Home / Arte / Film / Festivali i Filmit Shqiptar, në NYC

Festivali i Filmit Shqiptar, në NYC

heroi-320x224Klara Buda

Nga 2 deri më 9 tetor u zhvillua në New York City edicioni i tretë i Festivalit të Filmit Shqiptar, Albanian Film Festival. I themeluar tre vjet më parë, këtë vit festivali, përveç edicionit që sapo u mbyll, do të ketë edhe një edicion tjetër nga 21 deri më 27 nëntor 2014, i cili është pagëzuar si Java e Filmit Shqiptar 2014, në New York (New York Albanian Film Week 2014). Ky copëzim i festivalit erdhi si rezultat i “mosmarrëveshjes” së dy themeluesve të tij, Ariot Myrtaj dhe Mrika Krasniqi, që këtë vit kanë ardhur secili me nga një edicion më vete. Kjo ka sjellë edhe copëzimin e publikut dhe të mbështetësve që, sipas preferencës, marrin pjesë e aderojnë vetëm në njërin prej tyre dhe injorojnë tjetrin. Për komoditet po i quaj Festivali i Tetorit dhe Festivali i Nëntorit për nga koha e zhvillimit të tyre, duke mos dashur të gjykoj, të analizoj apo të hyj në arsyen e këtij zhvillimi. Juria e festivalit përbëhej nga Fadil Berisha, Minos Papas dhe Don Torrance. Këtë vit, të ftuar nderi të Festivalit 2-9 Tetor ishin aktorët e mirënjohur Tinka Kurti dhe Cun Lajçi, të cilët u nderuan me çmim të veçantë. Filmi “Amaneti”, me regji të Namik Ajazit, dhe skenar të Ruzhdi Pulahës, fitoi Çmimin e Regjisë më të Mirë. Filmi “Heroi” fitoi Çmimin e Skenarit më të Mirë, atë të Aktorit më të Mirë (Adriana Morina në rolin dytësor, gruas së Heroit) dhe Çmimin e Filmit më të Mirë të festivalit. Filmi dokumentar me metrazh të shkurtër “Ditëlindja” i Violana Murataj, fitoi Çmimin e Dokumentarit më të Mirë. Çmimi i Filmit të Shkurtër të fiksionit shkoi për filmin “Roja e Malit” me regji të Izer Aliut. Skenari më i Mirë u shpall, “Me të parën e parë” i Roland Uruçit. Filmi “Femrat” me regji të Rudina Vojvodës, fitoi Çmimin e Shikuesve. Ky film i shfaqur në natën përfundimtare, u paraqit si filmi i parë i kinemasë së pavarur shqiptare. Edicioni ishte një sukses, por që mbeti peng i ndarjes “historike” dhe vazhdoi nën shenjën e saj.

Për të përmendur vetëm një fakt, i cili është tregues i këtij “trendi”! Loja e përkryer e aktorit të mirënjohur Arben Bajraktaraj, në rolin e Heroit që i jep edhe titullin filmit e që spikat në mënyrë evidente, nuk u përmend asnjëherë dhe çmimi i aktorit më të mirë të rolit kryesor iu dha rolit dytësor të filmit “Heroi”, pra gruas së Shkëmbit, e cila gjithashtu në kundërshtim me afishen e filmit që e vë në plan të dytë, në festival u lajmërua e para në listën e aktorëve, a thua se filmi quhej heroina. Këto ndryshime, që duken se ndjekin më shumë humorin sesa kredencialet e filmit, janë të paimagjinueshme në botën perëndimore të kinemasë, ku kredencialet e filmit, siç e thotë emri, janë letra krediti.

Do të duhej ndoshta që në një cep të “prekshëm” të ndërgjegjes sonë të shtonim imazhin e purtekave (shkopinjve) të Skënderbeut me shënimin ngelur ende pa kuptuar: se të bashkuar nuk ju thyejnë dot! Duke uruar që themeluesit t’i tejkalojnë “mosmarrëveshjet” dhe t’i bashkojnë sërish forcat për një edicion të përbashkët në vitin 2015!

Leave a Reply

Your email address will not be published.