Kryeartikull

Pse Prokuroria nuk e dërgon përgjimin në një institucion shkencor?

Nga Bedri Islami

U bënë gati 10 ditë që filloi historia, për mua fantazmë, e përgjimit të Agron Xhafës, vëllait të ministrit të Punëve të Brendshme me njeriun e quajtur fillimisht si “bashkëpunëtori X”, më pas si “babale” dhe tani i njohur me identitetin e tij, Albert Veliu, pa çka se dje në një kanal televiziv titrat e quanin Arben.

Në harkun e këtyre ditëve janë bërë qindra analiza e komente, sa për asnjë ngjarje tjetër. Babalja i Vlorës u bë i njohur, për disa si dëshmitar hero, që ka ndërruar rrugë, megjithëse po e braktisin edhe të vetët. Salianji deklaroi se të gjithë trafikantët janë njëlloj dhe Babalja është një trafikant i dënuar në Itali dhe një hajdut makinash, i dënuar në Shqipëri.

Në portretin e tij, si njeri dhe si mendësi, nuk ka asgjë interesante.

Vetëm ai e di premtimin që i është bërë nga zyrat shqupase, ashtu si vetëm ai dhe gazetari Olldashi e dinë fare mirë se kush i futi në këtë lojë, edhe pse tani nuk dinë se si të dalin nga loja.

Të mbetur keq, duke ndjerë shijen e katër rrugëve, për të mos thënë më tej, ato po ia hedhin fajin njëri=tjetrit, marramendshëm shpejt, sa që tani askush nuk i del për zot mburrjes së parë: Kush e bëri përgjimin.

Fillimisht u mburr Berisha, përmes thënies së tij “vëllain e Xhafës e kemi përgjuar me kujdes, por nuk e nxjerrim dëshmitarin, se na e vrasin”.

Meqenëse përgjimi është bërë në tetor, thënia e Berishës konfirmohet; Xhafën e vogël e kanë ndjekur 6 muaj me radhë dhe kur nuk kanë gjetur asgjë të dënueshme për të, kanë shpallur këtë “përgjim”, fillimisht me autor selinë shqupase.

Por, pastaj, befas, gjërat ndrushuan. Mbi 75 për qind e njerëzve nuk e besojnë përgjimin. Jo vetëm se njohin ose e dinë se kush është Babalja, dhe më tej, mjerisht, njohën edhe se çfarë brumi përmban gazetari Olldashi, por sepse ishte qepur pa kujdes një histori trishtuese, e marrë, me të cilën synohet të rrëzohet shteti në 26 maj.

Autorësia u bë faj dhe fajin, edhe po të jetë qyrk, nuk e vesh njeri. PD-ja e hodhi poshtë vrulltas, me një frymë, sapo nisi të dalë era. Deputetët promovues thanë se na e sollën. Babalja tha se nuk e di se kush e bëri, ndoshta vetë Agroni. Olldashi tha se e bëri Babalja dhe se ai i kishte vënë një përgjues në trup. Askush nuk do të jetë fajtor.

Olldashin e thirrën një natë pa gdhirë, “eja se të kërkon Babalja, do një intervistë vetëm me ty”.

Përse pa gdhirë?

Çfarë janë këto punë të natës që bëhen gazi i ditës. ka vetëm një shkak: Babalja po përgatitej të ikte, të largohej, të shpallesh hero dhe të merrte strehim politik përmes miqve të Lul Bashës.

Tani të gjithë e dinë se dy njerëz, të qorollepsur nga Salianji dhe të tjerë, u futën në një rrugë budallaqe, ama vetëm për to. Me “përgjimin e tyre” pëdëistët kërkojnë të nxjerrin gështenjat.

Olldashi shkoi edhe më tej: tha se e dorëzoi përgjimin në PD se ishte e besuar, por harroi se përgjimi ishte bërë në tetor të vitit 2017, kur në prokurori qeveriste ende banda e Llallës, shërbëtore e bindur e Berishës. Largimin e Llalës opozita e shpalli si ditë zije kombëtare, veçse ishin veshur me ngjyra.

E gjithë kjo vërvitet së pari ndaj një pyetje: ishte përgjim i saktë apo një sajesë ordinere?

Pa u bërë e qartë kjo, asgjë nuk lëviz si duhet nga vendi.

“Përgjimi” ende nuk është dërguar për ekspertizë.

Pse vonon Prokuroria e Shtetit?

Cili segment në prokurorinë e Krimeve të Rënda po e pengon këtë?

Mund të vazhdohej njëherësh, në pyetjet e dëshmuesve, qofshin edhe të rremë, dhe në saktësimin e përgjimit.

Mos qoftë kurrë e thënë që kjo vonesë t’i përngjajë asaj nate të 21 janarit, kur një deputet i sotëm i PD-së fshinte kamerat e Kryeministrisë për të mbuluar vrasjet.

Mos qoftë e thënë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button