Home / Kryeartikull / Pse përmbytemi çdo vit (si janë trajtuar përmbytjet para ’90-s)

Pse përmbytemi çdo vit (si janë trajtuar përmbytjet para ’90-s)

Autori i shkrimit të mëposhtëm quhet Dhimitër Vogli. Ai ka përfunduar studimet në vitin 1961 në Institutin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Sofie, me specialitet inxhinier Hidroteknik.

Në vitet 1961-1968, ishte përgjegjës në bonifikimin e fazës së dytë të punimeve në fushën e Maliqit, 1968-1975, projektues në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve të Bonifikimit, 1975-1978, përgjegjës sektori projektimi në këtë institut.

Nga viti 1978-1990, ka qenë drejtor i Institutit të Studimeve të Projektimit të Bonifikimeve.

Ishte Kryetar i Nënkomisionit të rregullimit të tërësisë ujore të Liqenit të Shkodrës, Lumit Drin dhe Bunës, (1982-1990).

Eshtë laureat i Cmimit të Republikës, Klasi I Parë.

Shkrimi është botuar në DITA në 22 mars 2015.

Risillet për lexuesin pasi shumë nga problemet e ngritura janë ende shkaktare të përmbytjeve që përsëriten cdo vit: 


Nga Dhimitër Vogli

Në fillim të shkurtit në Jugun e Shqipërisë, pati përmbytje nga lumi i Vjosës në rrethin e Vlorës, zona e Novoselës dhe në atë të Fierit, zona e Hoxharës, në një sipërfaqe gjithsej prej 17 mijë ha toka bujqësore.

Pse erdhi kjo përmbytje?

Kjo ndodhi sepse në pellgun ujëmbledhës të lumit Vjosa, si në territorin shqiptar po ashtu dhe në atë grek, pati reshje me intensitet të lartë dhe për rastet kur këto reshje shoqërohen me shtresë  të madhe dëbore, sikurse ndodhi në fillim të muajit shkurt, krijojnë një volum të madh uji, e për rrjedhojë në lumin e Vjosës prurja e ujit ishte shumë e madhe e solli si pasojë  përmbytje të tokave bujqësore e të zonave të banuara në të dy brigjet e saj.

Është e ditur se gjatë projektimit dhe ndërtimit të argjinaturave të lumit të Vjosës, krahu i djathtë i saj (drejtimi i rrjedhës) pa vajtur tek ura e Mifolit është lënë pa argjinaturë, me qëllim që kur të vijnë prurje të mëdha, uji i tepërt të kalojë këtu e të derdhet në fushë në zonën e Fierit, në mënyrë që të mos kemi prishje të argjinaturave në zonën e poshtme. Nisur nga ky fakt, në këtë zonë e cila është nën kërcënimin e përmbytjeve, nuk lejohej të ndërtoheshin objekte banimi, po ashtu edhe traseja e hekurudhës u kalua me urë në të gjithë gjatësinë e zonës së përhapjes së ujit.

Në argjinaturën e krahut të majtë (drejtimi i rrjedhës) uji fillimisht ka kaluar në vendet që shërbenin si rrugë kalimi për të shfrytëzuar shtratin e lumit dhe tokat brenda argjinaturave, e më vonë në pjesët më të dobëta e më të ulëta të saj.

Në kushtet e krijuara u morën masa për menaxhimin e përmbytjeve me shtabin e emergjencave, në mënyrë që demët e shkaktuara prej tyre të ishin sa më minimale.

Në shtabet e emergjencave duhet të ketë edhe specialistë që janë marrë me studimin, projektimin e ndërtimin dhe që njohin këto vepra. Ata në të tilla raste mund të japin mendime për ndërhyrje që sipas kushteve, mund të përmirësojnë gjendjen dhe sipërfaqen e përmbytur, që uji të mos qëndrojë 7 ditë mbi të por 3 ose 4 ditë, ose që thellësia e ujit të mos jetë 1 m por më pak.

Përvec kësaj, detyra e specialistëve është që të mbledhin të dhëna të sakta, në çfarë sasie ishin rreshjet në vende të ndryshme të pellgut shimbledhës, çfarë nivelesh të ujit u krijuan përgjatë lumit Vjosa që nga kufiri në Tre Urat,  tek Ura e Përmetit, tek ajo e Dragotit dhe Mifolit etj. Çfarë nivelesh u krijuan në argjinaturat e Vjosës, çfarë prurjesh u matën në këto akse të lumit; ç’nivele e prurje patën përrenjtë ose lumenjtë kryesorë që derdhen në Vjosë si Langarica, Drinosi, Shushica etj, çfarë nivelesh u krijuan në sipërfaqet e përmbytura dhe sa ishte kohëzgjatja e përmbytjes.

Këto të dhëna janë të nevojshme, jo vetëm për të patur një ide të qartë për atë se çfarë ndodhi gjatë kësaj dukurie natyrore, por do të jenë të nevojshme për studimet e ndërhyrjeve që duhet të bëhen në të ardhmen në mënyrë që ato të jenë në nivel sa më të lartë.

Po ashtu këto shërbejnë edhe për të përcaktuar se të çfarë rendi ishin ato, ishin historike apo jo, duke i krahasuar dhe me përmbytjet e mëparshme që kanë ndodhur në vendin tonë.

Nga të dhënat që disponohen, rezulton që në Janar-Dhjetor 2010 patëm përmbytje në zonën e Shkodrës e cila për nga madhësia e sipërfaqes së përmbytur ishte pothuajse e njëjtë, në Shkodër 14 mijë ha, në Vlorë e Fier 17 mijë ha. Por nisur nga kushtet e terrenit në të cilat ndodhet fusha e Nënshkodrës si dhe nga shkaqet e përmbytjes, kohëzgjatja e saj ishte më e madhe.

Nga një studim i kryer rezultoi se shirat e rënë në Shkodër në vitin 2010 ishin përafërsisht me 2% siguri (probabiliteti i përsëritjes, një herë në 50 vjet). Nga pamjet vizive të niveleve të Vjosës dhe të niveleve në zonat e përmbytura, besoj se edhe rreshjet që shkaktuan këto përmbytje në Jug të vendit ishin të po këtij rendi (mbetet të vërtetohet nga studimet). Përmbytjet e përshkruara më lart ishin në kohë të ndryshme dhe në zona të veçanta.

Si kanë qenë fenomenet e përmbytjeve në të kaluarën dhe si janë trajtuar ato?

Në muajt Dhjetor 1962 dhe Janar 1963 pati rreshje të shumta në të gjithë vendin dhe ujrat u shpërndanë në të gjithë ultësirën Perëndimore (zona fushore nga veriu në jug) duke përmbytur më shumë se 70 mijë ha toka bujqësore dhe të gjitha qendrat e banuara që ndodheshin në këto zona si dhe qytetet e Shkodrës, Lezhës dhe Beratit. Në atë kohë u bashkuan ujrat e Lumit të Vjosës me ato të Semanit dhe të Shkumbinit si dhe ujrat e Drinit me ato të Matit dhe Ishmit. Kjo bëri të domosdoshme marrjen e masave.

Për këtë u kryen studime e u ndërtuan argjinaturat në lumenjtë e Vjosës, Semanit, Shkumbinit, Matit dhe Bunës. Paralelisht me këto argjinatura u krye dhe bonifikimi i tokave kënetore duke filluar në veri nga këneta e Velipojës dhe e Casit në Shkodër, të Ishull Shëngjinit e Talës në Lezhë, të Thumanës në Krujë, të kënetës së Durrësit, të Bashtovës në Kavajë, të Tërbufit e Karavastasë së vogël në Lushnje, të Hoxharës në Fier, të Akernisë në Vlorë e duke përfunduar në Jug të vendit tonë me ato të Vurgut e Mursisë në rrethin e Sarandës.

Marrja e masave për bonifikimin e kënetave dhe sistemimin e lumenjve ishte një domosdoshmëri për kushtet natyrore dhe ekonomike që kishte vendi ynë.

Kështu nga 280 mijë ha toka bujqësore fushore që kemi, ndër to 250 mijë ha janë trajtuar me vepra bonifikimi, nga këto 50 mijë ha është përfituar tokë e re dhe rreth 200 mijë ha janë përmirësuar. E veçanta është se e gjithë zona fushore në Ultësirën Perëndimore përgjithësisht është në nivele të ulëta, në disa raste nën nivelin e detit, kështu që kullimi është dashur të kryhet me ngritje mekanike duke ndërtuar hidrovore. Për këtë janë ndërtuar 31 të tillë me kapacitet nga 2 m3/sek më i vogli, në 70 m3/sek më i madhi.

Problem ka qenë dhe është sistemimi i disa përrenjve të cilët për vetë natyrën e tyre në pjesën më të madhe të kohës kanë fare pak ujë, por në rast reshjesh intensive mund të sjellin për një orë sasi të mëdha uji që mund të bëjnë dëmtime të mëdha, sikurse ndodhi me përroin e Pogradecit, por raste të tilla me viktima kemi patur edhe me përroin e Përmetit, ato të zonës së Korçës etj.

Kështu janë sistemuar përrenjtë që kërcënonin me përmbytje qytetin e Korçës, të Elbasanit, Shkodrës, Lushnjës etj. Për qytetin e Vlorës u bënë studime, por projektet nuk u zbatuan plotësisht, kështu që problemet me përmbytjet në atë qytet deri në vitet 1990 mbetën të pazgjidhura.

Është fakt se ne jemi ndër vendet me më pak tokë bujqësore për frymë të popullsisë në Europë, ndoshta edhe në Botë. Për krahasim, vetëm Zvicra ka më pak se vendi ynë. Zvicra 600 m2/banor, Shqipëria 1300 m2/banor, Franca 3300 m2/banor, Greqia 3800 m2/banor, Bullgaria 4000 m2/banor, SHBA 6300 m2/banor.

Nisur nga fakti që toka bujqësore ishte e paktë, kërkohej që ajo të shfrytëzohej sa më mirë e për këtë krahas kullimit u kryen punime e u ndërtuan vepra për ujitjen e tokave. Kështu, u ndërtuan veprat ujitëse fillimisht që merrnin ujë nga lumenjtë e përrenjtë, më vonë u ndërtuan 650 rezervuarë me një rrjet ujitës 25 000 km, të cilët së bashku me kanalet me rrjedhje të lirë siguronin për ujitje të tokave bujqësore rreth 2 miliard m3 ujë, me të cilën ujiteshin çdo vit reth 350 mijë ha, që përfaqësojnë 65-70% të tokës në kulturë që ka vendi ynë në gjëndjen e sotme.

Ndërtimi i këtyre veprave u krye me sakrifica të mëdha. Për këtë ishin angazhuar ndërmarrjet dhe kantierët e bonifikimit të shpërndarë në çdo rreth të Republikës.

Në vitet e para pas çlirimit, nga vitet 1952-1960, krahas grupit të specialistëve të projektimit shqiptar punuan edhe disa firma projektuese të cilat hartuan projekt-idetë e Bonifikimit të Talës në Lezhë, Thumanës në Krujë, Hoxharës në Fier, atë të Maliqit në Korçë. Po ashtu nga këto firma u hartuan edhe projektet e ndërtimit të digave të tre rezervuarëve së bashku me rrjetin ujitës të tyre, të atij të Thumanës në rrethin e Lushnjës, të Kurjanit në rrethin e Fierit dhe Callikut në rrethin e Durrësit. Për këto vepra, meqenëse të dhënat në kohën e projektimit ishin të pakëta, u desh të bëheshin ndërhyrje të mëvonshme për përmirësimin e tyre. Mbas vitit 1960 ndërtimi dhe projektimi i veprave të kullimit dhe ujitjes u krue nga specialistët shqiptarë të inkuadruar në Institutin e Studimit e të Projektimit të Veprave të Kullimit dhe Ujitjes. Me kalimin e viteve u krijua tradita dhe përvoja, e cila bëri të vijë duke u ngritur niveli i personelit inxhiniero-teknik në studimin dhe projektimin e këtyre veprave.

Koha ka treguar se projektimi i këtyre veprave ka qenë në nivel të lartë, ato kanë kryer funksionin për të cilin janë ndërtuar dhe në vartësi të mirëmbajtjes, e kryejnë atë edhe sot.

Për ndërtimin dhe projektimin e këtyre veprave kanë punuar një armatë e tërë inxhinierësh ndër të cilët po përmend vetëm disa më kryesorët që janë:  Inxhinierët Farudin Nuri, Mice Veshi, Iljaz Cerga, Ilia Plasa, Murat Klosi, Zef Rakacolli, Kujtim Kadriu, Nezir Nota, Agim Basha, Stavri Naço etj.

Ishin këto vepra që krijuan mundësinë që vendi ynë të bëhej i jetueshëm ekonomikisht e popullsia e tij të shtohej nga 1 milion banorë që ishte në vitin 1938 në mbi 4 milion në vitin 1990. Janë këto vepra, rrjeti i kanaleve kullues e ujitës në të gjithë zonën fushore, rezervuarët ujitës të shpërndarë në të gjithë teritorin që bëjnë që kur shikon vendin tonë nga avionic, të duket se këtu dora e njeriut ka vepruar më tepër se në vendet e tjera. Ne nuk jemi as më të zgjuar, as më të pasur se ato, por nevoja për të kryer ato punime ka qenë më e madhe, bile mund të thuhet se ajo kanë qenë determinuese.

Mbas vitit 1990 nuk është ndërtuar asnjë vepër e re, as për kullimin e as për ujitjen.

Një pjesë u prishën plotësisht, sikurse janë stacionet e pompimit për ujitje, ose pjesërisht, sikurse janë kanalet ujitëse, veprat e artit, argjinaturat etj.

Mirëmbajtja e këtyre veprave nuk ka qenë në nivelin e kërkuar, përjashto hidrovorët të cilët përgjithësisht kanë qenë në gadishmëri, si dhe rehabilitimi i disa veprave të kullimit dhe ujitjes.

Aktualisht nuk dihet gjendja për të gjitha veprat, digat e rezervuarëve, kanalet ujitëse, kanalet kullues, veprat e artit, argjinaturat, gërryerjet e lumenjve, sistemimi i përrenjve etj. Këto vepra janë një pasuri e vendit e cila është krijuar me sakrifica të mëdha, të cilën ne e disponojmë dhe duhet të vihet në eficencë të plotë për t’i shërbyer sa më mirë rritjes ekonomike të vendit. Për të vënë këtë pasuri në eficencë duhen patur struktura organizative në të gjitha degët e saj. E para që duhet bërë, është të krijohet një “Njësi” ose “Byro” me specialistë kompetentë e cila do të trajtojë anën teknike dhe organizative të këtyre veprave.

Dikur, për projektimin e këtyre veprave ka patur një institut i cili studionte dhe projektonte të gjitha veprat në fushën e ujitjes, kullimit, të mbrojtjes nga gërryerjet e lumenjve të tokave bujqësore e qendrat e banuara etj. Sikurse për veprat e bonifikimit ka patur edhe institute të tjera projektuese, si ai për rrugët dhe hekurudhat, i hidrocentraleve dhe linjave të tensionit të lartë, arkitekturës dhe urbanistikës, ujësjellësave, Instituti i Hidrometeorologjisë, gjeologjia inxhinierike etj. Këto institucione sipas rastit bashkërendonin punën ndërmjet tyre.

Me kalimin e viteve erdhi duke u ngritur niveli tekniko-shkencor i specialistëve, u krijua tradita dhe u konsolidua përvoja në studimin e projektimin e këtyre. Ishin këto institute që kryenin sudimet paraprake për të gjitha veprat e që ja parashtronin qeverisë për t’i vendosur në planet e ndërtimit afatmesme e afatgjata.

Kjo traditë e krijuar për të cilën shoqëria kishte investuar dhe kjo përvojë e fituar ndër vite, pas vitit 1990 u zhduk me prishjen e këtyre instituteve. Por siç dihet, përvoja as nuk blihet dhe as nuk trashëgohet, ajo krijohet me një përkushtim e punë të vazhdueshme. Kështu edhe specialistët që ishin në këto institute me nivelin intelektual e tekniko-shkencor përbënin një pasuri kombëtare.

Pas prishjes së institutive, organizimi i studim-projektimeve iu la spontanitetit, i cili është vështirë të kuptohet se si funksionon. Për problemet që trajtonin këto institute, të gjithë shtetet kanë institucionet përkatëse. Kështu edhe në SHBA ka një byro shumë prestigjioze të bonifikimeve që është e atashuar në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, meqenëse aktiviteti i saj është përgjithësisht shërbim. Por siç dihet, Amerika siç është superfuqi në ekonomi, në ushtri, ashtu është edhe në shkencë.

E natyrisht ne nuk do të imitonim Amerikën. Por mund të bëhet ashtu si e kanë vendet që na afrohen më shumë siç janë: Maqedonia, Bullgaria, Kosova, Kroacia të cilat këto shërbime i kanë të mirëorganizuara.

“Njësia” ose “Byroja” që duhet të krijohet, do të mbulojë të gjithë gamën e problemeve që kemi në fushën e bonifikimeve, të cilën për vetë kushtet natyrore e kemi më të madhe dhe më të mprehtë sesa të gjitha vendet që na rrethojnë. Kjo njësi do të drejtojë studimet e projektimet në fushën e bonifikimeve, natyrisht jo vetëm, por duke inkuadruar firmat, studiot private të cilat duhet të kenë specializimin e nevojshëm për të kryer këto detyra.

Njësia, natyrisht nuk do të jetë me madhësinë e ish Institutit të Projektimit të Bonifikimeve, por do të jetë me një personel të mjaftueshëm për të kryer detyrat e saj. Vartësia e saj mund të jetë nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë ose të ndonjë Institucioni në vartësi të kryeministrisë, që mund të krijohet duke përmbledhur edhe departamente të sektorëve të tjerë të ekonomisë. Detyrat e kësaj njësie do të jenë të shumta, por ajo më kryesorja të shërbejë si filtër nga i cili do të kalojnë të gjitha fondet për investimet e veprave.

Njësia do të përcaktojë dhe kontrollojë që veprat të jenë me parametrat e kohës. Kështu për shembull; siguria e argjinaturave për mbrojtjen nga përmbytjet mund të jetë më e madhe se sa deri tani, teknologjia e ujitjes mund të përmirësohet, duke kaluar në ujitjen në formë shiu, me pika etj. Projekti i çdo vepre, para se të vendoset në planin e ndërtimit duhet të marrë miratimin nga njësia.

Çfarë vërehet p.sh duke udhëtuar për në Korçë: Ura në Labinot Fushë nuk i ka përmasat dhe uji del në rrugë sa herë që bie shi i rrëmbyeshëm. Në Maliq, në mbushjen e re të rrugës nuk u ndërtua tombinoja që ishte në rrugën ekzistuese e për rrjedhim në rast shirash, përmbyten rreth 50 ha toka bujqësore që nuk ishin të përmbytura edhe kur fusha e Maliqit ishte Kënetë. Kështu probleme vërehen edhe kur udhëton për në Vlorë për në Shkodër etj.

Duke ekzistuar kjo njësi, do të rritej edhe niveli teknik i specialistëve, sepse kur e di që projekti do të kontrollohet nga specialistë të kualifikuar, përgjegjësia dhe vëmendja që i kushton projektuesi i çdo firme qoftë, është maksimale, po ashtu edhe vërejtjet që mund të bëhen ai i ka parasysh në projektet pasardhës.

Njësia do të evidentonte problemet kryesore që ka vendi ynë në këtë fushë e do t’ia parashtronte qeverisë për zgjidhje, nga të cilat po përmënd disa:

Zonat torfike në fushën e Maliqit po kthehen në kënetë. Nga kjo fushë sot në 300 ha nuk merret asnjë prodhim (nuk mbillet). Në 2000 ha të tjera merren rendimente shumë të ulëta se ato mbillen vetëm me kultura pranverore. Në këtë zonë jetojnë qindra familje në gjendje shumë të vështirë. Nga një studim i kryer vite më pare, ka rezultuar se në rast se ndërtohet kjo vepër, vetëshlyerja është për 5 vjet.

Në fushën e Devollit dhe të Korçës, në një nga zonat më të populluara dhe më pjellore të vendit janë mbi 10 mijë ha pa ujë. Dikur kjo zonë ujitej nga uji i Prespës së Vogël, i cili ka vite që nuk merret. Është mundësia që nga ky liqen të merren 25-30 milion m3 ujë që mund të përdoret për ujitje në periudhën e verës. Për këtë nuk duhen investime të veçanta mbasi rrjeti ujitës është i ndërtuar. Por duhet që të bisedohet e të rakordohet me palën greke.

Takimi duhet bërë me grupe specialistësh të fushës së hidroteknikës dhe mund të gjendet zgjidhje që të plotësojë kërkesat e të dy palëve. Është për të theksuar se ndërtimi i një vepre tjetër në luginën e Devollit që mund të sigurojë 25 milion m3 ujë do të kushtonte rreth 50 milion euro, por përveç kësaj do të kishte dhe shumë probleme të tjera lidhur me shpronësimet si dhe do të kërkonte edhe kohë të gjatë për t’u ndërtuar.

Hidrovori në Porto Romano, Durrës, është ndërtuar që të sigurojë kullimin e ish kënetës për t’u mbjellë me kultura bujqësore, por tashmë që ajo fushë është kthyer në zonë të banuar kërkon një ridimensionim me siguri më të lartë, që ta garantojë nga përmbytja.

Mbrojtja e qytetit të Përmetit nga përroi i Bardhë i cili ka shkaktuar disa herë edhe viktima, është bërë para 50 vitesh. Ajo duhet rishikuar sot; po kështu duhen parë edhe problemet që ka qyteti i Elbasanit, Shkodrës, Korçës, Lushnjës etj. Si këto probleme ka edhe shumë të tjera që duhen rilevuar e vendosur për zgjidhje me grup specialistësh të kualifikuar të kësaj “ Njësie”. Por më kryesori është që të kryhet një studim i cili të përfshijë të gjitha veprat ekzistuese të kullimit dhe të ujitjes.

Në këtë studim të pasqyrohen:

-Gjendja e digave të rezervuarëve, e rrjetit të kanaleve ujitës, kanaleve kullues, veprat e marrjes së ujit, veprat e artit, argjinaturat, geryerjet e tokave nga lumenjtë etj.

-Për këto vepra duhet të evidentohen problemet problemet që ato kanë, mënyra e rehabilitimit të tyre dhe kostoja e përafërt e secilës vepër.

-Nga ky studim do të dalë se cilat vepra janë me leverdi për t’u ndërtuar, e rrjedhimisht fill pas leverdisë të përcaktohet edhe radha e ndërtimit të tyre, lidhur kjo me mundësitë që ka shteti.

Për kushtet aktuale që shteti nuk e ka këtë njësi, mendoj se një mundësi është që menaxhimi i studimit për gjendjen dhe rehabilitimin e veprave të kullimit dhe ujitjes si edhe problemeve të tjera në këtë fushë, mund të drejtohet nga Banka Botërore ose institucione të tjera ndërkombëtare që japin donacione ose financime në të tilla drejtime, në bashkëpunim me specialistë shqiptarë të fushës. Për këtë në vendin tonë Banka Botërore në fushën e bujqësisë ka një përvojë të suksesshme, si menaxhimin e fondeve për rehabilitimin e një pjese të veprave të kullimit dhe ujitjes.

Në pëmbytjet e Shkodrës në Nëntor-Dhjetor 2010, prej saj u dhanë fondet me të cilat u krye studimi “Mbi masat emergjente në brigjet dhe argjinaturat e lumit Buna në zonën e Dajçit Shkodër”, si dhe studimi për “Masat afatmesme për eleminimin e riskut të përmbytjeve nga lumi i Bunës”. Për masat emergjente u hartuan projekte dhe gjatë vitit 2011 u kryen të gjitha punimet e parashikuara. Ndërsa për masat afatmesme nuk është bërë asgjë.

Po ashtu nga BB u drejtua studimi “200 Digat e Bujqësisë me Problemet më të Mëdha” i cili u krye nga specialistët shqiptarë nën drejtimin e një firme angleze. Por duhet parë gjendja e duhet të evidentohen problemet së bashku me masat që duhet të merren edhe për 450 diga të tjera të bujqësisë, të cilat nuk përjashtohet që të kenë nevojë dhe për ndërhyrje emergjente.

Kështu nisur nga fakti që ne kemi shumë pak tokë bujqësore, si edhe që aktualisht më tepër se 40% e popullsisë është në fshat, ku bujqësia është nga degët kryesore të ekonomisë, është e domosdoshme që këtë sipërfaqe bujqësore ta trajtojmë me vëmendjen maksimale duke marrë të gjitha masat për një prodhim të garantuar: Siç është kullimi, pa kullim nuk ka fare prodhim; në vazhdim janë ujitja, mbrojtja nga gërryerjet, si dhe të gjitha masat e tjera agroteknike si punimi i tokës, plehrimi, farërat etj.

Fenomenet natyrore të përmbytjeve  dhe të thatësirave egzistojnë, e po ashtu edhe dukuritë ekstreme, përmbytje të mëdha ose thatësira të mëdha. Por detyra e njeriut është që të merren masa që pasojat të jenë sa më minimale.

Leave a Reply

%d bloggers like this: