Home / Ekonomia / “1 miliard për rindërtim”, efekte pozitive në ekonomi dhe punësim

“1 miliard për rindërtim”, efekte pozitive në ekonomi dhe punësim

Programi “1 miliard për rindërtim” është një ftesë për sipërmarrjen dhe bankat që të përfshihen në një proces partneriteti me qeverinë për të bërë të mundur realizmin në një kohë të shpejtë të një numri të konsiderueshëm projektesh, duke garantuar  financimin sipas afateve të përcaktuara kontraktuale të çdo projekti nga ana e buxhetit të shtetit me një shtrirje të arsyeshme në vite.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, në një intervistë për ATSH-në, deklaroi se ky program fokusohet në tre sektorë të rëndësishëm, siç janë shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura, tre fusha ku asnjëherë nuk mjafton investimi.

Ky projekt, sipas tij, përveçse bën të mundur që vendi të përfitojë 1 miliard dollarë investime, garanton po ashtu që të mos të kemi asnjë luhatje në planin për uljen e borxhit dhe mbajtjen nën kontroll të defiçitit.

“Theksoj edhe njëherë se ky program nuk do të ndikojë aspak në ndryshimin e parametrave ekonomik të vendit, por përkundrazi, do të ketë efekte pozitive edhe në rritjen e punësimit në vend”, tha Bushati.

Duke analizuar karakteristikat e projektbuxhetit të vitit 2018, Bushati thotë se, është prova e parë e mandatit të dytë të qaverisë ‘Rama’, ku rritja ekonomike dhe punësimi do të jenë thelbësore.
Buxheti është programuar për një rritje mbi 4% në vitin e ardhshëm dhe natyrisht është një rritje e bazuar nga njëra anë te rritja e të ardhurave dhe nga ana tjetër, te mundësia për investime, ato në infrastrukturë, shëndetësi, arsim dhe bujqësi, që sipas Bushatit, janë edhe sektorët më kryesorë që kanë nevojë për ndërhyrje.

“Dy janë gjërat që dua të theksoj dhe që për mua e karakterizojnë më së miri buxhetin e 2018-ës: së pari, ky buxhet vijon politikën e uljes së borxhit si dhe rrit investimet publike”, deklaron Bushati. Gjithashtu, vijoi ai, vlen të theksohet edhe se vitin e ardhshëm qeveria parashikon që të rrisë të ardhurat në arkën e shtetit me rreth 3.5 miliardë euro ose 6.3% më shumë krahasuar me të ardhurat e këtij viti.

Duke folur për paketën fiskale që do të shoqërojë buxhetin e vitit 2018, Bushati thekson se, nuk parashikon rritje taksash për qytetarin dhe as për sipërmarrjen, por përmes saj, shprehet ai, synohet të formalizohet tregu.

“Në paketën fiskale të vitit 2018, do të përmend tri elemente të rëndësishme. E para është shtrirja e TVSH deri te niveli i qarkullimit 2 milionë. Shtrirja e TVSH-së nuk sjell rritje të kostos, rritje kostoje sjell vetëm aty ku ka pasur informalitetit. Aty ku ka formalitet, nuk ka asnjë rritje kostoje, përkundrazi, shkon në favor të konsumatorit dhe qytetarit të zakonshëm”, sqaron Bushati.

Përveç heqjes së pragut të TVSh-së, sipas deputetit socialist, paketa fiskale do të sjellë edhe vendosjen e taksës së pronës bazuar mbi vlerën e tregut, e cila do të formalizojë të ardhurat për pushtetin vendor.

“Kjo lloj takse nuk sjell rritje taksash për qytetarët ashtu siç rëndom dëgjoj të thuhet, por përkundrazi, kjo është një lloj drejtësie që u bëhet qytetarëve, pasi më shumë taksë do të paguajnë ata qytetarë, që disponojnë shtëpi me sipërfaqe më të mëdha. Kjo nuk është diçka e habitshme, pasi kudo në botë paguhet taksa e pronës dhe është mëse normale”, thotë ai.

Sipas Bushatit, këtë lloj takse e ka kërkuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili gjithashtu ka propozuar që edhe për tokat bujqësore të paguhet një taksë prej 21 euro në vit apo 1.1% të të ardhurave minimale vjetore të fermerit. “Besoj se kjo është një shumë minimaliste, e cila është një detyrim moral dhe shoqëror për t`u paguar dhe çon në formalizim të tregut”, shprehet deputeti socialist Bushati.

Leave a Reply

%d bloggers like this: