Kronika e zeze

Sherri mes vjelësve me pagesë të mollëve përfundon me vrasje

timthumbDevoll, një 19-vjeçar vritet me thikë nga i riu 20 vjeç. Historia e 2 grindjeve gjatë vjeljes së mollëve

Nga Mariglen Mullai

Konkurrenca për vjeljen e mollëve në Baban të Korçës u bë shkak i një zënke fillestare mes 2 të rinjve nga ky fshat, sherr i cili përfundoi me vrasjen e njërit prej tyre. Rreth orës 20.00 të ditës së djeshme, në qendër të fshatit Baban, në Rrethin Devoll, në Korçë, 19-vjeçari Muhamet Çela u qëllua disa herë me thikë nga Ervin Spaho, 20 vjeç, i cili u shpall në kërkim. Policia, e lajmëruar nga banorët e fshatit, nisi kërkimet për arrestimin e tij, teksa janë marrë edhe dëshmitë e personave që ishin të pranishëm gjatë momenteve të të dyja zënkave mes tyre. Paraprakisht mësohet se viktima njihet si djalë i rregullt, ndërsa i dyshuari për vrasje si person problematik. Dikur ata ishin shokë, pasi janë bashkëmoshatarë, me një vit diferencë, ndërsa banimi i të dyve në të njëjtin fshat, sipas banorëve, duhet të ishte shkak që sherri të mos degjeneronte deri në këtë pikë.

Zënka e parë

Nga burime pranë Policisë së Korçës bëhet e ditur për gazetën “Shqip” se pasditen e djeshme, mes 2 vjelësve të mollëve, nisi një sherr banal. Muhameti dhe Ervini, ishin të dy banorë të fshatit Baban, pak kilometra larg Bilishtit dhe të dy ishin punëtorë me mëditje, gjatë sezonit të vjeljes së mollëve. Me pagesa ditore, të dy vilnin arkat me mollë në fushat e fshatit. Ndërkaq, pasditen e djeshme, mes tyre nisi një sherr, që sipas punëtorëve të tjerë, kishte si shkak zënkën për sasinë e mollëve. Banorët pretendojnë se i dyshuari për vrasje i ka thënë viktimës se ai kishte vjelë më shumë mollë se ai dhe se askush nuk duhet të bënte me hile. Të dy pretendonin se kishin vjelë më shumë mollë. Mes të rinjve nisi sherri me fjalë, por ndërhyrja e punëtorëve të tjerë mundësoi që grindja të mbyllej aty për momentin.

Sherri i dytë dhe vrasja

Orari i punës kishte mbaruar, kur Muhamet Çela dhe Ervin Spaho janë përballur sërish me njëri-tjetrin, kësaj radhe në qendër të fshatit. Ata u grindën sërish për të njëjtin motiv: sasinë e mollëve të vjela. Por kësaj radhe, sipas burimeve të policisë dhe banorëve të zonës, Spaho nuk i ka zgjatur më fjalët, por pak minuta pas nisjes së sherrit, nxori thikën, duke e qëlluar shokun disa herë. Të pranishmit nuk mundën të ndërhynin, pasi 20-vjeçari veproi shpejt, duke e qëlluar viktimën teksa po i afrohej më shpejtësi dhe thikën e nxori vetëm kur ishte pranë tij. Menjëherë Spaho u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa banorët e fshatit e dërguan 19-vjeçarin, në spitalin rajonal të Bilishtit. I riu nuk mundi t’u mbijetonte plagëve, pasi pati gjakderdhje dhe goditjet i kishte marrë në organet vitale.

Hetimet

Ekspertët e policisë, të lajmëruar nga banorët e fshatit, mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe nisën hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë. Nga të dhënat e deritanishme, bazuar kryesisht mbi dëshmitë e vjelësve të mollëve dhe të pranishmëve gjatë sherrit të dytë, u arrit të identifikohej dhe të shpallej në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes, 20-vjeçari Spaho. Ky i fundit njihej në fshat si person problematik, pasi kishte bërë sherre edhe me të rinj të tjerë. Ndërkaq, viktima njihej si djalë i urtë dhe i komunikueshëm me banorët e tjerë të fshatit. Ai ishte praktikant i fesë myslimane, ndërsa banorët i kanë treguar policisë se asnjëherë nuk kishin hasur probleme prej tij. Kërkimet për 20-vjeçarin e dyshuar për vrasjen, po vijojnë në zonën përreth, ku policia ka ngritur disa postblloqe. Nga të dhënat e para mësohet se autori i ngjarjes mund të jetë larguar në drejtim të ndonjë fshati të afërt me Babanin, ku mund të jetë strehuar te të afërmit apo miqtë e tij. Policia u ka bërë thirrje prindërve të Spahos që të negocionin me të, për të mundësuar dorëzimin në polici.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button