Home / Arte / Film / Shqipëria nuk garon për “Oskar”

Shqipëria nuk garon për “Oskar”

Kinemaja shqiptare nuk shkon në garën e madhe të çmimeve “Oskar”. QKK-ja përjashtoi dy filmat pretendentë për këtë garë, “Ada” i Spartak Pecanit dhe “Amsterdam Express” i Fatmir Koçit si jo të denjë. Kosova çon në “Oskar” filmin më të ri të regjisorit Isa Qosja

85th Academy Awards, Nominees LuncheonKinemaja shqiptare nuk do të garojë këtë vit në Academy of Motion Picture, Arts and Sciences 2015 apo njohur ndryshe si Akademia e Oskarit. Shqipëria ishte ftuar të merrte pjesë në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”, ku çdo vit garojnë mbi 160 filma nga vende të ndryshme të botës. Në mbledhjen e djeshme, komisioni përzgjedhës i filmit që do të përfaqësonte kinemanë tonë në këtë garë, u ka thënë jo dy filmave pretendentë, filmit “Ada” me regji të Spartak Pecanit dhe “Amsterdam Express” me regji të Fatmir Koçit. Pas një votimi të fshehtë, komisioni doli me deklaratën që “Shqipëria të mos përfaqësohet me asnjë film në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj” në Academy of Motion, Picture, Arts and Sciences 2015. “Juria është e përbërë nga pesë anëtarë. Detyra ime është të respektoj vendimin e jurisë, e cila veproi duke ndjekur procedurën e vendosur në mbledhjen e saj për mënyrën e votimit. Duke e konsideruar presionin në të cilin vendoset çdo anëtar komisioni në një vend të vogël, ku të gjithë njihen me njëri-tjetrin dhe kjo e dëmton shpeshherë seriozisht vendimmarrjen, duke trajtuar në planin personal çdo konsideratë që nuk lidhet me konsideratën për autorin, por për veprën. Për të shmangur këtë keqkuptim, u vendos që votimi të ishte i fshehtë”, u shpreh Ilir Butka, drejtor i Qendrës Kombëtare Kinematografike. Komisioni përzgjedhës i filmave ishte i përbërë nga Eno Milkani, Besnik Bisha, Kristaq Mitro dhe Edi Topi. Sipas Eno Milkanit, komisioni erdhi në përfundimin që asnjëri prej dy filmave të mos shkonte në “Oskar”, pas raundit të parë të votimit duke parë numrin e abstenimeve. Anëtarët shqyrtuan opsionin e ofruar nga QKK-ja, i cili nuk ishte kusht që një film duhet të shkonte patjetër, nëse nuk merrte votat e anëtarëve. Për komisionin dy filmat nuk janë të denjë për të çuar Shqipërinë në Akademinë Oskar.

Filmat konkurrues janë prodhime të dy viteve të fundit. Filmi “Ada” i regjisorit Pecani është bazuar mbi romanin “Te Porta e Shën Pjetrit” i shkrimtarit Fatos Kongoli. Përshtatjen e romanit në skenar, me lejen e autorit, e ka bërë skenaristi anglez Matt Maude. “Ada” trajton traumën njerëzore, luftën brenda vetes, por dhe brenda procesit të lëvizjeve të sistemit të ardhjes së njerëzve në Tiranë, të luftës psikologjike, të ndryshimeve që kanë një grupim njerëzish në një grupim tjetër, që duan të kenë një jetë më të mirë. Pecani, xhirimet ia ka përshtatur skenarit duke bërë një ndërthurje me personazhet e Kongolit dhe mjediset e përshkruara në skenar, të cilat lëvizin nga kryeqyteti deri në zonat më periferike, nga mjediset intelektuale deri tek ato mafioze. Ndërsa në rolet e tjera luajnë aktorët e njohur nga Kosova dhe Shqipëria, si: Ndriçim Xhepa, Enver Petrovci, Reshat Arbana, Afrim Muçaj, Elvira Diamanti, Klodian Hoxha, Eshref Durimishi etj. “Amsterdam Express” u quajt nga kineastët si një projekt ambicioz i regjisorit Fatmir Koçi, edhe pse, pas premierës, zërat që vlerësonin punën e regjisorit Koçi u zbehën. Vetëm pak javë më parë ai garoi në Festivalin e Filmit në Montreal. Në këtë film, Koçi është bashkëskenarist me autorin Jonatan Preece. Në role kryesore interpretojnë aktorët: Blerim Destani, James Biberi, Flonja Kodheli, Carolien Spoor, Natasha Goulden, Gert Ferra. Producentë janë Rozeta Feri dhe Blerim Destani. Filmi tregon historinë e një të riu shqiptar emigrant në Amsterdam, i cili është kapur mes rreziqeve dhe joshjeve të qytetit të pasur, kërcënimeve të trafikantëve të seksit e drogës, por dhe martesës me një vajzë holandeze. Ndërsa në vendin e tij të prapambetur e pret një dashuri e vërtetë. Është historia e Bekimit, 30 vjeç, i cili bën çdo gjë për të bërë para. Në të vërtetë ai kthehet duarbosh në vendin e tij, pasi i ka dhënë paratë e fundit për të shpëtuar një vajzë me emrin Ana, nga dritaret në distriktin e Dritave të Kuqe. Historia zhvillohet në Tiranë dhe Amsterdam. Bekimi 30-vjeçar dhe fqinja e tij Marta, janë të dashuruar. Bekimi ka një ëndërr, të ndërtojë një shtëpi të re. Ai emigron në Amsterdam për të bërë para. Bekimi përfundon në një qendër emigrantësh ku takon Anën, një 20-vjeçare nga Europa Lindore, dhe Van Doom, një trafikant të njohur droge e seksi. Këtu e ardhmja e tij ndryshon … Ndërsa Qendra Kinematografike e Shqipërisë nuk arriti të gjente një film të denjë për “Oskar”, komiteti përzgjedhës i Kosovës, me presidente aktoren Arta Dobroshi, ka zgjedhur filmin e fundit të regjisorit Isa Qosja “Tri dritare dhe një varje” për të çuar në Akademinë Oskar. “Nominimi i Kosovës për ‘Oskar’ është projekti ‘Tri dritare dhe një varje’ me regji të Isa Qoses, skenar të Zymber Kelmendit dhe në rolet kryesore: Irena Cahani, Luan Jaha dhe Donat Qosja. Filmi trajton çështjen shumë delikate të dhunimit të gruas dhe dhembjen që një përjetim i tillë shkakton në një shoqëri. Mendojmë se filmi, përveçse temës që trajton, po ashtu është i realizuar shumë mirë për nga niveli artistik”, thuhej në njoftimin e QKK-së së Kosovës. Pjesë e konkurrimit për “Oskar” ka qenë edhe filmi “Heroi” i regjisorit Luan Kryeziu, si dhe filmi “Gone Back” i regjisorit Ernest Meholli, i cili, për shkak të kritereve të vendosura nga Akademia, nuk pati mundësinë të shqyrtohet nga komiteti selektues. “Tri dritare dhe një varje” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, një prodhim i shtëpisë filmike CMB me producent Shkumbin Istrefi dhe Mentor Shala.
Ky film flet për Lushen, mësuesen e fshatit, e shtyrë nga ndërgjegjja dhe nevoja e saj për rikthimin e dinjitetit, deklaron para një gazetareje të huaj se ajo dhe tri gra të tjera të fshatit janë viktima të dhunimit nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo deklaratë, e cila konsiderohet si turp nga mentaliteti, shkakton shqetësim te burrat e fshatit, të cilët nën udhëheqjen e Ukës, fillojnë stigmatizimin e saj dhe kërkojnë largimin e saj nga fshati.
Në rolet kryesore janë: Irena Cahani, Luan Jaha, Donat Qosja. “Tri dritare dhe një varje” ka pasur premierën botërore në Sarajevo Film Festival, ku është shpërblyer me çmimin “Cineuropa”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.