Ekonomia

Britaniku “Thomas Cook”, ambicie për të investuar në sektorin e turizmit

Investitorët e huaj po zgjerojnë interesin për tregun shqiptar tashmë jo vetëm në sektor potencial të ekonomisë por edhe në turizëm.
Kompania e mirënjohur britanike Thomas Cook, e njohur për ofrimin e shërbimeve në destinacionet më atraktive turistike, do të jetë prezente edhe në Shqipëri duke filluar nga pranvera e ardhshme.
Anders Lindberg, menaxher i Thomas Cook, në një intervistë për ATSH-në, u shpreh optimist për të investuar në sektorin e turizmit në Shqipëri dhe vuri theksin në zhvillimin e një turizmi elitar në vendin tonë për vetë resurset e potencialet që mbart Shqipëria.
“Këtë herë kam ardhur – në fakt këtu kam ardhur shumë herë – por sot jam këtu për të kremtuar suksesin, për faktin që kompania “Thomas Cook” vendosi të vinte edhe në Shqipëri. Ky është tregues cilësie, si nga ana e qeverisë, por edhe nga ana jonë, pasi ia dolëm t’i bindnim të vinin këtu. Së dyti, në momentin që kompania britanike “Thomas Cook” vendos të hedhë hapin tjetër të radhës në një projekt privat, unë nuk do të jem thjesht këshilltar, por do të sjell këtu edhe paratë e mia”, Lindberg.
Këto para, theksoi ai, do të ndihmojnë për të qenë pjesë e një mali të vogël në të ardhmen në Nivicë, ku ne do të mund të ofrojmë gjithashtu edhe akomodim luksoz të klasit të lartë për vizitorë, të cilëve u pëlqejnë shëtitjet dhe natyra. Kjo është arsyeja përse jemi sot këtu, deklaroi ai.
Lindberg tha se “jam tepër optimist për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, por kam edhe një këshillë për ju”.
“Për ju nuk është problem që të tërhiqni sa më shumë turistë. Problemi dhe sfida juaj është që të tërhiqni turistët e duhur. Ju nuk duhet thjesht të tërhiqni turistë, që vetëm sa e shkatërrojnë vendin tuaj dhe nuk shpenzojnë para. Ju duhet të përpiqeni të tërhiqni intelektualët, njerëz që kanë interes për kulturën tuaj dhe turistë që munden dhe duan të shpenzojnë. Ju duhet ta konsideroni vendin si një vend me cilësi, që ka diçka cilësore për të ofruar sa i takon turizmit”, u shpreh ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button