MaqedoniaRajoni

Von der Leyen në Shkup: Shfrytëzoni rastin e dhënë me referendum

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, deklaroi sot në Shkup se vendi i saj do të hapërojë bashkë me Maqedoninë në rrugëtimin e kësaj të fundit drejt anëtarësimit në NATO.

Në kuadër të vizitës së saj në Maqedoni, mëngjesin e sotëm von der Leyen u prit nga homologia e saj nga Maqedonia, Radmilla Shekerinska, ndërsa në konferencën e përbashkët për media të cilës i parapriu një takim i delegacioneve të të dyja vendeve, ajo tha se përmes 200 ushtarëve të Maqedonisë të trajnuar në Gjermani, dy vendet tona kanë çuar raportet në një nivel më të lartë.

Avancimi i perspektivës evropiane të vendit tuaj, edhe më shumë do të thellojë lidhjet tona, porositi ministrja gjermane, duke siguruar ministren Shekerinska se gëzon mbështetjen e plotë të qeverisë së saj.

“Së shpejti do të ketë një referendum, dhe jam në dijeni se ka të bëjë me emrin e shtetit tuaj, por ka lidhje edhe me kulturën, identitetin dhe historinë tuaj, megjithatë, ne shohim një shans të jashtëzakonshëm në këtë referendum. Kjo është një shansë, prandaj shpresoj që qytetarët e vendit të marrin pjesë aktive, ndërsa nga përvoja jonë me bashkimin e dy Gjermanive, mund të them se këto janë raste unikate që duhet shfrytëzuar”, tha ministrja gjermane duke shtuar se Gjermania dëshiron të ndërtojë një Evropë bashkë me Maqedoninë.

Ministrja Shekerinska, nga ana e saj, rikujtoi mysafiren gjermane për zhvillimet të cilat i kanë paraprirë referendumit dhe shprehu bindjen se referendumi do të jetë i suksesshëm, për çka vendi tashmë ka filluar përgatitjet për bisedimet paraqasëse me NATO-n.

“Nga momenti kur ne morëm ftesën për në NATO, krijuam ekipe për përgatitjen e institucioneve për këto negociata paraqasëse. Ekipet e NATO-s tashmë ishin në vendin tonë për çka në fund të këtij muaji do të mbahen takimet me përfaqësuesit e Aleancës së NATO-s në Bruksel. Bisedimet po zhvillohen sipas planit. Nuk shohim ndonjë çështje e cila mund të ngadalësojë procesin”, tha Shekerinska.

Ajo theksoi se Maqedonia do të jetë e përgatitur për të nënshkruar Protokollin për anëtarësim në NATO, ndërsa ajo çfarë e pret vendin në plan politik, duhet të konfirmohet më 30 shtator, në referendumin i cili do të jetë dëshmi se kemi përkrahjen e plotë në rrugën drejt këtij procesi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button