Ekonomia

Qeveria do të japë me qira Syrin e Kaltër, për 600 euro në muaj?! Publikohet dokumenti, reagimi i ministrit

Qeveria do të japë me qira Syrin e Kaltër, për 600 euro në muaj?! Kështu thotë faksimile e dokumentit botuar nga e përditshmja SHQIP. Aty mësohet se Ministria e Financave ka hapur tenderin për dhënien me qira të kësaj prone për një çmim qesharak, prej 725 mijë lekësh në muaj.

“Nga dokumentet del shumë qartë se qeveria po i jep privatit një nga pasuritë më të vlefshme të saj, e cila me një organizim të mirë nga strukturat shtetërore mund të kthehej në atraksion të fortë turistik dhe burim të ardhurash për pushtetin lokal. Në dokumente thuhet se “dhënia me qira e pasurisë bëhet me qëllim dhënien në përdorim të saj për ushtrimin e një veprimtarie ekonomike e cila të gjenerojë të ardhura dhe punësimin e banorëve të zones”. Sipas saj, konkurrimi do të zhvillohet në datën 30 tetor (sot) në Ministrinë e Financave dhe vlera dysheme për detyrimin e qirasë, për fillimin e konkurrimit, është 72 500 lekë/në muaj. Pra, vetëm 600 euro në muaj” – shkruan SHQIP.

Sipas gazetës gjithçka është e paramenduar. Shqip analizon deklaratat e pak ditëve më parë të Ministrit të Mjedisit, Blendi Klosi, se pika turistike e Syrit të Kaltër në Delbinë po degradohej. Madje, ai deklaroi se rrezikohet edhe jeta e turistëve si pasojë e keqmenaxhimit. Dhe fill pas kësaj qeveria ka lëvizur me shpejtësi për ta dhënë me qira.

Pak ditë më parë, Klosi deklaroi se Syri i Kaltër është një gëngrenë nga mënyra e menazhimit, ndërsa deklaroi se “kemi gati planin për vitin 2020”.

“Por, duket se plani paska qenë gati me kohë, atë të lëshimit me qira për një shumë qesharake” – shkruan SHQIP.

Pas publikimit të dokumentit ministri Klosi ka deklaruar në gazetën Tema se mund të jetë një gafë e institucioneve, sipas tij.

Klosi ka dhënë një përgjigje po aq qesharake sa çmimi i qirasë.

“Nuk di gjë, mund të jetë anomali e institucioneve” është shprehur Klosi.

 

Pjesë e faksimiles së tenderit botuar nga Shqip

Kjo zonë ka statusin e një zone të mbrojtur. Për pasojë është në varësi direkte nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe kjo e fundit, drejtpërdrejt nga Ministria që drejton Klosi. Vetëvetiu lind pyetja si nuk di gjë ministri për një zonë që është vetëm në kompetencat e institucionit që ai drejton dhe të askujt tjetër?! – pyet SHQIP.

Syri i Kaltër është një nga pasuritë natyrore më atraktive në Jug të Shqipërisë, shumë i vizituar nga turistët gjatë sezonit veror. Vitin e kaluar, Administata e Zonave të Mbrojtura, prishi dy investimet që gjendeshin aty, lokalin e ngritur prej 20 vitesh pranë kabinave që po nxirren në ankand dhe një lokal më të ri në hyrje të zonës, që po ashtu kishte kontratë qiraje nga Ministria e Financave.

Një javë më parë zoti Klosi ngriti alarmin për situatën tek “Syri i Kaltër” dhe theksoi se duhet ndërhyrje urgjente për ta kthyer zonën në një vend të sigurtë për turizëm.

Duket se dikush tjetër po kujdeset, të bëhet pronar me 600 euro në muaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button