Ekonomia

Guvernatori Sejko merr pjesë në mbledhjen e Konstituencës të FMN dhe BB

 Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë këtë fundjavë në Mbledhjen e Konstituencës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), zhvilluar në Valletta, Maltë.

Ky takim mblodhi së bashku guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare të kësaj konstituence, për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore dhe ekonomive përkatëse.

Në këtë mbledhje, Shqipëria përfaqësohej nga zyrtarë të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të kryesuar nga Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, dhe Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike në vend, duke theksuar rolin e rëndësishëm që luan Banka e Shqipërisë në zhvillimin ekonomik të vendit. Politika monetare stimuluese e ndjekur nga banka qendrore ka dhënë një kontribut pozitiv në këtë drejtim. Duke u ndalur në sektorin bankar, Guvernatori Sejko nënvizoi se ai karakterizohet nga nivele të mira likuiditeti, kapitali dhe përfitueshmërie.

“Plani ndërinstitucional i veprimit për reduktimin e kredive me probleme, i ndjekur nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet e tjera, ka dhënë efektet e tij pozitive dhe të dhënat më të fundit tregojnë se niveli i kredive me probleme, deri në fund të vitit 2018, zbriti në 11.1%”- tha Sejko .

Guvernatori u ndal dhe në prioritetet e FMN-së dhe BB-së, si dhe në rolin e rëndësishëm të dy institucioneve në promovimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë të vendeve në zhvillim. Gjithashtu, Guvernatori Sejko u shpreh se procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Bankës Botërore po ndiqet me mjaft interes nga institucionet shqiptare.

Gjatë qëndrimit të tij në Maltë, Guvernatori Sejko dhe Zëvendësguvernatorja e Parë Minxhozi zhvilluan një takim me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Maltës, Mario Vella. Temat e diskutuara ishin sfidat me të cilat përballen sot ekonomitë e vendeve të Konsistuencës si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët në fushën e bankingutqendror.

Shqipërisë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe BB që prej vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën dhe San Marinon.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button