Home / Politika / Iken Gazheli, Komisioni i Jashtëm, seancë dëgjimore me Robon kandidatin për ambasador në Turqi

Iken Gazheli, Komisioni i Jashtëm, seancë dëgjimore me Robon kandidatin për ambasador në Turqi

Genti Gazheli nuk do te jete me ambasadori i Shqiperise ne Turqi. Eshte gjetur edhe zevendesi. Ai do te jete diplomati i karrieres Kastriot Robo. Madje, me urgjence kane filluar edhe procedurat perkatese duke qenë se marrëdhëniet me Turqinë kanë rëndësi strategjike dhe vendi nuk mund të lihej vakant.

Komisioni për Politikën e Jashtme nën drejtimin e kryetares  Mimi Kodheli zhvilloi sot një seancë dëgjimore për emërimin në postin e Kreut të Misionit Diplomatik të Kastriot Robos, kandidat për ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë. Zoti Robo vjen si një propozim i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme për një prezantim të tijin përpara Komisionit për Politikën e Jashtme.

Gjatë fjalës së tij ai bëri një prezantim të marrëdhënieve dypalëshe, duke u ndalur sidomos në bashkëpunimin në fushën ekonomike, ushtarake, energjisë, infrastrukturës dhe atë të kulturës midis Shqipërisë dhe Turqisë duke filluar nga kohët më të hershme e deri në ditët tona. Ai gjithashtu paraqiti disa objektiva të mandatit të tij si dhe hodhi disa piketa se ku do të fokusohet gjatë punës.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Armand Skapi shprehu besimin dhe mbështetjen e gjithë institucionit për kandidaturën e z. Robo, si dhe ftoi deputetët për një rekomandim pozitiv në Raportin që Komisioni për Politikën e Jashtme i paraqet Presidentit të Republikës.

Deputetët gjatë diskutimit në komision shprehën vlerësim e mbështetje për kandidaturën e zotit Robo.

Kastriot Robo ka mbajtur më herët postin e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Spanje dhe se fundi ne Danimarkë, rezident, por u lirua nga detyra nga presidenti Ilir Meta më 31 korrik 2018.

Kurse Gent Gazheli mori detyrën më 9 shkurt të vitit 2016, nga presidenti Bujar Nishani. Ai më herët ka mbajtur postin e drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, por edhe si kryefinacier ne Partine Socialiste gjate kohes kur kjo e fundit ishte ne opozite.

Emisioni investigativ italian “Le Iene” kritikoi ambasadorin Gazheli për rastin e Alvin Berishës, duke e akuzuar publikisht se nuk i ishte përgjigjur telefonatave të tyre pavarësisht se kishte premtuar ndihmë. Qëndrimet e tij shkaktuan indinjatë në rrjetet sociale duke kërkuar largimin e tij.

“Jam i zhgënjyer, ambasadori shqiptar na dha fjalën që do të zgjidhte gjithçka. Duke qenë se Alvini nuk ka letra italiane, shteti ynë nuk bën dot asgjë për të. Është në duart e qeverisë shqiptare që Alvini që ka mbetur i plagosur nga bombardimet në Siri, të kthehet në Itali pranë të atit që e ka kërkuar dëshpërimisht prej vitesh”-tha gazetari italian Luigi Pelazza i Le Iene.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: