Home / Kryeartikull / Heronjtë ishin ATA!

Heronjtë ishin ATA!

Mes turmës që shkëputet një punonjës i FNSH-së, e ka të pamundur të mbajë lotët që fillojnë i rrjedhin, e me zërin që i dridhet thotë: “Herët në mëngjes, i pashë me sytë e mi se si çifti që u gjet i pajetë, aty ku duhej të ishte dhoma e gjumit… ishin të përqafuar me njëri-tjetrin”. Nuk të dalin fjalët, e befas ndjen se po loton edhe vetë, kur e imagjinon atë skenë e kur sheh thellë në sytë e tij të përlotur. Më tej kaos dhe për gati 10 minuta nuk gjenden, se ku janë gërshërët që presin hekurat, por a i presin ato vallë hekurat e trashë me rreze 16 mm të kolonave mbajtëse?

Disa punonjës policie civilë, – ku mes tyre një duhej të ishte edhe shefi – thotë se, “trupat kosovare erdhën me gjithë mjetet e nevojshme, deri tek sharrat, qentë, gjeneratorët, ndërsa këtu…këtu i vjedhim!. E ja si bie shteti brenda një dite”. “Po ti je gazetar?!” të drejtohet ai. Askush aty nuk pranon të fotografohet apo filmohet…Diku poshtë gërmadhave të atij që dikur ishte pallati 5-katësh i ndarë më dysh, – e pranë tij një tjetër i krisur, – punonjësit e FNSH-së, por edhe të Policisë së Shtetit dhe RENEA-s, (kryesisht ata) e kishin të pamundur të mbanin perimetrin e sigurisë të qëndrueshëm…ku gazetarë, vloggerë, operatorë televizioni, fotografë, por edhe familjarë të atyre nën rrënoja, donin të futeshin me çdo kusht brenda atij perimetri të mbrojtur… E kur vinte ndonjë pushtetar rrethohej sërish…

Diku fiken motorët e makinerive të rënda, e ndalon në çast puna me heqjet e mbetjeve inerte të hedhura aty, nga një duzinë punonjësish të shtetit. Një zë vajze, dëgjohet nga poshtë gërmadhave. Një alarm, duket në fytyrat e tyre, por edhe shpresë. Shpresë për një tjetër jetë të gjallë, poshtë atij pirgu gërmadhash. Punonjësit zjarrfikës të ardhur gjithë si ekip (veçse 3 prej tyre, e të vetmit) të Krujës, të kërkon një duhan të dredhur (në gjithë dyqanet e vogla nuk ka më as cigare dhe as ushqime) me duart plot kallo e të mbushura me pluhurin e bardhë të tullave të pallatit të shkërmoqur… Kishin që nga ora 4 e pak i mëngjesit që punonin pa ndalim… Dukeshin edhe ata vetë të tmerruar dhe të dërrmuar. Ja lanë vendin sërish trupave të RENEAS, Zjarrfikësve të tjerë nga rrethet, e FNSH-së, të cilët punonin veçse me duar, e shpesh edhe pa dorashka apo mjete mbrojtëse elementare, ndërkohë që shtyllat e betonta i vareshin mbi kryet e tyre si “shpata e Demokleut”. Fytyrat e tyre ishin të pluhurosura, rrobat e gjithçka, por i bashkonte veçse një: Solidariteti njerëzor për çdo jetë! “Ka që nga mëngjesi që punon i shkreti aty majë pirgut të inerteve, ku poshtë nën këmbët e tij janë më shumë se 5 persona”, thotë Arditi, punonjësi zjarrfikës nga Kruja, për një punonjës të FNSH-së.

Më tutje një nënë që qan për nusen e djalit e nipin, një bashkëshort, duke lotuar e që ngushëllohet nga Hoxha, shefi i komisariatit numër 4 i kryeqytetit, i cili pa e kuptuar vjen dhe më thotë disa minuta më tej “na dridh një cigare, se ajo është i vetmi ngushëllim që kërkojmë në këto çaste” e me vrap largohet, pasi ka ardhur shefi, Sandër Lleshi. (rreth orës 12.00).

As disa minuta, teksa bisedonim me Arditin, i cili po na shpjegonte se ndërmarrja e tij ka një makinë të viteve ‘70 dhe asnjë pajisje…shohim përtej, atje ku punohet diku rreth 20 metra më tutje, – të ulur në bordurat e një vendpushimi midis disa shtëpive 2-katshe që fatmirësisht janë ende në këmbë, – ndonëse me krisje e rënie tavanesh. Praktikisht këtu në Thumanë, ato dhjetëra shtëpi që pamë, por edhe për ato që na treguan, janë bërë krejt të pabanueshme. Një çast teksa kishim përhumbur me Arditin, ai meso-burrë tek të 60-ave, na dridhet trupi…ndërsa dëgjohen tjegulla e tulla që bien.

Vrapoj drejt asaj turme që po punonte nën shtyllat e betonta. Të bërtitura të mëdha për t’u larguar, pasi ajo duzinë burrash po punonin sipër kolonave prej betoni që mbaheshin “me dy fije” hekur. Mes pirgut të zë syri, dollapë… Diku një çantë në një ballkon krejt të hapur, diku punonjësit e shtetit tërheqin zvarrë nga pirgu për poshtë, një frigorifer të bërë copash, e diku shihet një pult komandimi e një orë tavoline e kthyer mbrapsht. Diku tjetër në atë pirg inertesh dy tenxhere, mes pllakave të betonta, që prisnin gatimin e nesërm e që nuk do të vijë më kurrë, si më parë…

Vrapojmë të gjithë, ndërsa me vrap ngjitur me pallatin e krisur u dëgjuan hekura që u përkulën diku nga pallati, e ca kërcitje të çuditshme. Mësojmë se ishte i magnitudës 5 gradë Rihter. Makineritë e mëdha që po vinin herë pas here dridhnin tokën, e na dukej sikur ishim krejt të sëmurë, tashmë të rrënuar mendërisht, ku gjithçka sikur dridhej ende, e me siguri një zë rënkonte aty nën rrënoja. Sipër punonin ata, heronjtë tanë pa asnjë mjet…

Duart janë “pincat e tyre”. Aty nuk ka ndarje partiake e as gradash, emrash apo nga veri a jug; madje diku afër kalon një drejtor policie me lot në sy teksa ngushëllon Dashin, që ka ulur kokën mes një barake llamarinash, ndërsa sytë e përlotur shihnin drejt atij pallati që i kishte ngelur në ajër në katin e pestë një derë hyrëse, – atje ku poshtë atyre rrënojave, – iu gjetën të pajetë gruaja e fëmijët e tij. Ndërkohë Berti i familjes Cara, është i vetmi që arriti të dilte jashtë nga 9 familjarët e tjerë, në këto pallate të ndërtuara në vitet ’71 me kontribut vullnetar, – nga ato që njihen si edhe me termin “kolona të ngjitura”. Autoambulancat vijnë e ikin çdo çast, ndërsa trupat mbulohen…pa pasur ndonjë mundësi të shihen nga ajo turmë e madhe njerëzish, policë, ushtarë komando, zjarrfikës, e shumë të tjerë. Djaloshi Eldi Çoba, po ashtu, kërkohet poshtë gërmadhave në pallatin ngjitur, prej orësh, i bllokuar tek këmbët nga gërmadhat. Tre pallate të shkatërruara e dy-tre të tjerë, të krisur plotësisht, e dhjetëra shtëpi private po ashtu.

Një çast trupat e FSK-së së Kosovës së bashku me ekipin e Emergjencave të Kërkim-Shpëtimit, qentë e trajnuar vijnë me pajisje si sharra me bateri, apo deri tek veshja e tyre me kaska hekuri, ndërkohë që trupat shqiptare veçse me kapele, diku me çizme a atlete, apo edhe zjarrfikës me “xhupa” të falura gjermane. Të gjithë e ndjemë tërmetin e rëndë, që nuk kishte prekur Shqipërinë që nga vitet ’70, por ata ndjenë mbi trupat e tyre tullat e kolonat e betonit. E tre prej tyre tek ai pallat janë po aty. Një apo dy të tjerë ende tek ai më ngjitur, e sa e sa të tjerë… Është ky momenti kur njerëzit nuk ëndërrojnë as vila apo as shtëpi të mëdha…por një jetë, e mbase fare pak…veçse një kafe, cigare e batanije. Sërish lëkundje të tjera tërmeti. Rreth orës 4 pasdite, mbërrijnë kamionë me ndihma, çadra dhe ushqime, ndërsa rrugës drejt Thumanës, dëgjohen sirena ambulancash…Trupat rumune, – e më pas ato greke dhe francezet, – mbërrijnë të parët nga një kontingjent prej 52 personash të specializuar në kërkim-shpëtim e avari. Një e moshuar kishte humbur jetën, teksa po shpëtonte nipin e saj…Filloi të errej…Thumana mban erë pluhur, njerëz që qanin, sirena, panik dhe kaos.

Disa orë më parë

Jo më shumë se 30 kilometra nga Tirana të duken të vështira dhe të gjata, pasi trafiku ishte rënduar që pa dalë ende nga Tirana, drejt Thumanës…Kalaja e Prezës, krejt e shkatërruar pjesa e sipërme. Në ardhje drejt Tiranës, autoambulancat uturinin rrugëve… Pas gati 1 orë e gjysmë, arrijmë nga mëngjesi rreth orës 10.15 në rrugën ndarëse, ku tabela tregon kthesën e Thumanës, në të djathtë. Nuk kishte energji elektrike, por edhe valët e telefonit pothuajse, nuk punonin mirë. Polici ngado dhe në rrugicat e Thumanës, të dukej se do ishte një mision i pamundur të gjeje një vend të parkoje edhe makinën. Të dukeshin se kishin ardhur me mijëra. Diku aty pranë të pret sapo del nga makina me aparat e celular në duar një banor i lagjes së poshtme, kryesisht me shtëpi private 1 apo dy kafshe (në lagjen e sipërme ndodhen ato 5-6 pallatet e dëmtuara)” “Shtëpia krejtësisht e pabanueshme krejt…Hajde, hajde pra, futu brenda dhe shihe vet, si është…”.

Fëmijët e nipat e tij të vegjël sillen ende vërdallë nëpër dhoma, ndërsa bashkëshortja i çon jashtë… Edhe ata duken të frikësuar por si fëmijë duan të luajnë me suvatë që kanë rënë…“Dolëm shpejt nga shtëpia, e nuk pësuam gjë. Tani jemi pa gjë”, thotë ai. Teksa ecim rrugëve tashmë të mbushura plot, të Thumanës, dëgjojmë biseda “Pse vdiq ai?…Edhe ajo plaka? Oh sa tmerr!”. “Po motrën e Dashit e nxorën?”; “Shpëtoi Berti, hë?”… Njerëz që nxitojnë nga pallati në pallat. Një zonjë e ulur në trotuar thotë se, ka ardhur për dhëndrin e saj, Besim Muratin. “Jemi të mërzitur për ata që janë nën rrënoja!”, thotë Yzejen Manjani, ndërsa vijon se “ka rënë i ’79-ën, por jo si ky. Ndihmat shtetërore erdhën…ndërsa unë erdha në 7 e ca nga Tirana, e ata kishin ardhur më parë. Nuk të merrte asnjë furgon. Të gjithë i kishin sytë drejt Thumanës”… Pak më tutje takojmë edhe dhëndrin e saj. “Mirë që jetojmë”, – thotë Besim Murati me profesion inxhinier, i cili jeton në një pallat aty pranë me tulla të kuqe dhe që është bërë krejt i pabanueshëm, por fatmirësisht pa dëme të rënda, apo humbje jetësh njerëzore…”Këtu ka rënë edhe vjet tërmet. Dëmet kanë qenë të mëdha dhe na thanë që pallatet janë në gjendje të mirë, ndonëse kishin krisje të gjitha pallatet. Tashmë i dha fundin… e tani i mbytën njerëzit këtu”, thotë Murati për “Si”.

Më tutje, një tjetër zonjë, që kalon pranë një pallati, pothuajse i shkatërruar dy-katësh thotë se, “këto i kanë bërë të burgosurit, ndërsa 5-katshet e rrënuara krejt janë bërë me kontribut vullnetar”. Një tjetër banor thotë se, edhe para tre vitesh kanë qenë pothuajse të pabanueshme nga tërmeti, të plasaritura, e në shtator u bënë akoma më shumë krisje…ndërsa tashmë, ranë fare… Qeveria sheh punët e veta…Autoritetet vendore, e dinin po ashtu”. Më tutje në një apartament në katin e tretë të një pallati të krisur shkruhet “Shitet”, – një shtëpi e cila kurrë “nuk do ta ketë atë fat”. Veshët na kapin në çast, ndërsa marrim rrugën e kthimit e kishte filluar të errësohej se vajza u nxor nga gërmadhat poshtë inerteve shëndoshë e mirë, – duke shënuar kështu të shpëtuarin e 45-të, zyrtarisht nga Durrësi në Thumnë, epiqendrën e këtij tërmeti katastrofë për Shqipërinë. Nga “Radio Ora” teksa hapim kasetofonin, dëgjojmë për fatet e njerëzve diku gjetkë, për të zhdukurit ende nën pirgje…Ndërkohë që veçse dy ditë na ndajnë nga Festa e Pavarësisë…Shqipëria, nesër është në Ditë Zie . Zoti qoftë me NE dhe heronjtë tanë…

Nga EDMOND PRIFTI

Leave a Reply

%d bloggers like this: