Home / Kryeartikull / Poshtërimi i “Klevisëve” nga Lulzim Basha

Poshtërimi i “Klevisëve” nga Lulzim Basha

Nga Mero Baze

Klevis Balliu nuk ka marrë thjesht vota kundër. Nëse shikon rezultatin e votimit dhe pjesmarrjen, duket se demokratët në Pogradec, kanë dalë nga shtëpitë vetëm për të poshtëruar atë, me votë përjashtuese.

Në një proces i cili është tërësisht i komanduar, ku Lulzim Basha ul dhe ngre kufirin e votuesve për të mos përjashtuar njerëzit e vet, në Pogradec procesi u la i lirë, dhe rezultati ishte shokues.

E njëjta gjë ndodhi dhe në Korçë, kundër Salianjit dhe Manos, por në fund ata shtuan fiktivisht numrin e votuesve, sipas shtypit local, dhe i shpëtuan rënies nën 20 për qind, ndërkohë që janë kampionë me vota kundër.

Po përse u gjet për t’u poshtëruar Klevis Balliu?

Së pari, Komisioni “Nishani- Ruli” ka sugjeruar përjashtimin e tij nga lista paraprakisht, por Basha nuk ka dashur të përballej me problemin dhe u ka kërkuar ta lërë në garë, dhe ta heqë me dorën e të tjerëve.

Për këtë aryse, edhe ai, edhe Salianji, edhe Tritan Shehu, u lejuan të futen në lista pasi u skualifikuan realisht nga Komisioni.

Që të tre kanë marrë vota rekord kundër, por në Gjirokastër dhe Korçë u luajt me kufirin e votuesve. Në Pogradec ishte e pamundur, pasi mbi dy të tretat e votuesve kishin shkuar aty vetëm për të përjashtuar Balliun, dhe qëndruan në sallë, t’u numërohej vota.

Lulzim Basha me këtë rast ka poshtëruar një deputet të ri, natyrisht të padenjë për deputet, duke ua hedhur si ushqim për qentë, militantëve të zemëruar me të.

Në këtë mënyrë ai ka shmangur presionin për ta bërë deputet me çdo kusht, duke i nxjerr gështenjat me duartë e militantëve.

Pas kësaj, Fahri Balliu ishte ulur dhe kishte shkruar një deklaratë në emër të demokratëve të Unazës së Re, që betoheshin se e duan Klevisin deputet në Tiranë. Dhe e kishte bërë dhe këtë, fakt të kryer.

Nëse Basha do të tregohet i talentuar, si i pashpirt, mund ta bëjë dhe këtë akt, duke e rifutur në listën e Tiranës dhe duke shkatërruar çdo kriter mbi të cilin mbështeti garën fallco në PD, e cila ka vetëm një qëllim: Të çlirojë Bashën nga presioni i listës, duke ua lënë përgjegjësinë të tjerëve.

Nëse Basha do ta rifusë Balliun në garë, natyrisht që do ta bëjë një figurë edhe më qesharake.

Nëse do sillet normalisht, duke e konsideruar të skualifikuar, nga droja se mos jep dorëheqje Besnik Mustafaj nga Komisioni, pasi është betuar që nuk do lejojë Bashën të bëjë ç’të dojë, atëhere Balliu do të jetë deputet i LSI tek Unaza e Re. Edhe kështu, ai ishte një deputet i përbashkët me LSI-së në Pogradec.

Kjo do jetë faza e fundit e poshtërimit, për dikë që e përdori si “Zhan Val Zhani” në barrikadat një vjeçare të Astirit.

Por përtej mizorisë së Bashës për t’u tallur me Balliun dhe për ta hequr qafe me dorën e të tjerëve, ajo që ka ndodhur në Qarkun e Korçës, ku ai tentoi ta lërë votimin e lirë për të eleminuar Balliun, tregon se ka një revoltë ndaj listës së tij preferenciale dhe njerëzve që identifikohen me të.

Është goditur me vota kundër Balliu, Kapri, Salianji, Mano etj. Tani ky ngushëllimi i Mustafajt, që këta të eleminuarit janë rezervë për poste politike, është një tallje dhe pak më e madhe, pasi u jep shpresë atyre që nuk i do PD, që do t’i dojë pushteti i PD.

Në fakt, këta mund të mos poshtëroheshin në këtë mënyrë, nëse i thërrisje dhe u thoshje nuk je në listë. Do ndjeheshin më mirë. Kështu edhe duke i poshtëruar publikisht, edhe duke i ngushëlluar që do t’u kemi parasysh kur të vijmë në pushtet, thjesht i bën edhe të padëshiruar si deputetë, edhe si zyrtarë të mundshëm.

Leave a Reply

%d bloggers like this: