Home / Ekonomia / Intervistat e tetë bankierëve: Çfarë e pret sistemin bankar në të ardhmen

Intervistat e tetë bankierëve: Çfarë e pret sistemin bankar në të ardhmen

Bankierët presin që viti 2018 të jetë pozitiv për sistemin bankar, por paralajmërojnë se ai do të ndjekë ritmin e ekonomisë. Procesi i deeuroizimit dhe konsolidimi i sistemit mbeten gjithashtu sfida të rëndësishme.

“Nëse ekonomia e një vendi rritet, edhe sektori bankar rritet gjithashtu, nëse ekonomia përballet me vështirësi, do të jetë sfidë edhe për sistemin bankar, duke qenë se ky i fundit mbart mbi vete rreziqet e ekonomisë”, thotë Seyhan Pencapligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT).

Ndërsa z. Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank në Shqipëri pohon se “drejtësia është ende sfida kryesore dhe ne kemi shumë shpresë te vetting-u, në mënyrë që të kemi një drejtësi të ndershme në Shqipëri për ne, por edhe për popullsinë në krahasim me sistemin ekzistues”.

Z. Maltin Korkuti, drejtori i Credins Bank, është optimist se “fryma e përgjithshme e indeksimit të gati gjithë mallrave të tregtuara me pakicë në monedhën europiane, veçanërisht ato direkte nga importi, drejt një indeksimi vetëm në monedhën vendase, do të japë një ndihmesë të rëndësishme në kërkesën e lartë për euro që ekziston tashmë në tregun shqiptar”.
Z. Silvio Pedrazzi, CEO i Intesa Sanpaolo Bank Albania, në afatin e mesëm, sheh dy tendenca kryesore makro që ndikojnë në industrinë bankare: Mjedisi Rregullator dhe Revolucioni Dixhital.

Për drejtorin e Alpha Bank, Georgios Papanastasiou “Fokusi kryesor për 2018 do të jetë zbatimi i duhur i reformave ndaj informalitetit, që konsiston kryesisht në deklarimin e një bilanci të vetëm nga bizneset dhe që synojnë reduktimin e mëtejshëm të raportit të kredive me probleme në të ardhmen dhe deklarimin faktik të pagesave për punonjësit, që synon nxitjen e mëtejshme të kreditimit”.

Teksa sistemi bankar është përfshirë në një valë shit-blerjesh, Gazmend Kadriu, drejtor i Union Bank pohon se “Sfida, absolutisht më e rëndësishmja, është elementi i strukturës së sistemit bankar, përfundimi i këtij procesi të ristrukturimit. Çfarë sistemi bankar do të kemi pas një, dy apo tre viteve dhe kjo do të jetë një përcaktuese e fortë, pasi zhvillime të tilla kanë efekt, që nuk jepet për gjashtë muaj apo një vit, por më vonë”.

Znj. Adela Leka, Drejtoreshë e Përgjithshme e bankës ProCredit Shqipëri është e mendimit se faktorë domethënës e që kushtëzojnë pritshmëritë për sistemin bankar vazhdojnë të jenë situata politike në vend dhe realizimi i rritjes ekonomike së pritshme.
Bozhidar Todorov, CEO i Fibank Albania, duke sjellë përvojën e Bullgarisë me procesin e integrimit në bashkimin Europian thotë se nga viti 2007 kur Bullgaria u anëtarësua, deri tani, dallimi në çdo aspekt të jetës, nga ajo kohë deri më tani, është i jashtëzakonshëm.

 

INTERVISTAT E BANKIERËVE

 

Flet z. Seyhan Pencapligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT)

Hapa normalizimi pas periudhës së krizës

 

Do të jetë një tjetër vit pozitiv në sektorin bankar dhe ne presim përmirësim të mëtejshëm të portofolit të kredive të këqija. Këto mund të konsiderohen si hapa drejt normalizimit pas periudhës së krizës, e cila prodhoi një efekt negativ në të gjitha aspektet e sistemit bankar, madje edhe për ekonominë në tërësi

Si e vlerësoni performancën e sektorit bankar dhe të bankës suaj në 2017-n?

2017-a ishte një vit pozitiv në termat e përfitueshmërisë së sektorit bankar, kryesisht për shkak të kostove më të ulëta të provigjioneve. Megjithatë, rritja ishte e kufizuar për sa i përket madhësisë së aseteve dhe portofolit të huave, kishte një tendencë pozitive për uljen e treguesit të kredive me probleme, që ka kontribuar në rritjen e përfitueshmërinë. Një tjetër zhvillim pozitiv në sektorin bankar ishte dhe përmirësimi i të ardhurave jo nga interesi i sektorit.

Cilat janë pritshmëritë në lidhje me performancën e sektorit bankar dhe të bankës suaj në 2018-n?

Do të jetë një tjetër vit pozitiv në sektorin bankar dhe ne presim përmirësim të mëtejshëm të portofolit të kredive të këqija. Këto mund të konsiderohen si hapa drejt normalizimit pas periudhës së krizës, e cila prodhoi një efekt negativ në të gjitha aspektet e sistemit bankar, madje edhe për ekonominë në tërësi. Pritshmëritë pozitive për rritjen ekonomike dhe iniciativat e Partneritetit Publik Privat të qeverisë po nxisin optimizmin më tej. Gjithashtu, ne kemi vendosur objektiva optimistë për 2018-n, kemi synimin që të financojmë rritjen ekonomike të vendit.

Banka e Shqipërisë ka publikuar së fundmi një plan veprimi për të reduktuar nivelin e euroizimit në ekonominë shqiptare. Si e vlerësoni këtë plan, sa efektiv mendoni se do të jetë dhe si ju propozoni që të reduktoni nivelin e euroizimit në Shqipëri?

Siç e dini dhe ju, ne kemi ndërmarrë veprime paralelisht me këtë nismë përpara masave të Bankës së Shqipërisë. Ne po ftojmë konsumatorët që të konvertojnë kredinë e tyre nga Euro në Lek duke iu dhënë atyre fleksibilitet (lehtësi). Rreziku nga kursi i këmbimit është faktor shtesë për ekonominë dhe hendeku midis aseteve dhe detyrimeve duhet të reduktohet. Mund të konsiderohen si masa paraprake radikale, por kufizimi i individëve në marrjen e kredive në euro (nëse të ardhurat e tyre nuk janë në euro, ose niveli i të ardhurave të tyre nuk është i mjaftueshëm për të menaxhuar luhatjet në kursin e këmbimit) mund të sjellin kontribut shtesë.

Sistemi bankar ka qenë i zënë së fundmi me shitblerjen e bankave. Si e vlerësoni këtë trend dhe cili do të jetë ndikimi në sektorin bankar?

Në fakt, ka qenë brenda pritshmërive tona, duke qenë se disa banka kishin shprehur tashmë qëllimet e tyre për të reduktuar asetet jashtë vendit mëmë, duke shitur disa prej entiteteve që kanë jashtë. Do të jetë një konsolidim i shëndetshëm i sektorit shqiptar, madje edhe për vendet e origjinës në përputhje dhe me këshillat e Bankës Qendrore Europiane. Ka 16 banka në Shqipëri, e cila ka një popullsi prej 2.8 milionë banorësh, çka po pengon arritjen e një shkalle të mjaftueshme për të bërë disa investime, për të krijuar biznese të qëndrueshme dhe me përfitim.

Cilat janë sfidat kryesore që do të përballet sistemi bankar në afatshkurtër dhe afatmesëm?

Sfidat kryesore të sistemit bankar nuk mund të mendohen të ndara nga ekonomia e vendit. Që do të thotë nëse ekonomia e një vendi rritet, edhe sektori bankar rritet gjithashtu, nëse ekonomia përballet me vështirësi, do të jetë sfidë edhe për sistemin bankar, duke qenë se ky i fundit mbart mbi vete rreziqet e ekonomisë.

 

Flet Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank në Shqipëri

2018-a, rritje e kreditimit

 

Drejtësia është ende sfida kryesore dhe ne kemi shumë shpresë te vetting-u, në mënyrë që të kemi një drejtësi të ndershme në Shqipëri për ne, por edhe për popullsinë në krahasim me sistemin ekzistues.

Si e vlerësoni punën e sistemit bankar dhe bankën tuaj në vitin 2017?

2017-a ishte një vit pozitiv për sistemin bankar në Shqipëri. Ka pasur përmirësim të mëtejshëm të situatës financiare dhe bankat vazhdojnë të jenë të kapitalizuara mirë. Gjithashtu vlen të përmendet ulja e nivelit të kredive me probleme krahasuar me vitin e kaluar.
Ishte një vit pozitiv edhe për Raiffeisen Bank, me rezultate shumë të mira në të gjithë treguesit e performancës. Një nga arritjet tona në vitin 2017 ishte prezantimi i platformës dixhitale bankare për biznesin dhe individët. Kjo është platforma më e përparuar në treg dhe në këtë mënyrë kemi më shumë se 40,000 abonentë që kryejnë transaksione bankare nëpërmjet kësaj platforme.

Cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me performancën e bankës dhe sistemit bankar në vitin 2018?

Ne dëshirojmë dhe besojmë se viti 2018 do të jetë i njëjtë, ku do të zhvillojmë më tej kreditimin dhe optimizojmë kostot. Përveç kësaj, transformimi ynë dixhital do të vazhdojë përmes ofrimit të më shumë produkteve dhe shërbimeve online, duke i bërë veprimet bankare më të përshtatshme për klientët tanë. Gjithashtu me shpresën që Shqipëria të fillojë negociatat me BE, ne presim të vijnë më shumë Investime të Huaja Direkte.

Banka e Shqipërisë ka nisur kohët e fundit një plan veprimi për të ulur nivelin e euroizimit të ekonomisë shqiptare. Si e vlerësoni këtë plan, sa efikase mendoni se do të jetë dhe çfarë propozoni për të ulur nivelin e euroizimit të Shqipërisë?

Plani është i shkëlqyer. Ne duhet të promovojmë më shumë kreditimin në monedhë vendase, për të shmangur rrezikun nga kursi i këmbimit për klientin. Efekti është tashmë këtu me rritjen e huadhënies në monedhë vendase.

Sistemi bankar ka qenë i zënë kohët e fundit me procesin e blerjes së bankave. Si e vlerësoni këtë trend dhe cili do të jetë ndikimi në sistemin bankar?

Besoj se do të vazhdojmë të kemi një konsolidim në sistemin bankar.

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet sistemi bankar në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme?

Drejtësia është ende sfida kryesore dhe ne kemi shumë shpresë te vetting-u, në mënyrë që të kemi një drejtësi të ndershme në Shqipëri për ne, por edhe për popullsinë në krahasim me sistemin ekzistues.

 

Flet drejtori i Credins Bank, z. Maltin Korkuti

Të rëndësishme, masat përtej sistemit bankar

 

Fryma e përgjithshme e indeksimit të gati gjithë mallrave të tregtuara me pakicë në monedhën europiane, veçanërisht ato direkte nga importi, drejt një indeksimi vetëm në monedhën vendase, do të japë një ndihmesë të rëndësishme në kërkesën e lartë për euro që ekziston tashmë në tregun shqiptar.

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2017?

2017-a ishte një vit që konfirmoi konsolidimin e Credins Bank dhe pozicionimin e saj si banka e dytë në vend për kredidhënie, dhe banka e tretë më e madhe në vend në depozita dhe aktive. Viti 2017 përkoi me fundin e planit trevjeçar të zhvillimit të Bankës dhe përgatitjen e strategjisë për tre vitet e ardhshme. Dhe në këtë moment analize, konstatojmë me kënaqësi se Credins ka siguruar një rritje të qëndrueshme në të ardhura, shtrirje kapilare në të gjithë vendin, por dhe ka amplifikuar prezencën e saj pranë qytetarëve, klientë e jo klientë, përmes marrëveshjeve të rëndësishme me
Postën Shqiptare dhe AK Invest për lehtësimin e shërbimeve të ndryshme të pagesave.

Gjatë 2017-s u hap një degë e re në Lezhë dhe u investua në shkallë të gjerë në rivitalizimin, zgjerimin dhe përmirësimin e imazhit të degëve ekzistuese, duke krijuar kushte optimale për një shërbim sa më efektiv ndaj klientëve. Investimi i bërë në kapitalin njerëzor, përmes programit të trajnimit të stafit për efektivitetin e shitjeve (SFE), filloi të japë frytet e veta duke u reflektuar në krijimin e një kulture të re pune dhe në një qëndrim gjithnjë e më proaktiv të punonjësve ndaj klientit.

Cilësia e depozitave dhe kredive ishte fokusi ynë kryesor, dhe kjo është reflektuar në ritmin e rritjes së tyre në 2017, por është punuar intensivisht që Credins të jetë zgjedhja numër një e shqiptarëve për produktet bankare. Sot, Credins ofron një gamë produktesh që mbulon 360 gradë nevojat e individit, institucioneve apo biznesit. Gjatë 2017-s u hodh në treg Mastercard për biznesin në EUR dhe USD si kartë debiti dhe krediti, si dhe Mastercard Gold për klientët Elitë në Credins.

Credins Bank, si një nga bankat përmes së cilës mundësohen pagesat përmes portalit e-Albania, vazhdoi të jetë pjesë dinamike e përmirësimeve të platformave të pagesave që ofrohen nga institucionet qendrore e lokale. Credins renditet si një nga mbështetësit më të mëdhenj në fushën e përgjegjësisë sociale duke kontribuar përmes donacioneve dhe sponsorizimeve në shumë aspekte sociale, infrastrukturore, institucionale, kulturore dhe në ambient. Prej dy vitesh, Credins Bank i është bashkëlidhur nismës së Shoqatës Shqiptare të Bankave për të prezantuar së bashku me raportin e përgjegjësisë sociale dhe kontributin që jep në përmbushjen e Objektivave për një Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG) të Kombeve të Bashkuara.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2018?

Fokusi ynë mbetet kënaqësia e klientit e, në këtë kuadër, parashikojmë investime të rëndësishme në integrimin gjithnjë e më shumë të teknologjisë në shërbimet bankare. Sfida teknologjike në shërbimet bankare është shumë e madhe pasi nuk mjafton investimi, por ka një kontekst rregullator dhe ligjor të komplikuar, si dhe një konkurrencë në rritje nga institucionet jo banka. Por është një domosdoshmëri që brezi aktual konsumator e ka prioritet dhe ne, si bankë, synojmë të propozojmë zgjidhjet tona.

Gjatë vitit 2018, gjithashtu pritet finalizimi i disa investimeve në bazën e të dhënave, që do të sjellin analiza më cilësore të të dhënave të klientëve dhe orientim më të saktë të produkteve drejt nevojave reale të klientit. Krijimi i një portofoli të ekuilibruar midis korporatave dhe bizneseve të vogla, mikro dhe agro, përmirësimi i strukturës së të ardhurave duke ekuilibruar të ardhurat nga interesi dhe ato nga komisionet, ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë në fokus të zhvillimit të biznesit.

Banka ka marrë licencën e Brokerit nga AMF dhe synojmë që ky aktivitet i ri të fillojë të japë rezultatet e para në gjysmën e dytë të 2018-s. Ndërtimi i një organizate të shëndetshme, përmirësimi i vazhdueshëm i sistemeve dhe teknologjike dhe fuqizimi i stafit, gjithashtu bëjnë pjesë në planin ambicioz të bankës për vitin 2018. Duke e parë vitin 2018 në perspektivën e 15 viteve aktivitet, siç e kam përmendur dhe në një intervistë të mëparshme, kemi të gjitha arsyet për të besuar se planet tona dhe perspektiva e rritjes u përgjigjen pritshmërive të themeluesve, aksionerëve, stafit dhe klientëve tanë.

Banka e Shqipërisë ka prezantuar së fundmi një plan masash për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Si e vlerësoni këtë plan masash, sa efektiv do të jetë ai dhe çfarë duhet bërë për të ulur përdorimin e euros në vend?

Gjatë viteve të fundit, Credins Bank ka synuar të ketë një balancim mes tërheqjes së fondeve në monedha të ndryshme dhe në investimin e tyre nëpërmjet dhënies së huave në këto monedha. Njëkohësisht për bankën ka qenë e rëndësishme zbutja e ekspozimit ndaj riskut indirekt të kredisë si pasojë e kursit të këmbimit, edhe duke rekomanduar marrjen e huave nga klientët në monedhë të njëjtë me të ardhurat e tyre, ose në raste të tjera në konvertimin e huave ekzistuese në Euro drejt monedhës vendase. Kjo gjë shfaqet në një nivel më të ulët të Credins Bank ndaj këtij ekspozimi në raport me të dhënat e publikuara, si për kreditë dhe për depozitat që ka gjithë sistemi bankar vendas.

Në këto kushte vlerësohen të rëndësishme masat përtej sistemit bankar, në sistemin ekonomik të vendit, ku parësore është pjesa e informalitetit dhe nxitja e përdorimit të monedhës vendase në pjesën dërrmuese të transaksioneve brenda vendit. Fryma e përgjithshme e indeksimit të gati gjithë mallrave të tregtuara me pakicë në monedhën europiane, veçanërisht ato direkte nga importi, drejt një indeksimi vetëm në monedhën vendase, do të japë një ndihmesë të rëndësishme në kërkesën e lartë për euro që ekziston tashmë në tregun shqiptar.

Njëkohësisht masat për informimin e klientelës së bankave rreth risqeve të ekspozimit nga luhatjet e kursit të këmbimit janë një ndihmesë në ndërgjegjësimin dhe udhëzimin drejt një investimi më të sigurt. Kjo masë është ndjekur nga Credins Bank, si pjesë e informimit dhe transparencës ndaj publikut, duke i parashtruar në formë të detajuar në marrëveshjet me klientët, dhe në mënyrë të ndjeshme drejtpërsëdrejti në dialogun e përditshëm në këshillimin që ofron banka për gjithë klientët e saj.

 

Flet z. Silvio Pedrazzi, CEO i Intesa Sanpaolo Bank Albania

Pikë reale kthese për industrinë bankare

 

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2017 dhe pritshmëritë për 2018?

Në opinionin tim, ecuria e sistemit bankar në 2017-n, pas shumë vitesh përpëlitje, ka qenë më shumë sesa e kënaqshme. Më në fund, ne pamë një ndikim më të ulët të provigjioneve të kredisë dhe fluks më të ulët të kredive të reja me probleme. Kjo është e rëndësishme për dy arsye: Së pari, cilësia më e lartë e portofolit të kredive forcon përfitueshmërinë e bankës; së dyti, si rrjedhojë, bankat ndihen më konfidente për mundësitë e reja të huadhënies.

Këto rrethana, të kombinuara me skenarin makroekonomik pozitiv si të brendshëm ashtu dhe të jashtëm, mund të konsiderohen si një pikë reale kthese për industrinë bankare. Nëse një situatë e tillë do të vazhdojë gjithashtu në 2018-n, unë realisht mendoj që do të kemi të gjitha parakushtet për një vit me aktivitet të mbarë.

Sa i përket bankës sonë, dua të theksoj se Intesa Sanpaolo ka pasur një aktivitet shumë të mirë. Ne i kemi arritur gjithmonë objektivat tanë për sa i përket rritjes dinamike, zgjerimit të kredisë, reduktimit të portofolit të NPL-ve, që është tashmë shumë më poshtë sesa mesatarja e sistemit. Aktualisht, ne kemi konstatuar përmirësime të mëtejshme edhe në tre muajt e parë të vitit dhe në dritën e këtyre zhvillimeve, kam shumë besim për të ardhmen. Pa dyshim, shpresa është që ekonomia e Shqipërisë do të vazhdojë të rritet; siç ju e dini, performanca e bankave është gjithnjë shumë e varur nga cikli ekonomik.

Banka e Shqipërisë ka prezantuar së fundmi një plan masash për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Si e vlerësoni këtë plan masash, sa efektiv do të jetë ai dhe çfarë duhet bërë për të ulur përdorimin e euros në vend?

Unë bie dakord që niveli i “euroizimit” në Shqipëri është shumë i lartë, edhe në krahasim me shtetet fqinjë, duke shkaktuar një sërë zhvillimesh, që duhet të menaxhohen me kujdes nga autoritetet. Lidhjet e thella me shumë ekonomi europiane, si Italia dhe Greqia, fluksi ende domethënës i remitancave po ashtu dhe niveli i Investimeve të Huaja Direkte e kanë bërë përdorimin e euros shumë të lartë, duke krijuar disa shtrembërime, që patjetër duhet të korrigjohen.

Pasojat kryesore mund të jenë reduktimi i efektivitetit të politikës monetare, norma më e lartë e interesit në monedhën vendase, si dhe luhatshmëri më e lartë në kursin e këmbimit të monedhave; masat që janë zbatuar tashmë janë një përpjekje për të adresuar çështjet e theksuara. Megjithatë, sipas mendimit tim, rrënjët e problemit janë, nga njëra anë, qëndrimi i shqiptarëve për të mbajtur kursimet e tyre në euro (pavarësisht tendencës konstante të zhvlerësimit të euros ndaj lekut) dhe, nga ana tjetër, pjesa e lartë e pagesave të brendshme, që kryhen në valutë të huaj.

Në këtë këndvështrim, mund të ketë më shumë veprim për të ndryshuar sjelljet e tilla duke vepruar në dy drejtime: përmirësimin e edukimit financiar të qytetarëve dhe detyrimin e përdorimit të monedhës vendase në sistemin lokal. Është për t’u habitur që individët preferojnë të mbajnë depozitat e tyre në Euro që është e nënçmuar, me normë interesi zero, ndërsa instrumentet financiare në lekë ende gëzojnë një kthim shumë interesant. Përfundimisht, le të mos harrojmë se jemi pranë sezonit të verës kur, si gjithmonë dhe në varësi nga hyrjet shtesë të parave, p.sh. remitancat dhe turizmi, monedha vendase ka tendencë të vlerësohet më tej.

Ju përmendët që Banka Qendrore duhet të kishte marrë masa më të forta. Çfarë veprimesh duhet të ndërmerren?

Banka Qendrore mund të ndërhyjë vetëm në fusha të kufizuara; Dua të them se institucionet e tjera mund të luajnë një rol edhe më të rëndësishëm, duke aktivizuar një gamë më të gjerë veprimesh. Ka shumë mënyra për të nxitur përdorimin e monedhës vendase, duke shfrytëzuar gjithashtu trajtimet e diferencuara fiskale për investimet financiare dhe për transaksionet që nuk janë bërë në monedhën vendase. Në fund të fundit, do të ishin qytetarët që do të zgjidhnin bazuar në lehtësinë e perceptuar.

Cilat janë sfidat e sistemit bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Unë besoj se në skenarin afatshkurtër, bankat duhet të ndjekin një model biznesi të qëndrueshëm dhe të rrisin nivelet e tyre të përfitueshmërisë; në terma praktikë, kjo do të thotë të reduktojnë më tej kostot operacionale, të zgjerojnë burimet e të ardhurave ndërsa përmirësojnë cilësinë e portofolave të huave.

Në afatin e mesëm, shoh dy tendenca kryesore makro që ndikojnë në këtë industri: Mjedisi Rregullator dhe Revolucioni Dixhital.
Sa i përket çështjes së parë, skenari pas krizës është karakterizuar nga futja e një numri të madh të rregulloreve të reja, që kryesisht synonin zvogëlimin, menaxhimin dhe monitorimin më të mirë të rreziqeve të marra nga bankat. Këto rregullore prekin të gjitha fushat e biznesit bankar me qëllimin përfundimtar për të shmangur goditjet e ardhshme dhe për të mbrojtur klientët.

Është e rëndësishme të theksohet se, kur flas për Rregullatorët, dua të them se e kam për të gjitha autoritetet vendore dhe ndërkombëtare që përcaktojnë Rregullat dhe Standardet; në këtë këndvështrim, është e qartë se industria bankare ka të ngjarë të jetë më e rregullta në mbarë botën. Zbatimi efektiv i masave të parashikuara nga çdo rregullore e re kërkon kosto dhe përpjekje të mëdha.

Duke iu referuar Revolucionit Dixhital, ne tashmë kemi hyrë në një epokë të re, veçanërisht sa i përket banking-ut me pakicë. Çdo bankë duhet të përditësojë modelin e saj të biznesit, duke pasur parasysh se gjeneratat e reja do të kenë qasje në shërbimet bankare, kryesisht ose vetëm nëpërmjet kanaleve dixhitale. Është e parashikueshme domosdoshmëria për të rishikuar praninë e rrjeteve fizike dhe integrimin e të gjitha kanaleve dixhitale, në një platformë të vetme, duke u mundësuar klientëve të marrin gjithë shërbimin, duke përdorur një pikë hyrjeje të vetme. Nuk duhet të nënvlerësohet fakti që teknologjitë e reja lejojnë lojtarë të tjerë të hyjnë në arenë. Gjithnjë e më shumë banka do të përballen me kosto jashtëzakonisht të larta për t’u përshtatur me realitetin e ri.
Si parakusht, për të mbështetur kostot e pritura, është niveli i përshtatshëm i përfitueshmërisë të lojtarëve. Siç u përmend më parë, niveli aktual në Shqipëri, në përgjithësi, nuk është ende i kënaqshëm, duke pasur parasysh gjithashtu se përfitueshmëria është e lidhur ngushtë me madhësinë e biznesit.

Sistemi bankar është përfshirë së fundmi në një valë shitjesh e blerjesh. Si e vlerësoni këtë tendencë dhe si pritet të ndikojë në sistemin bankar?

Në linjë me ato që thashë deri tani, konsolidimi i sistemit bankar është pozitiv dhe një pasojë e natyrshme e ndryshimeve të pritshme të tregut. Pritej prej shumë kohësh dhe tani ai ka filluar. Unë nuk e di kur do të përfundojë, por me siguri, në të ardhmen, ne do të kemi më pak banka, por që do të jenë më të mëdha. Shpresojmë që ky proces do të shkojë edhe në favor të klientëve, të cilët do të jenë më të sigurt dhe duhet të gëzojnë shërbime më të mira, më efikase dhe më pak të kushtueshme. Intesa Sanpaolo Bank Albania është një pjesë aktive e këtij procesi konsolidimi: ne jemi në proces për të integruar Veneto Banka, ky është hapi i parë dhe pastaj do të shohim.

 

Flet drejtori i Alpha Bank, Georgios Papanastasiou

Synojmë veprimtari të gjera biznesi në periudhat në vijim

 

Fokusi kryesor për 2018 do të jetë zbatimi i duhur i reformave ndaj informalitetit, që konsiston kryesisht në deklarimin e një bilanci të vetëm nga bizneset dhe që synojnë reduktimin e mëtejshëm të raportit të kredive me probleme në të ardhmen dhe deklarimin faktik të pagesave për punonjësit, që synon nxitjen e mëtejshme të kreditimit

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2017?

Ekonomia shqiptare vazhdoi të rritet përgjatë gjysmës së dytë të vitit 2017, edhe pse me një ritëm më të vogël se sa gjysma e parë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.55% në tremujorin e katërt.

Zhvillimet në sistemin bankar ishin në linjë me politikat makroekonomike dhe politikën e kujdesshme mbikëqyrëse. Në dhjetor 2017, Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 16.6%, ndërkohë që raportet e përfitueshmërisë së sektorit, Kthimi nga aktivet (RoA) dhe Kthimi nga kapitali (RoE) ishin respektivisht 1.5% dhe 15.7%, më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Teprica e kredisë, e cila shfaqet e pandryshuar nga viti i mëparshëm, reflekton procesin e fshirjes së kredive të humbura nga bilanci i sektorit bankar dhe një kërkesë ende të brishtë për kredi. Raporti i kredive me probleme ra në 13.2% në dhjetor 2017 (kundrejt 18.3% në dhjetor 2016), duke pasqyruar përmirësimin e veprimtarisë ekonomike, efektet e masave për reduktimin e kredive me probleme, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të bankave për të pastruar dhe për të ristrukturuar bilancet e tyre.

Në fund të 2017-s, Alpha Bank Albania arriti një pjesë tregu prej 5.7%, duke vazhduar financimin e sektorëve dhe projekteve të rëndësishme të ekonomisë, duke mbështetur financiarisht nevojat e ekonomive familjare nëpërmjet shërbimeve cilësore, si dhe mbështetjen e nevojave për financim të qeverisë shqiptare. Në linjë me zhvillimet e sektorit bankar, banka arriti të ruajë pozicionin e kapitalit, Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit prej 19.25%, si dhe ruajti bazën e likuiditetit, nëpërmjet një zgjerimi të kujdesshëm biznesi.

Alpha Bank Albania është një bankë likuide dhe e mirëkapitalizuar, që synon të kryejë veprimtari të gjera biznesi në periudhat në vijim. Portofoli i kredisë shënoi një shtesë modeste krahasuar me vitin e mëparshëm, duke arritur 337 milionë euro, në dhjetor 2017. Gjithashtu, banka ruajti vendin e saj ndër pesë bankat më të mira në tregun e biznesit me pakicë, me 8.20% pjesë tregu në veprimtarinë bankare të biznesit me pakicë.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2018?

Në nivel vendi, ulja e kredive me probleme në 2017, është një zhvillim pozitiv për t’u shënuar, që do të çlirojë burime të angazhuara për drejtimin e kredive me probleme, do të përmirësojë gradualisht perceptimin e sektorit bankar mbi riskun e kredisë dhe eventualisht do t’i japë një nxitje më të madhe rritjes së kreditimit në periudhat në vijim. Megjithatë, në mënyrë që ristrukturimi i kredisë të jetë i frytshëm, procesi duhet të kryhet në mënyrë të kujdesshme, duke u përqendruar në përmirësimin e aftësisë paguese të kredimarrësit si dhe përdorimit të stimujve të duhur për të siguruar ripagesë të rregullt të kredisë.

Sinjalet pozitive, si rritja e kërkesës për kredi në 2017 nga ndërmarrje të mëdha dhe ato të vogla e të mesme, mund të çojnë në zgjerim të mëtejshëm të kreditimit në vitin 2018 për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me qëllime investimi ose kapitali qarkullues. Gjithashtu, një tendencë e ngjashme është parashikuar për kreditë konsumatore dhe ato hipotekore.

Për vitin 2018, Alpha Bank Albania do të vazhdojë të forcojë praninë e vet në sistemin bankar, duke mbështetur nevojat e ekonomive familjare dhe duke ofruar shërbime financiare të personalizuara për bizneset. Ne do të vazhdojmë të promovojmë shërbimet bankare jo-cash, nëpërmjet bashkëpunimit ekskluziv me marka prestigjioze ndërkombëtare për sa u përket produkteve të kartave dhe gjithashtu, duke ofruar shërbime cilësore me konsumatorin në qendër, nëpërmjet rrjetit të gjerë të ATM-ve në të gjithë vendin, si dhe platformës në web dhe celular (për sistemin Android dhe iOS).

Banka e Shqipërisë ka prezantuar së fundmi një plan masash për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Si e vlerësoni këtë plan masash, sa efektiv do të jetë ai dhe çfarë duhet bërë për të ulur përdorimin e euros në vend?

Procesi i de-euroizimit është nisur nga Banka e Shqipërisë, me synimin e rritjes së përdorimit të monedhës vendase. Ky është një proces afatgjatë, i cili do t’i japë rezultatet në një kohë të mëvonshme dhe ne besojmë se, nën udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë, ky tranzicion do të jetë i qetë. Alpha Bank Albania mirëpret çdo nismë që synon të forcojë monedhën vendase, ndaj banka përgjatë 2017-s ka hedhur në treg produkte konkurruese në Lek. Gjithsesi, ne kemi vënë re se klientët janë ende skeptikë për kalimin e depozitave nga Euro në Lek, pavarësisht se normat e interesit janë më të larta në monedhën vendase. Nga ana tjetër, gjatë kohëve të fundit është vënë re se klientët që janë duke aplikuar për kredi, janë më të gatshëm për të kërkuar kredi në monedhën e njëjtë me të ardhurat e tyre, për të mos u ekspozuar ndaj riskut të kursit të këmbimit.

Sistemi bankar është përfshirë së fundmi në një valë shitjesh e blerjesh. Si e vlerësoni këtë tendencë dhe si pritet të ndikojë në sistemin bankar?

Disa grupe të caktuara bankare perceptojnë se, sipas dinamikave aktuale të tregut, blerja ose shkrirja mund të jetë një mundësi e mirë për t’u zgjeruar, për të rritur pjesën e tregut, për të rritur bazën e klientëve, për të përmirësuar mundësitë në ofrimin e financimit dhe për të operuar në një rrjet më të gjerë njësish.

Gjithsesi, këto lloj transaksionesh mund të mbartin ndonjëherë risqe operacionale dhe biznesi, si për shembull për shkak të mospërputhjes së kulturës organizative, përkeqësimit të shërbimit ndaj klientëve dhe perceptimit të bankës, ose edhe çështje të përputhshmërisë. Për këto arsye, Banka e Shqipërisë mbikëqyr dhe monitoron në mënyrë të kujdesshme ndryshimet strukturore ekzistuese dhe ato të mundshme, si dhe konsolidimin e mëtejshëm të sektorit bankar nëpërmjet blerjeve apo shkrirjeve.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Është parashikuar që aktiviteti i sektorit bankar dhe sistemit financiar do të jetë i qëndrueshëm në rritje përgjatë 2018.
Si edhe deri më sot, fokusi kryesor për 2018 do të jetë zbatimi i duhur i reformave ndaj informalitetit, që konsiston kryesisht në deklarimin e një bilanci të vetëm nga bizneset dhe që synojnë reduktimin e mëtejshëm të raportit të kredive me probleme në të ardhmen dhe deklarimin faktik të pagesave për punonjësit, që synon nxitjen e mëtejshme të kreditimit.

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj risqeve të ndryshme është i përmbajtur dhe treguesit kryesorë financiarë, të lidhur me kapitalizimin, likuiditetin dhe përfitueshmërinë mund të përballojnë risqet operacionale në kushte normale dhe të tregojnë fleksibilitet në kushte potenciale të jashtëzakonshme. Për më tepër, tendenca rënëse e kredive me probleme parashikohet të vazhdojë edhe në vitet në vijim.
Gjithashtu, përqafimi i teknologjisë dhe inovacionit do të jetë sfidë për sistemin bankar, që do të nxisë bankat të arrijnë avantazh konkurrues dhe të përmbushin pritshmëritë e klientëve për përvoja të reja të veprimtarisë bankare, si dhe shërbimesh dhe produktesh, në të ardhmen e afërt.

 

Flet Gazmend Kadriu, drejtor i Union Bank

Parësore është struktura e sistemit bankar

 

Sfida, absolutisht më e rëndësishmja, është elementi i strukturës së sistemit bankar, përfundimi i këtij procesi të ristrukturimit. Çfarë sistemi bankar do të kemi pas një, dy apo tre viteve dhe kjo do të jetë një përcaktuese e fortë, pasi zhvillime të tilla kanë efekt, që nuk jepet për gjashtë muaj apo një vit, por më vonë.

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe bankës suaj në 2017-n?

Sistemi bankar, edhe këtë vit, e kreu detyrën e vet, shënoi një rritje pozitive të depozitave dhe kredive, si dhe rezultoi me fitimin nga veprimtaria e tij. Shumë shpesh, në opinion nënçmohet elementi i fitimit, madje profitabiliteti i bankave shihet si një gjë e dëmshme, por në fakt është gjë pozitive, sepse inkurajon zhvillimin dhe forcimin më tej të sistemit bankar, përfshirë edhe zgjerimin e aktivitetit të tij. Kjo është një gjë pozitive, jo vetëm për sistemin bankar, por edhe për shtetin, pasi prej vitesh sistemi bankar i dhuron shtetit një mungesë të problemeve dhe kokëçarjeve.

Sistemi bankar nuk është problematik në vend dhe kjo është një prej detyrave të rëndësishme të tij. Nga ana tjetër, në kryerjen e detyrës së sistemit bankar, mund të thuhen rezerva sa i përket ritmit të rritjes së kreditimit, sepse Shqipëria me të gjithë parametrat, sidomos për sa i përket volumit të kreditimit ndaj GDP, është më poshtë se sa duhet të jetë, në krahasim me ritmet e rritjes së ekonomisë. Prej kohësh, ritmi i rritjes në këtë drejtim nuk është aq i lartë sa e kërkon situata. Në tendencën e kreditimit të ulët, një pjesë e problemit mund të jetë në anën e ofertës, por duket qartë që më shumë është problemi në anën e kërkesës së kredisë.

Sa i përket Union Bank, në fillim të vitit të kaluar prisnim që 2017-a të ishte vit edhe më i mirë dhe kështu ndodhi. Vazhdojmë me ritmet e rritjes dyshifrore në aktivitetin e bankës, dhe me realizimin e një fitimi dyshifror krahasuar me kapitalin e angazhuar në bankë. Kështu realizojmë objektivat tanë, që edhe të rritemi. Që rritja të jetë e qëndrueshme, duhet që edhe kapitali të zgjerohet. Ne i realizuam të dyja objektivat, si atë të rritjes së aktivitetit të bankës, ashtu dhe të kthimit nga kapitali.

Si e prisni ecurinë e sistemit bankar dhe bankës suaj për vitin 2018?

Sa i përket sistemit bankar, pres që ai përsëri do ta kryejë detyrën e vet, që të jetë një sistem stabël, që të mos i krijojë kokëçarje shtetit, që do ta kryejë funksionin e vet primar, por viti mund të jetë sfidues për arritjen e ritmeve të rritjes.

Mendoj dhe shpresoj se, përsëri, sistemi bankar do ta gjejë rrugën dhe do të kemi rritje në dy komponentët kryesorë. Do të vijojë trendi i ritmit të rritjes, sado i vogël, por përsëri do ta kemi një rritje. Megjithatë, ka disa faktorë që mund ta shtyjnë sistemin bankar të lëvizë në drejtim të kundërt. Nga njëra anë, në kahun e depozitave, kam pak frikë se nisma e de-euroizimit mund të sjellë dekurajim të rritjes së depozitave në valutë që vijnë zakonisht nga emigracioni. Kjo mund të vijë si rrjedhojë e uljes së mëtejshme të normave të interesit, por edhe në një lloj fryme që sikur nuk janë të mirëpritur.

Si rrjedhojë mund të ketë një stepje të emigrantëve në sjelljen e fondeve dhe kjo mund të sjellë ulje të depozitave në valutë, të cilat edhe vitin e kaluar u rritën më shumë sesa depozitat në lek. Mund vetëm të shpresojmë të ketë një konvertim të tyre dhe rritje të depozitave në lekë. Kjo është një pikëpyetje e cila mund të realizohet ose jo.

Nga ana tjetër, procesi i kreditimit mbi pasqyrat e deklaruara te Tatimet, në njëfarë forme vështirëson dhe stigmatizon aksesin e kompanive të vogla ndaj kredisë, të cilat zakonisht kanë problemin jo vetëm të çështjes së evazionit fiskal, por shpesh dhe të një kompetence më të vogël për prodhimin e pasqyrave financiare të mira dhe të sakta. Dhe ky element i privimit të një sektori që nuk është edhe aq i vogël, mund të sjellë vështirësi në rritjen e kreditimit. Kjo do të varet edhe nga fakti se sa aktiviteti kreditues i bankave do të mund të zhvendoset te kompanitë që kanë pasqyra të mjaftueshme të mira që ta realizojnë këtë.

Në Union Bank, edhe për vitin 2018, presim që ai të jetë më i mirë, ky është viti i katërt radhazi, në të cilin ne arrijmë rezultate edhe më të mira. Pres që edhe 2017-a të mbyllet me një rritje dyshifrore si të aktivitetit tonë, të kredive dhe depozitave, dhe njëkohësisht të arrijmë edhe kthimin dyshifror të kapitalit.

Si e vlerësoni strategjinë e procesit të de-euroizimit? Çfarë efektesh do të ketë?

Si një ish-punonjës i një bankë qendrore (e rajonit), në përgjithësi e di se me çfarë serioziteti vepron një bankë qendrore, nivelin e lartë të profesionalizmit, të seriozitetit me të cilin përgatiten politikat. Ata kanë avantazhin që kapin më mirë sentimentin e tregut nga të gjithë lojtarët e tregut, shohin më mirë edhe përvojat ndërkombëtare dhe përfitojnë jashtëzakonisht shumë edhe nga kontaktet që kanë me institucionet si FMN, Banka Botërore etj., që i japin një rol të rëndësishëm konsultativ në mjaft drejtime, ekonomisë së vendit. Si rrjedhojë, ata kanë gjithmonë një avantazh në caktimin e masave. Prandaj, nuk dyshoj se ky është një sistem i masave që është i pjekur mirë dhe që është menduar që të jetë i mirë.

Efektet do të duhen të shihen. Nga njëra anë, sepse të gjithë ne urojmë dhe dëshirojmë që të rritet forcimi i rolit të lekut, valutës kombëtare në ekonominë tonë. Por, nga ana tjetër, përdorimi i valutës së huaj në ekonominë kombëtare nuk ka qenë rezultat i ndonjë kompleksi masash, nuk ka pasur VKM apo rregullore të Bankës Qendrore që ka nxitur përdorimin e euros. Shumë interesante është se si Shqipëria u konvertua nga dollari në euro, pasi nuk kishte ndonjë organ që e mori këtë vendim dhe e drejtoi. Çfarë dua të them është se përdorimi i euros është një gjë që buron nga agjentët ekonomikë dhe kjo për arsye objektive të një ekonomie të vogël dhe të hapur, me një komponent të fortë të emigracionit.

Përdorimi i euros është rezultat i këtyre elementeve objektive. Si rrjedhojë, masat që tentojnë që ta ndryshojnë, ose që e shtyjnë situatën objektive drejt një zhvillimi, mund të rezultojnë nga njëra anë, joefektive, sepse faktorët objektivë janë më të fortë se sa faktorët e vendimmarrjes rregullative, apo qeveritare mbi to. Nga ana tjetër, mund të shkaktohet një dëm më i madh pasi sforcohen agjentët ekonomikë, pasi ky mund të jetë një element që nuk përkon me situatën e tyre objektive.

Prandaj këtu, edhe më shumë, rritet nevoja dhe besimi që Banka Qendrore e di punën e vet, që ajo ka caktuar një plan masash që do të jenë njëkohësisht edhe efektive dhe jo të dëmshme; që do ta ndjekë situatën në vazhdim, pasi ndonjëherë nuk mund të projektohen rezultatet. Masat projektohen, por jo rezultatet. Edhe duke adaptuar politikën, sipas sinjaleve që vijnë nga tregu dhe sipas parametrave të tjerë ekonomikë, patjetër në bashkëpunim edhe me aktorët e tjerë të politikës ekonomike dhe masa të tjera në ekonominë reale, mund të arrihet që të forcohet roli i lekut në ekonomi, pa elementet e dëmshme të sforcimeve jo objektive në këtë treg.

Ka një lëvizje shumë të madhe në treg në procesin e shitblerjes së bankave, si e shihni ju?

Unë e shoh nga njëra anë me pozitivitet, nga ana tjetër me shqetësim. Në kahun pozitiv, këtë mund ta quajmë si rikonstruktim i sistemit bankar, të cilit i bën mirë që një pjesë e bankave që, ose nuk e kanë gjetur veten, ose kanë pasur probleme me sfidat jo të vogla të banking-ut shqiptar, ose për arsye të tjera e kanë humbur vullnetin që të jenë në Shqipëri dhe të jenë aktive, në rritje etj., të zëvendësohen me operatorë të rinj, që kanë synime më optimiste, që duan rritje.

Nga njëra anë, përfitojmë nga konsolidimi, sepse numri realisht i madh i bankave do të ulet në një numër që do të jetë më i mirë për shtetin, por pa cenuar parimin e konkurrencës. Nga ana tjetër, mirë do të ishte që të kishim një strukturë bankare të tillë që, në fund të procesit do të jetë e mirë për vendin, për sistemin bankar. Ana pozitive këtu është që kjo pjesë e bankave, që siç e përmenda më lart, nuk e kanë gjetur veten, ose nuk kanë qenë të pozicionuara mirë, ose kanë hasur vështirësi në adaptimin ndaj shqetësimeve të ekonomisë reale, të zëvendësohen në një formë.

Nga ana tjetër, ka një shqetësim, pasi ritmi është pak më i lartë, sesa do të ishte optimali dhe sistemi bankar ka një nevojë të fortë stabiliteti. Sistemi bankar është një sistem që, nga natyra e vet, është konservativ, tradicional dhe që ndërmjet stabilitetit dhe dinamizmit, më shumë i shkon stabiliteti dhe kujdesi, sesa dinamizmi dhe shpirti sipërmarrës, i marrjes së risqeve, i hyrjes në punë të reja, pra i një orientimi më agresiv në treg. Edhe për shtetin është më mirë që sistemi bankar të jetë më i kujdesshëm, pak më stabël. Këto ndryshime janë më të shpejta se sa një organizëm dhe një trup stabël do t’i preferonte. Nuk kemi se çfarë të bëjmë, sepse bankat vendosin të dalin atëherë kur dalin dhe kush vendos të blejë do të blejë në atë moment.

Momentin nuk mund ta caktojë shteti apo Banka Qendrore. Koincidenca e disa daljeve e bën një proces më të shpejtë, që më jep një element shqetësimi. Rezultatet do të maten pas përfundimit të procesit, se çfarë sistemi bankar do të kemi. N.q.s. ai sistem bankar siguron konkurrueshmërinë dhe sigurinë njëkohësisht, atëherë ne do të dalim me rezultat pozitiv neto nga i gjithë ky zhvillim. Kjo, më së shumti, do të varet nga interesat e blerësve, nga transaksionet që do të ndodhin dhe nga roli kyç i bankës qendrore, pasi ajo vendos se çfarë sistemi bankar do të hyjë, daljen s’e kontrollon, por hyrjen po.

Nisur nga zhvillimet në procesin e de-euroizimit dhe konsolidimit, cilat shihni si sfida të sistemit bankar në të ardhmen?

Pikërisht këto janë sfidat. Për mua, numri një, absolutisht më e rëndësishmja, është elementi i strukturës së sistemit bankar, përfundimi i këtij procesi të ristrukturimit. Çfarë sistemi bankar do të kemi pas një, dy apo tre viteve dhe kjo do të jetë një përcaktuese e fortë, pasi zhvillime të tilla kanë efekt, që nuk jepet për gjashtë muaj apo një vit, por më vonë. Ka shtete, si Kosova, ku të njëjtin ristrukturim të sistemit bankar e bëri në kushtet e interesit të bankave perëndimore për hyrjen për sistemin bankar.

Ristrukturimi i sistemit bankar erdhi me një lloj elementi, si korrigjim i gabimeve të hershme, ku sistemi bankar i Kosovës u lehtësua nga koincidenca e hyrjes së bankave të huaja në treg.
Tani duket se nuk është epoka e hyrjes dhe zgjerimit të bankave të huaja në Shqipëri, prandaj nëse dalim me një sistem bankar jo optimal, nuk do të kemi mundësinë e një procesi të kundërt të korrigjimit të tij. Ndaj, absolutisht parësore është struktura e sistemit bankar. Këtë e shoh si sfidë parësore.

Sfida të tjera ekzistojnë, si de-euroizimi, kreditimi në bazë të pasqyrave financiare reale, si efekt i luftës ndaj evazionit fiskal, të cilat do të sjellin ndryshime, por edhe në ekonominë reale. Përsëri sistemi bankar ndjek ekonominë reale. E kemi për detyrë të jemi ndër sektorët më të mirë të ekonomisë dhe deri tani e kemi realizuar këtë gjë. Do të kisha sfiduar çdokënd që të listojë disa sektorë njëkohësisht, që janë më të mirë se sistemi bankar, me gjithë dobësitë, ineficiencat dhe inefektivitetet që kemi. Kështu që ne do të vazhdojmë të jemi një ndër sektorët më të mirë në ekonominë reale. Mirëpo, nuk mund të shkëputemi aq nga ekonomia reale sa ta bëjmë një diferencë të tillë.

 

Intervistë me znj. Adela Leka, Drejtoreshë e Përgjithshme e bankës ProCredit Shqipëri

Konsolidimi do të sjellë rritje të cilësisë së sistemit bankar

 

Pritet të jetë një vit pozitiv për sistemin bankar. Gjithsesi, faktorë domethënës e që kushtëzojnë këto pritshmëri vazhdojnë të jenë situata politike në vend dhe realizimi i rritjes ekonomike së pritshme. Një element i ri, që mund të ketë ndikime në zhvillimin e përgjithshëm të sistemit bankar, lidhet dhe me ndryshimet në proces dhe të tjera që mund të ndodhin në lidhje me numrin e bankave në sistem.

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2017?

Zhvillimet në sistemin bankar përgjatë vitit 2017 kanë qenë pozitive, me një rritje rreth 2.7% të aktivitetit total, ndërkohë është për t’u shënuar që aktiviteti i kreditimit të ekonomisë nuk ka shënuar rritjet e pritshme, ndërsa rritja vjen kryesisht nga veprimet ndërbankare.

Si rrjedhojë, sektori bankar vazhdon të karakterizohet nga një nivel shumë i lartë likuiditeti, bazuar në strukturën e aktiv-pasiveve, ku depozitat vazhdojnë të jenë burimi kryesor i financimit, ndërsa tepricat e likuiditetit janë të investuara në letra me vlerë dhe depozita ndërbankare, përgjithësisht likuide. Gjithashtu, sistemi bankar vazhdon të karakterizohet nga nivele të larta kapitalizimi, bazuar në ecurinë dhe përbërësit e kapitalit nga një anë dhe ecurinë e aktivitetit kreditues, nga ana tjetër.

Bankat kanë vijuar me procesin e fshirjes së kredive me probleme nga bilancet e tyre dhe gjatë vitit 2017, gjë që ka sjellë uljen e stokut të kredive me probleme. Gjithsesi, rreziku i kredisë ngelet rreziku kryesor ndaj të cilit sistemi bankar është i ekspozuar.
Për sa i përket përfitueshmërisë, viti 2017 ka shënuar zhvillime shumë pozitive në nivel sistemi, duke rezultuar në një përfitueshmëri shumë më të lartë krahasuar me një vit më parë.

Për bankën ProCredit, 2017-a ka qenë një vit pozitiv, si për sa i përket konsolidimit të strategjisë sonë të biznesit për klientët SME, ashtu edhe në prezantimin e konceptit të ri “Direct Banking”, dedikuar për klientët tanë Individë. Gjatë këtij viti kemi mbështetur realizimin e investimeve të shumta në sektorë të rëndësishëm për ekonominë, siç janë prodhimi, projekte miqësore me mjedisin dhe të eficencës së energjisë. Zhvillim pozitiv kemi pasur për sa i përket rritjes së total portofolit të kredisë, i cili ka shënuar rritje me rreth 15% krahasuar me një vit më parë. Kemi mbajtur një cilësi të mirë të tij, ku niveli i NPL-së së bankës sonë është nën mesataren e tregut. Me fokusin në investimet “Green”, kemi rritur me 20% këtë portofol, i cili përbën dhe 11% të total portofolit të bankës.

Siç e përmenda dhe më lart, pozitive ka qenë edhe prezantimi i konceptit “ProCredit Bank Direct”, i cili shkon në të njëjtën linjë me ofrimin e shërbimeve bankare nga interneti, pa kufizime, 24/7. Në këtë mënyrë, ne sigurojmë për klientët tanë shërbime bankare që janë në dispozicion të tyre në çdo moment, duke u dhënë fleksibilitet për menaxhimin e llogarive të tyre dhe shërbimeve financiare direkt nga kompjuteri, tableti apo telefonat e tyre celulare. Klientët tanë nuk kanë më nevojë të paraqiten në bankë për të kryer veprime bankare, por mund të menaxhojnë llogaritë e tyre sa herë që dëshirojnë dhe nga kudo që ndodhen.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2018?

Bazuar në pritshmëritë mbi rritjen ekonomike të vendit gjatë vitit 2018, si dhe vazhdueshmërinë e një politike monetare lehtësuese nga ana e Bankës së Shqipërisë, pritet të jetë një vit pozitiv për sistemin bankar. Gjithsesi, faktorë domethënës e që kushtëzojnë këto pritshmëri vazhdojnë të jenë situata politike në vend dhe realizimi i rritjes ekonomike së pritshme. Një element i ri, që mund të ketë ndikime në zhvillimin e përgjithshëm të sistemit bankar lidhet dhe me ndryshimet në proces dhe të tjera që mund të ndodhin në lidhje me numrin e bankave në sistem.

Banka ProCredit është e përkushtuar në inkurajimin e klientëve të saj, për të përdorur shërbime bankare moderne që sigurojnë eficencë dhe që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e biznesit, duke sjellë më shumë fleksibilitet, kosto më të ulëta dhe kohë më të shpejtë në marrjen e këtyre shërbimeve. E ndërsa jemi fokusuar në zhvillimin e infrastrukturës së shërbimeve elektronike, një nga qëllimet kryesore është të ofrojmë për klientët tanë shërbime që plotësojnë kritere të rëndësishme, siç janë shpejtësia në plotësimin e nevojave pa kufizime në kohë, transparenca dhe thjeshtësia.

Si e vetmja bankë gjermane në Shqipëri, e specializuar për bizneset SME dhe që synon të ofrojë standarde europiane shërbimi për klientët e saj, në nivel grupi punojmë për të sjellë platforma elektronike të përmirësuara që përfshijnë përmirësim të shërbimeve aktuale, apo shtim të veçorive të ndryshme, ashtu edhe prezantim shërbimesh të reja. Në këtë kontekst planifikojmë që gjatë 2018-s të ofrojmë për klientët tanë platforma elektronike të përmirësuara për e-banking dhe mobile banking, duke siguruar për klientët tanë më tepër shërbime që kryhen online. Shërbimet tona elektronike janë të dizenjuara posaçërisht për të ofruar fleksibilitet maksimal dhe kursim kohe, të përshtatshme për përdorim nga kompjuteri apo pajisjet mobile.

Gjithashtu, në përmbushje të misionit të bankës ProCredit për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të bizneseve që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e ekonomisë së vendit, në bashkëpunim me BERZH dhe Komitetin Europian për fondet respektive të garancisë, synojmë që, gjatë vitit 2018, të vazhdojmë mbështetjen ndaj kompanive vendase për të implementuar teknologji të reja dhe produkte inovative.

Banka e Shqipërisë ka prezantuar së fundmi një plan masash për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Si e vlerësoni këtë plan masash, sa efektiv do të jetë ai dhe çfarë duhet bërë për të ulur përdorimin e euros në vend?

Ashtu siç është komentuar dhe gjatë fazës së hartimit të planit të masave, një pjesë e të cilave tashmë kanë hyrë në fuqi dhe po zbatohen për sistemin bankar, është shumë e rëndësishme që ato të shoqërohen dhe me masa shtesë, të cilat duhet të synojnë: 1. Rritjen e besimit të depozitorëve ndaj monedhës LEK dhe stimulimin e kursimit në këtë monedhë; 2. Kufizimin e marrëdhënieve tregtare brenda vendit për të cilat shlyerja bëhet në valutë të huaj; si dhe 3. Në kushtet kur fenomeni i pikës 2 nuk mund të eliminohet tërësisht, është e rëndësishme që këto flukse të kanalizohen në platforma klerimi lokale për valutën.

Sistemi bankar është përfshirë së fundmi në një valë shitjesh e blerjesh. Si e vlerësoni këtë tendencë dhe si pritet të ndikojë në sistemin bankar?

Nëse analizojmë potencialin e tregut tonë mund të themi me siguri se largimi i disa grupeve bankare nga vendi ynë siguron konsolidimin e sistemit tonë bankar. Blerja e këtyre bankave nga grupe bankash ndërkombëtare, me ambicie për t’u rritur në tregun shqiptar, siguron një numër më të vogël bankash dhe rritje të cilësisë së sistemit bankar. Duke qenë më të mirëkapitalizuara, potencialisht kjo mund të sjellë një rritje të konkurrencës midis bankave dhe kapacitetit për të marrë më tepër risk në financimin e ekonomisë, por që gjithsesi kjo mbetet dhe në varësi të politikave dhe strategjive të secilës bankë. Gjithashtu, përpara shtrohen dhe sfida të reja për bankat e tjera, në kuadër të përmirësimit të eficencës së tyre, në mënyrë që të sigurojnë përmbushje të objektivave të tyre të biznesit, përfitueshmëri dhe qëndrueshmëri në afatgjatë.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Sfidat e sistemit bankar janë të lidhura me ecurinë e përgjithshme të ekonomisë së brendshme dhe zhvillimin e prodhimit vendas, si themel për një zhvillim të qëndrueshëm. Një ecuri pozitive do të sillte impaktet e veta në rritjen/gjenerimin e kërkesës së re, si dhe uljen e nivelit të kredive të këqija. Gjithashtu, qëndrueshmëria e borxhit publik dhe situatës politike do të krijonin një klimë të përshtatshme për sa më lart.

 

Flet Bozhidar Todorov, CEO i Fibank Albania

Hapja e negociatave me BE-në do të ketë ndikim jashtëzakonisht pozitiv në Shqipëri

 

Ky ishte viti i parë që nga kriza që, sistemi bankar shënoi zhvillime pozitive në çdo aspekt të performancës bankare, fitime më të larta, përshpejtim të rritjes së kredisë dhe ulje të kredive me probleme. Ajo që e bën këtë tendencë edhe më domethënëse është fakti që pjesa më e madhe e bankave iu bashkuan kësaj tendence pozitive

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2017?

Ky ka qenë një vit shumë i mirë për sistemin bankar dhe kjo është në vazhdimësi të sinjaleve që ne pamë në 2-3 vitet e fundit. Mund të themi që ky ishte viti i parë që nga kriza që, sistemi bankar, shënoi zhvillime pozitive në çdo aspekt të performancës bankare, fitime më të larta, përshpejtim të rritjes së kredisë dhe ulje të kredive me probleme. Ajo që e bën këtë tendencë edhe më domethënëse është fakti që pjesa më e madhe e bankave iu bashkuan kësaj tendence pozitive.

Sa i përket Fibank Albania, jam krenar të them që ishim një prej bankave më të suksesshme dhe kemi arritur fitimin më të lartë në histori, duke i kaluar 3 milionë euro. Me shumë të ngjarë, ne kemi regjistruar rritjen më të lartë të huadhënies në sistemin bankar, me më shumë së 30%. Mbi të gjitha, ne gjithashtu kemi ruajtur dhe përmirësuar likuiditetin dhe kapitalizimin.
Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të përpjekjeve të ekipit tonë lokal, por edhe mbështetjes dhe angazhimit të bankës tonë mëmë – Fibank Bulgaria, banka e tretë më e madhe në Bullgari. Në sajë të rritjes së shpejtë të ekonomisë bullgare, Fibank ka shënuar ecuri shumë të mirë gjatë viteve të fundit dhe kjo i ka dhënë edhe më shumë hapësirë që të fokusohen në tregjet e huaja, ku Fibank është e pranishme, përfshirë Shqipërinë.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2018?

Besoj dhe dëshiroj që 2018-a të jetë një vit edhe më i mirë, jo vetëm për bankat, por në përgjithësi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Siç mund ta dini, këtë vit, Bullgaria mori presidencën e Këshillit Europian dhe presim që brenda mandatit të saj, Shqipëria do të marrë ftesë për të filluar negociatat për t’u bashkuar me BE-në. Pavarësisht të gjitha sfidave të këtij procesi, kjo do të ketë ndikim jashtëzakonisht pozitiv në Shqipëri.
Mund t’ju them nga përvoja ime personale, pasi erdha në Shqipëri në vitin 2007, atë vit kur Bullgaria u bashkua me BE-në se, dallimi në çdo aspekt të jetës, nga ajo kohë deri më tani, është i jashtëzakonshëm.

Lidhur me sistemin bankar, ai është industria më e rregulluar në Shqipëri dhe ka treguar se është i gatshëm dhe ka potencialin e nevojshëm për rritje të mëtejshme dhe mbështetje të rritjes ekonomike, pavarësisht sfidave që lidhen me rrezikun e vendit.
Fibank Albania gjithashtu synon të jetë në krye, teksa kemi treguar që kemi potencial për një rritje të shëndetshme organike dhe për të shfrytëzuar mundësitë në këtë treg. Suksesi ynë e bëri bankën tonë mëmë të sigurt në miratimin e strategjisë ambicioze për vitet e ardhshme, duke synuar rritjen e pjesës së tregut në të gjitha segmentet – kredi, depozita, operacione. Si pjesë e kësaj strategjie, duke filluar nga ky vit, ne do të hapim disa degë të reja dhe po synojmë gjithashtu të rrisim stafin tonë me së paku 20%.

Banka e Shqipërisë ka prezantuar së fundmi një plan masash për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Si e vlerësoni këtë plan masash, sa efektiv do të jetë ai dhe çfarë duhet bërë për të ulur përdorimin e euros në vend?

Euroizimi nuk është një fenomen që ka ndodhur vetëm në Shqipëri, ka shumë raste në të gjithë botën. Kjo është arsyeja pse unë besoj se, institucionet ndërkombëtare dinë se si ta trajtojnë këtë çështje. Banka e Shqipërisë gjithashtu ka ekspertizën e duhur për makroekonominë dhe politikën monetare, në mënyrë që procesi i de-euroizimit të trajtohet në mënyrë profesionale dhe me kujdes.

Masat që kanë të bëjnë me bankat, kanë ndikim të caktuar në rritjen e kostove, por jam i sigurt se të gjitha bankat janë të përgatitura për zbatimin e rregullave të reja. Megjithatë, për të parë efektet e ndryshimeve të fundit, do të duhet pak kohë pasi nuk mund të shihen në afat të shkurtër. Si rrjedhojë është e vështirë të bëhen parashikime.
Ajo që mund të theksoj është se Fibank, si shumica e bankave të tjera, prej shumë vitesh po përpiqet të nxisë kreditimin në lekë. Për shembull, kreditë tona të konsumit, kreditë për biznesin mikro dhe kreditë e vogla hipotekore ofrohen vetëm në lekë.

Sistemi bankar është përfshirë së fundmi në një valë shitjesh e blerjesh. Si e vlerësoni këtë tendencë dhe si pritet të ndikojë në sistemin bankar?

Procesi i konsolidimit, bashkimet dhe blerjet në përgjithësi konsiderohen pozitive për sektorin, sidomos kur tërheqin investitorë strategjikë, me njohuri dhe potencial. Nga ana tjetër, sigurisht nuk është mirë, kur emrat e mëdhenj po largohen nga Shqipëria, siç është rasti i NBG Albania – një bankë shumë e mirë me histori të shkëlqyer.
Ndërkohë, blerjet nuk janë mënyra e vetme për t’u bërë më e madhe. Në vitet e fundit, Fibank Albania është një nga shembujt e rritjes së jashtëzakonshme organike, që dëshmon të jetë një bankë e orientuar drejt klientit, në gjendje të ofrojë shërbime të shkëlqyera dhe vëmendje të veçantë për çdo klient.

Intervistoi: Ornela Liperi

Leave a Reply

Your email address will not be published.