Home / Kryeartikull / Pse u nervozua opozita me Fatos Nanon

Pse u nervozua opozita me Fatos Nanon

Mustafa Nano  

Ka një parehati të madhe mes opozitarëve. Ka lidhje me 25 prillin, më saktë me çfarë pritet të ndodhë atë ditë. Të japin përshtypjen se e dinë (më mirë se unë) që do të humbasin për herë të tretë. Nuk janë mësuar të rrinë kaq gjatë duke bërë sehir se si të tjerët korrin përfitimet prej pushtetit, të cilat ata i njohin mirë. Por më e keqja nuk është kjo. Më e keqja është që një mandat i tretë i socialistëve rrezikon t’i vërë në luftë me sho-shoqin. Dhe kështu, Rama mund të mbetet – Zoti na ruajt! – edhe një mandat të katërt.

Kush është fajtor nëse kjo ndodh? Fajtorë janë ata që i kanë mbushur mendjen vetes se mjaft të kesh durim katër vjet, e shumta tetë, në harkun e të cilave të mos bësh gjë tjetër, veçse të akuzosh kundërshtarin për po ato gjëra që i ke bërë vetë (dhunë ndaj opozitës, vjedhje votash, abuzim me pushtetin etj., etj.), dhe pushteti të vjen llokum në gojë.

Mirëpo, ata mendojnë se fajtorë janë të tjerët. Fajtor, sipas tyre, është Rama që nuk ka lënë gjë pa bërë, që ka zaptuar të gjitha pushtetet, që i ka blerë të gjithë, që ka ndërtuar një diktaturë etj. Fajtorë janë edhe ata shqiptarë që nuk po e kuptojnë se Rama është gjëja më e zezë e historisë së Shqipërisë, se Rama është një devijim prej sojit tonë kinse të fisëm e elegant, të përfaqësuar deri më sot në terma politikë prej zotërinjsh të fisëm, si Berisha, Meta, Basha etj., dhe se opozita e sotme paska me vete të gjitha kredencialet morale, etike, profesionale, humane, madje ka me vete edhe të drejtën historike (në trajtën e një apeli që na vjen prej të parëve), e ndoshta edhe ndonjë investiturë divine!!!

Këta njerëz as që e çojnë nëpër mendje se të konsiderosh Ramën një ofertë pak më të mirë (më pak të keqe) sesa Basha nuk është një gabim. Por edhe sikur të ishte një gabim (po e çoj lojën në favor të tyre me këtë supozim), do të ishte një gabim milimetrik. Dhe prandaj, nuk ka vend për nervozizëm. Nervozizmi do kishte vend sikur të ishim të sigurt se PS-ja ka bërë çmendurira të padëgjuara e të papara, dhe se PD-ja e do pushtetin për të bërë ca punë për së mbari në këtë vend. Por nuk është ky rasti. Të gjithë e dimë se nuk është ky rasti.

Nervozizmi opozitar u shfaq rrëmbyeshëm pas një interviste të gjatë të Fatos Nanos dhënë Blendi Fevziut, e cila është ndjekur ashtu si rrallë ndonjë gjë e ngjashme më herët. Sa për krahasim, rrëfimi i Sali Berishës një muaj më parë, po në studion e “Opinionit”, është ndjekur në “YouTube” nga 195 mijë vetë. Ky i Fatos Nanos ka pasur mbi 300 mijë shikime për 48 orë. Ndërsa në orën e transmetimit (të enjten në mbrëmje), pothuajse gjysma e të gjithë shikuesve e kishin çuar televizorin te “TV Klan”. Mua personalisht më ka kapur në befasi ky interes kaq i madh për të ndjekur një intervistë të Fatos Nanos, për të cilin kisha besuar se njerëzit e quanin në rastin më të keq një rraqe të historisë e në rastin më të mirë një personazh të arkivave.

Më kapi në befasi edhe ai vetë me investimin që bëri në favor të Ramës, pikërisht në këtë moment kur palët po bëhen gati të ndezin motorët e fushatës elektorale. Sikur të kisha qenë këshilltar i tij, do kisha bërë një përpjekje për ta ndaluar në këtë çalltisje. Atij nuk i lipsej kjo gjë. Kanë kaluar vite prej momentit kur mori vendimin të na humbte sysh. Dalëngadalë po i harroheshin dështimet e prapësitë. Njerëzit po prireshin ta kujtonin për nja dy praktika të mira të instaluara prej tij. Apo më saktë, për nja dy tipare të bartura prej tij gjatë kohës që ushtroi ndikim e pushtet. Së pari, diti të largohej, pasi humbi zgjedhjet e vitit 2005. Së dyti, s’e pati për gjë t’ua delegonte rivalëve një pjesë të përgjegjësisë e të vendimmarrjes, duke marrë në sy rrezikun e krijimit të Frankenstein-ëve, që do t’ia nxinin jetën më pas, siç edhe ndodhi. Të largohesh pasi ke humbur, dhe të zgjidhësh konflikte duke u dorëzuar kundërshtarëve një pjesë të pushtetit janë dy tipare të rralla për sojin tonë. Janë tipare që nuk kemi pasur mundësi t’i shohim te politikanë të tjerë në 100 vitet e fundit. Dhe janë cilësi humane me shumë vlerë. Për mua, janë më me vlerë sesa të qenit i ndershëm apo i zoti. Sikur politikanët tanë në periudhën postkomuniste të kishin pasur veset e botës, por të kishin pasur edhe këto dy cilësi, Shqipëria e sotme do të kishte qenë më e mirë. Unë e besoj fuqimisht këtë gjë.

Qëllimi i dytë i Fatos Nanos (përveç mbështetjes së Ramës) ishte t’u jepte një goditje të fortë Berishës e Metës (më poshtë do t’i quaj BM). Dhe duket se me këtë ka trazuar keqazi shpirtrat e opozitarëve. Këta të fundit po rreken të thonë se është mbështetja ndaj Ramës që nuk u ka rënë mirë në stomak, jo ndonjë gjë tjetër. Por nuk është kështu. Fakti që goditjet e Nanos ndaj BMsë nuk u raportuan nga shumë televizione, gazeta, portale e site, është tregues i qartë se ai sulm u ka dhënë vuajtje. Dhe kjo është një vuajtje, të cilën nuk kam fuqi ta kuptoj. Më lehtë mund të kuptoj dikë me prirje zoofilie sesa një njeri që vuan në vitin 2021 pse kritikohet BM-ja.

Unë vetë, sikur këto reagime nervoze të mos ndodhnin, me shumë gjasë do të kisha shkruar ndonjë artikull, ku fare qetësisht do bëja të qartë se Fatos Nano nuk më kishte munguar, se ai do të kishte bërë mirë të mos e kishte prishur “shenjtërinë” e tij, sido që tha gjëra, me të cilat nuk mund të mos bie dakord (duke përjashtuar vlerësimet me superlativa në adresë të Ramës; në vend të tyre, do kisha parapëlqyer të na thoshte se Rama është thjesht më pak i keqi). Por histeria antiNano nuk la vend për asnjë lloj vështrimi të shtruar kritik. Ajo histeri sikur synonte të të shtynte drejt mirëkuptimit të plotë me ish-kryesocialistin. Sepse njeriu i shkretë zë e mendon: “Po mirë, si është puna me këta njerëz që kanë pranuar pa bërë zë, madje edhe e kanë mirëpritur dhe heroizuar, protagonizmin e bujshëm e të gjëmshëm të BM-së, kanë pranuar t’i njohin BMsë të drejtën për të pasur një voce in capitolo në çdo zhvillim politik në Tiranë, madje edhe të drejtën për të mbajtur peng dy prej tri partive të rëndësishme të vendit, ndërsa të drejtën e Fatos Nanos për të folur një herë në dhjetë vjet mezi e pranojnë?”.

Nja dy shpjegime kanë tentuar t’i bëjnë. Thonë se ua shpif kthesa 180-gradëshe e Fatos Nanos, i cili deri ca vite më parë nuk ka lënë gjë pa thënë kundër Edi Ramës. Thonë gjithashtu se ai e bëri gjithë këtë për një interes të tijin, që ndoshta mund të dalë në shesh më vonë. Vëzhgimi i parë është i saktë, s’ke ç’thua. Edhe hamendja e dytë mund të mos jetë pa gjë. Por puna është se kjo nevojë për koherencë veç tifozëve të BMsë nuk u shkon. BM-ja ka lëpirë me dhjetëra herë atë që ka pështyrë. Edhe me njëri-tjetrin këtë gjë kanë bërë. Herë kanë qenë armiq për vdekje, e herë janë sjellë si dy dashnorë të përvëluar.

E thashë pak më lart, se unë i mirëkuptoj kritikët e Nanos në hamendjen se kjo intervistë është e lidhur me llogari e interesa të tij. Dyshimi në këtë mes është më se i arsyeshëm. Por prapëseprapë, tifozët e BM-së nuk kanë erën në favor në asnjë prej arsyetimeve që mund të bëjnë. Ata dalin zbuluar nga të gjitha anët. Me qëndrimet që kanë mbajtur në të mirë të idhujve të tyre nuk kanë lënë për veten asnjë shteg shpëtimi. Se ja, në këtë rastin konkret nuk mund të mos bëheshin pyetjet: Pse i shqetëson vetëm Nano që merr me të mirë interesin e tij, e nuk shqetësohen prej BM-së që bën të njëjtën gjë? Apo duhet të besojmë se protagonizmi i pasosur i BM-së bëhet për qëllime të larta, bëhet për të mirën publike, bëhet për votën e lirë, për demokracinë, për t’i vënë fre abuzimit me pushtetin e me paratë publike? Nëse për këtë të fundit kanë përgjigjen “po”, atëherë i ftoj t’i trokasin në derë Dr. Petrelës. Kanë një nevojë dramatike për të.

Të tërbuarit prej intervistës së Fatos Nanos duhet t’i thërrasin mendjes. Ashtu siç ata kanë arsye të votojnë për BM-në, ashtu edhe ca të tjerë, përfshirë Nanon (apo Nanot, në daçin), kanë arsyet e tyre të votojnë për Ramën. Ata kanë zgjedhur të votojnë për BM-në. Se pse duan ta bëjnë këtë, kjo nuk është puna e kurrkujt. Është puna e tyre. Është zgjedhja e tyre. Por do bënin mirë ta kuptonin se beteja zgjedhore që po afron nuk është e natyrës morale, nuk është një betejë për të larguar djajtë e për të sjellë engjëjt. Nuk është as një betejë për të shpëtuar kombin. Është thjesht një garë mes dy grupesh të mëdha interesi, programi de facto i të cilave është administrimi i punëve publike për qëllime private. Ky është edhe programi i Lulzim Bashës. Prandaj, ai nuk mund t’i gënjejë dot shqiptarët në këtë pikë, ku diferencat mes palëve janë milimetrike.

Diferenca bëhet në drejtime të tjera, ndër të cilat unë do veçoja dy, që lojën e kthejnë kundër opozitës. Së pari, Basha është një politikan e udhëheqës i dobët. Shumë i dobët. Pa ngjyrë. Pa personalitet. Me të nuk merret askush. As Fatos Nano nuk e zuri ngoje. Sepse nuk ka pasur ç’të thotë. Këtë e dinë edhe të vetët, të cilët, për ta justifikuar, kanë shpikur idenë se “it’s not a bug, it’s a feature”. (Në shqip: “çfarë ju mendoni se është cen, është në të vërtetë një cilësi”.) Bash për këtë arsye nuk e quajnë të dobët. E quajnë normal. Duan që ne të votojmë një njeri, ngaqë të vetmen cilësi ka që është normal. Keni parë ju kështu?

Së dyti, Basha është në krye të partisë së Berishës, me të cilën shqiptarët duket se janë ndarë një herë e mirë. Janë ca bëma, që janë vetëm të sajat. Viti 1996, 1997, 1998, apo edhe 21 janari i vitit 2011, kanë hyrë në histori vetëm për shkak të bëmave të kësaj partie. Votuesit e saj ndoshta krenohen për mënyrën se si PD-ja është sjellë në këto vite, por të shumtët e shqiptarëve, jo. Le të marrim 21 janarin, fjala vjen. Ka njerëz që, për shkak të formimit të tyre kulturor (janë gjynah, e jo fajtorë për këtë), kanë parë te vrasja e katër vetëve në bulevard një arsye për ta adhuruar Berishën, por të shumtët kanë parë një akt barbar. Dhe me këtë logjikë, votën për partinë e Berishës as që e fusin tek opsionet. Kurrë. Sido që të qeverisë Rama.

Këto janë arsyet (nuk ka të tjera) pse Rama mund ta marrë një mandat të tretë, apo pse marrja e një mandati të tretë nga ana e tij nuk është e çuditshme apo skandaloze. Prandaj, opozitarët duhet ta zbrazin gjetkë tërbimin e tyre në rast humbjeje. Nëse kanë në plan të fitojnë ndonjëherë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: