Home / Kryeartikull / Shqipëria nuk qe kurrë Bergamo

Shqipëria nuk qe kurrë Bergamo

Nga Skënder Minxhozi/

Megjithëse dy muaj të shkuar, ashtu si pjesa tjetër e botës, e shokuar nga imazhet tragjike që vinin nga Veriu i Italisë, edhe Shqipëria veproi nën sindromën e frikës dhe vetëmbrojtjes ekstreme, tetë javë më pas situata nuk është më ajo e fillim-marsit. Mbyllja ka bërë punën e vet, virusi ka ndalur avancimin, njerëzit kanë mësuar se nuk rrezikojnë më vdekje masive dhe dyndje spitalesh, kurse bota ka mësuar më shumë rreth kësaj të keqeje globale.

Dy muaj më parë, zyrtarët shqiptarë viheshin në trysninë e mediave dhe opinionit publik, për të treguar sesa ventilatorë kishim realisht dhe sa do e përballonin kapacitetet tona spitalore ngarkesën e dhjetra e qindra barelave me të sëmurë që do të paraqiteshin në dy spitalet e caktuara për Covid 19.

Dukeshin pak rreth 150 ventilatorë asokohe, por sot dimë se në tetë javë karantinë, kur kaluam pikun e epidemisë, asnjëherë këto mjete që paraqesin shpresën e fundit për të mbijetuar, nuk u përdorën më shumë se në një të dhjetën e tyre. Një përqindje fare e vogël, ashtu siç mbeti normale dhe aspak problematike edhe lista e të sëmurëve që u shtruan në spital, apo e atyre që kaluan në kujdes intensiv. Në krahun tjetër, masa prej rreth 70% e të shëruarve që kemi sot, bëjnë të tundin kokën edhe më skeptikët e dy muajve më parë.

Koronavirus ka qenë një histori suksesi për Shqipërinë, e më gjerë, për të gjithë Ballkanin. Sepse me kalimin e javëve, e thonë shifrat, pandemia erdhi duke u zbutur në këtë cep të Evropës. Greqia, Mali i Zi, Kosova e Bosnja apo Serbia, kanë pasur shifra të vogla vdekjesh deri tani. Pasi të gjithë e dimë, se llogaria finale me këtë virus, bëhet me jetët e humbura. Janë ato i vetmi gur kilometrik që tregon nëse ke pasur fat ose jo në këtë betejë me të keqen.

Megjithë kritikat jo të vogla që ka marrë mbi vete për tamponat, maskat e skaduara, gjurmimin dhe gjetjen në kohë të të infektuarve, qeveria shqiptare ka të gjithë të drejtën të ndjehet mirë me mënyrën sesi ka evoluar deri tani përballja me koronën. I kemi dhënë një dorë të madhe ne, shqiptarët, që respektuam një ndër mbylljet më radikale të kontinentit, por në një plan më të gjerë, duket se shqiptarëve, serbëve e grekëve, ju ka ardhur në ndihmë edhe karakteri deri më sot i pashpjegueshëm i një epidemie, që diku ka goditur rëndë dhe pa mëshirë, e diku tjetër vetëm butë ose pjesërisht.

Të marrim si shembull të dhënat më të fundit të autoriteteve italiane, për të parë çka ndodhur në jugun e Italisë, në pjesë e gadishullit Apenin që ngjan më shumë me rajonin tonë. Duket e pabesueshme që kryeqyteti i shtetit të quajtur Itali, Roma, ka, sipas të dhënave zyrtare, rreth 10% më pak vdekje për periudhën 20 shkurt-31 mars 2020, krahasuar mesataren e të njëtave data, të pesë vjetëve të fundit. Si është e mundur kjo? Askush nuk di ende të japë një shpjegim racional. Dhe kjo përqindje e Jugut të Italisë përkon deri diku, sipas statistikave, edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në anën tjetër, në dy muaj përballje me Covid, mjekë e ekspertë të shëndetit publik kanë kruar kokën për të gjetur sa është vdekshmëria e kësaj sëmundjeje. Në mars OBSH tha se mesatarja e vdekshmërisë së Covid është 3,2% e personave që marrin virusin. Rreth dhjetë herë më e madhe sesa ajo që thanë një muaj më vonë ekspertët danezë, të cilët, pasi kryen testet serologjike në popullatën e vendit të tyre, nxorrën që vdeshkmëria reale është 0.37% (diçka më shumë se trefishi i vdekshmërisë së gripit sezonal).

Këto të dhëna shërbejnë për të dokumentuar pjesërisht një të vërtetë të madhe: që koronavirus njihet ende shumë pak dhe që për këtë arsye, me gjasë, në fillimet e pandemisë është krijuar një gogol, që sot po fillon të ridimensionohet gradualisht.

Kjo bën që edhe shqiptarët të mos jenë më të detyruar të jetojnë ende me imazhet e tmerrshme të Bergamos, që shoqëronte të vdekurit me kolonat e makinave ushtarake. Ajo kohë dhe ai fat, nuk trokiti kurrë fatmirësisht në dyert tona.

Vetë Italia po del ngadalë nga tuneli i errët i pandemisë dhe po sheh drejt hapjes dhe rikthimit gradual në normalitetin e ri. I cili është krejt i ndryshëm nga jeta që jemi mësuar të jetojmë deri tre muaj më parë, por po aq i ndryshëm edhe nga silueta e tmerrshme e gogolit të padukshëm, që vdiste e priste pleq e të rinj në të katër anët e Lombardisë.

Korona po vret akoma. Nuk është një sëmundje e stisur, por një pandemi reale, sepse të vdekurit janë të vërtetë e jo të sajuar. Por me kalimin e javëve, teksa mjekët mësojnë më shumë për sëmundjen, teksa po dalin protokollet e para të ilaçeve që mund të japin një dorë për lehtësimin e pasojave të Covid 19, bota dhe ne shqiptarët bashkë me të, mund të fillojmë të kthejmë kokën drejt jetës jashtë mureve të shtëpisë.

Duhet të dalim nga kuadrati psiqik karantinës, ku kemi jetuar një të gjashtën e vitit 2020. Na kanë mbetur edhe pesë të gjashtat e fletës së kalendarit, që kemi varur në mur. Le ta kthejmë ngadalë faqen e errët të koronës si fillim. Djalli nuk është më aq i zi sa na dukej, kur mbyllëm dyert e shtëpive e nuk qasnim brenda as vëllezër e motra. Këtë kemi mësuar këto javë. Është ende pak, por është e sigurt!

Leave a Reply

%d bloggers like this: