Kryeartikull

Fillesat e idesë europiane në Shqipëri

Dorian Koçi

Flamuri-i-Bashkimit-Evropian2Shqipëria, edhe pse ishte vendi i fundit që fitoi pavarësinë nga Perandoria Otomane, duke pasur një histori shumë më komplekse se fqinjët e saj, pati një zgjim disi më të ngadaltë, por dhe një komplisitet lidhjesh me Europën dhe idenë rreth saj. Së pari, Komiteti Katolik Shqiptar, edhe pse më i persekutuari në vend, si rezultat i luftërave të vazhdueshme veneto-turke apo dhe austro-turke, kish sendërtuar një paradigmë krejtësisht europiane për sa u përket botimeve të veta që në shumicë ishin në latinisht, por që nga shekulli XV i gjejmë dhe në shqip, duke kontribuuar kështu në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare. Në të gjitha këto vepra të Buzukut, Bardhit, Bogdanit, Kazazit ka një rikujtim të Motit të Madh të Skënderbeut dhe të shpresës për një aleancë europiane për të larguar otomanët nga Ballkani. Islamizimi i popullsisë solli një traumë të madhe shpirtërore, pasi dhe një pjesë e madhe e popullsisë filloi të hynte dhe të merrte pjesë në qarkun kulturor lindor, ku në mes të tjerave shquan rryma e bejtexhinjve dhe literatura e sekteve të ndryshme islame. Në këtë kohë, në këtë pjesë të popullsisë nuk kemi një ligjërim të idesë së Europës, pasi shpeshherë dhe nëpërmjet luftërave që bënin osmanët, trupat shqiptare merrnin pjesë në këto beteja dhe nuk ktheheshin me emocione pozitive nga to. Pjesa tjetër ortodokse e popullsisë, ashtu si dhe në rastin rumun e bullgar, u influencua nga elitat greke, por dhe kontribuoi në iluminizmin grek nëpërmjet Voskopojës, akademisë së saj dhe prelatëve ortodoksë. Emrat e Kavaliotit, Daniel Moskopolit shënjuan jo vetëm kulturën regjionale të Voskopojës, por dhe atë greke, pasi u shkruan në atë gjuhë. Gjithsesi, duhet theksuar se përdorimi i gjuhës greke shprehte dhe mentalitetin ekumenist të epokës, ku ajo shikohej si një transmetuese e vlerave bizantine dhe në planet e iluministëve ballkanikë zinte një vend të veçantë si gjuha që do të bashkonte të gjitha popullsitë e Ballkanit. Kjo situatë do të ndryshonte disa vite më vonë, ku ashtu si dhe në Europë, etnitë ballkanike do të përqafojnë nacionalizmin si platformë ideologjike në rrugën e krijimit të shteteve të tyre, por trashëgimia dhe influenca e kësaj kulture ekumeniste të rajonit do të jetë e dukshme jo vetëm në zgjimet kombëtare, por dhe në dëshmitë e udhëtimit që na kanë lënë udhëtarët e huaj në shekullin XIX. Pikërisht nga kjo elitë dhe përfaqësuesi i saj, Naum Veqilharxhi, do të vijë dhe artikulimi i idesë së tij në “Letër enciklike për të gjithë të pasurit e të mësuarit ortodoksë shqiptarë”, ku ai do t’u kërkojë shqiptarëve që të hyjnë “në radhën e kombeve të qytetëruara”, duke nënkuptuar Europën. Por suksesi më i madh i idesë europiane mes shqiptarëve do të jetë përqafimi i saj nga komuniteti mysliman shqiptar, çka përbën një rast unikal në dallim nga komunitetet e tjera myslimane në Ballkan. Edhe pse kjo ide mund të gjendet e vagullt në projektin konstitucional të Federatës Panilirike që Karamahmud Pashë Bushatlliu kishte ndërmend të formonte si një shtet të përbashkët mes shqiptarëve myslimanë, atyre katolikë dhe malazezve ortodoksë apo dhe në dëshirën e në fund të zotërimit të Ali Pashë Tepelenës që i kërkoi Meternikut, Kancelarit të Austrisë një kushtetutë të shkruar, gjithsesi duhet pranuar fakti se pas reformave të Tanzimatit dhe lindjes së idesë kombëtare për shqiptarët, kjo ide fillon të dallohet më tepër. Ideologë të saj janë vëllezërit Frashëri, Hasan Tahsini, Isamil Qemali etj., të cilët ndikojnë jo vetëm në atdheun e tyre, por dhe në vetë Perandorinë Otomane për të artikuluar këtë ide. Ideja për Europën ashtu si dhe në vendet e tjera ballkanike, do të ecë paralelisht me zgjimin kombëtar, ku arsimimi në gjuhën kombëtare dhe evokimi i figurës së Skënderbeut do të përbëjnë dy nga shtyllat e këtij zgjimi. Pranimi i Skënderbeut si heroin e tyre kombëtar, do të ishte një nga hapat e parë të shqiptarëve për afirmimin e kësaj ideje, pasi princi i tyre mesjetar kish qenë në ballë të koalicioneve antiosmane për të shpëtuar Europën. “Jakë o dritë e bekuar që lind andej ku perëndon”, do të shkruante Naim Frashëri, duke shprehur qartë jo vetëm adhurimin e tij për Perëndimin, por dhe influencën e kulturës europiane, sidomos asaj franceze, që kish influencuar aq shumë në botëkuptimin e tyre. Do të ishte ky adhurim i elitës shqiptare ndaj idesë europiane që do t’i bënte ata të gjithë në Kuvendin e Vlorës që të këmbëngulnin për një princ europian për të ardhur në krye të vendit dhe do ta detyronte Sër Edward Grey, sekretarin e Jashtëm britanik të asaj kohe, të shkruante në ditarin e tij më 1913-n, se, edhe pse “Shqipëria dhe popullata në numër më të madh i përket besimit Islam, e gjithë elita e tyre pa përjashtim është proeuropiane”. Kjo qasje drejt Europës do të përcillej gradualisht edhe te shtresat e tjera të popullsisë derisa me konsolidimin e shtetit shqiptar do të bëhej ligjërim dominant i ligjërimit publik shqiptar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button