Home / Sporti / FSHF refuzon Serbinë: Duam tifozë në stadium

FSHF refuzon Serbinë: Duam tifozë në stadium

Kërkohen biletat dhe të garantohet siguria e tifozëve shqiptarë

tifozet shqiptareFederata Shqiptare e Futbollit dëshiron që të ketë mbështetjen e tifozëve shqiptarë në stadiumin e Beogradit për takimin Serbi-Shqipëri. Ky është përfundimi i dalë nga mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, i cili ka hedhur poshtë kërkesën e palës serbe për zhvillimin e ndeshjes pa tifozë udhëtues, duke kërkuar njëkohësisht që të merren masa për garantimin e sigurisë së ultrasve shqiptarë që do të udhëtojnë drejt Beogradit për këtë sfidë.

“Komiteti Ekzekutiv vendosi të mos pranojë kërkesën e Federatës së Futbollit të Serbisë, për një marrëveshje bilaterale, sipas së cilës, ndeshjet Serbi–Shqipëri në Beograd dhe Shqipëri-Serbi në Elbasan, të zhvillohen pa praninë e tifozëve miq. FSHF kërkon nga pala serbe, që të pajiset me sasinë e biletave që i takojnë, konform rregullave të përcaktuara nga FIFA dhe UEFA, në mënyrë që ato t’ua shpërndajë tifozëve dhe grupimeve shqiptare, të interesuara për të ndjekur ndeshjen në Beograd. Gjithashtu ajo kërkon marrjen e masave për sigurinë e tyre në stadium dhe jashtë tij”, shkruhet në lajmërimin e publikuar dje nga FSHF pas përfundimit të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv.

Diskutimi rreth udhëtimit të tifozëve shqiptarë drejt Beogradit ka filluar prej disa javësh, i nxitur nga grupimet e ultrasve kosovarë që duan të jenë të pranishëm në këtë sfidë në Beograd. “Plisat” e Prishtinës kanë zhvilluar një takim me sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, duke i kërkuar medoemos që të ishin të pranishëm në stadiumin “Partizan” të Beogradit për të ndjekur ndeshjen. Ata nuk kanë ngurruar që të bëjnë thirrje në rrjetet sociale edhe për tifozë të tjerë që t’u bashkohen në këtë grupim, për të ndjekur kombëtaren shqiptare dhe sipas përllogaritjes, kanë krijuar një grup me 1500-2000 tifozë që do të udhëtojnë në ditën e ndeshjes për në Serbi. Federata Serbe është munduar që të ndalojë praninë e tifozëve të Shqipërisë në stadium, e ndërgjegjshme se ultrasit nacionalistë serbë do të reagonin me slogane fyese dhe mund të krijonin incidente të dhunshme në stadium dhe jashtë tij. Kjo do të sillte pasoja shumë të rënda jo vetëm për kombëtaren e futbollit, por edhe për imazhin e së gjithë Serbisë, pak ditë para vizitës së Kryeministrit shqiptar Rama në këtë vend. Ndaj Federata Serbe i kërkoi zyrtarisht FSHF-së që të ndalonte udhëtimin e tifozëve të saj drejt Serbisë, “nder” të cilin do t’ia kthente në sfidën e dytë mes ekipeve gjatë vitit të ardhshëm në Elbasan. Por Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka menduar se mbështetja e tifozëve shqiptarë në stadium do të ishte një motivim më shumë për kuqezinjtë në fushë, ndaj e ka hedhur poshtë këtë kërkesë, sepse mendon se kjo duhet trajtuar thjesht si ndeshje futbolli, pa ngjyrime të tjera. “KE shpreh bindjen se me pjesëmarrjen e tifozëve, kjo ndeshje dhe në përgjithësi futbolli, nuk humb një dimension shumë të rëndësishëm. Nga ana tjetër, ky institucion beson se duhet krijuar një atmosferë sa më bashkëpunuese, duke e konsideruar ballafaqimin e 14 tetorit, thjesht një ndeshje futbolli, pa etiketime politike e etnike”, shkruhej në lajmërimin e FSHF ku u konfirmua gjithashtu zhvillimi i një miqësoreje Serbi-Shqipëri më 13 tetor mes ish-futbollistëve të dy vendeve.

Serbia

Trajneri i cilëson “të papërshtatshëm” për grupin

Advokat lë jashtë listës

yjet Ljajiç e Subotiç

Grumbullimi i Serbisë për ndeshjet kundër Armenisë dhe Shqipërisë pritet të krijojë shumë polemika, për shkak të listës së publikuar nga trajneri Dik Advokat. Ky i fundit ka vendosur të lërë jashtë dy nga futbollistët më të njohur serbë që aktivizohen në ekipet e mëdha europiane, Adem Ljajiç të Romës dhe Neven Subotiç të Borusia Dortmund. “Mendoj se Subotiç nuk dëshiron të luajë për ekipin kombëtar, por t’i përkushtohet klubit të tij. Gjatë miqësoreve unë pashë se të gjithë lojtarët kanë dëshirë të luajnë për kombëtaren, ndaj nuk dua të prish frymën e grupit. Ljajiç dhe Subotiç janë lojtarë të mirë, por nuk kanë një mentalitet si pjesa tjetër e skuadrës”, shpjegoi Advokat vendimin e tij. Por holandezi u tregua i sigurt se ekipi i tij do të merrte 6 pikë në sfidat ndaj Armenisë dhe Shqipërisë. “Serbia do të fitojë gjithmonë dhe kështu do të ndodhë në dy ndeshjet e ardhshme. Kam shumë besim dhe ndiej se do të jemi të suksesshëm. Jam i lumtur që kemi treguar frymë skuadre, gjë të cilën e kam kërkuar që kur mbërrita këtu. Shqipëria ka një skuadër të fortë në mbrojtje dhe Armenia është e tillë gjithashtu, edhe pse pëlqen pak më shumë të luajë topin. Nuk duhet t’i nënvlerësojmë, pasi janë jashtëzakonisht të rrezikshëm”, tha Advokat.

Lista e Serbisë

Portierë: Vladimir Stojkoviç (Makabi Tel Aviv), Zeljko Brkiç (Udineze), Predrag Rajkoviç (Crvena Zvezda).

Mbrojtës: Dushan Basta (Lacio), Branislav Ivanoviç (Çelsi), Aleksandar Kolarov, Matija Nastasiç (Mançester Siti), Antonio Rukavina (Vijareal), Nenad Tomoviç (Fiorentina), Dushko Toshiç (Gençlerbirligi), Stefan Mitroviç (Fraiburg).

Mesfushorë: Radoslav Petroviç (Gençlerbirligi), Nemanja Matiç (Çelsi), Nemanja Gudelj (AZ Alkmar), Milosh Jojiç (Borusia Dortmund), Zdravko Kuzmanoviç (Inter), Aleksandar Ignjovski (E. Frankfurt), Dushan Tadiç (Sauthempton), Lazar Markoviç (Liverpul), Filip Djuriçiç (Mainz), Zoran Toshiç (CSKA Moskë).

Sulmues: Filip Xhorxheviç (Lacio), Aleksandar Mitroviç (Anderleht), Danko Lazoviç (Partizan Beograd).

Leave a Reply

%d bloggers like this: