së votimeve në Shkup, deklaroi se partia e tij nuk i pranon rezultatet e zgjedhjeve lokale në Maqedoni.

Këto zgjedhje, ai i vlerësoi si të parregullta, duke theksuar se ka pasur “shumë trysni dhe kërcënime mbi votuesit” dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat do të zbatohen nga një qeveri teknike.

Nga ana tjetër, edhe partia shqiptare në opozitë, BESA, akuzoi për një varg parregullsish gjatë votimit të djeshëm për raundin e dytë të zgjedhjeve të cilat, sipas tyre, kaluan në një atmosferë të tensionuar.

Këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni. Të parat u mbajtën në vitin 1990, pastaj në vitin 1996, në vitin 2000, në vitin 2005, në vitin 2009 dhe të fundit në vitin 2013.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button