Home / Ekonomia / Numri i degëve të bankave, në rënie për të tetin vit radhazi

Numri i degëve të bankave, në rënie për të tetin vit radhazi

Numri i degëve të bankave tregtare pësoi rënie të mëtejshme vitin e kaluar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, numri i degëve ka zbritur në 416, nga 446 një vit më parë.

Procesi i dixhitalizimit të shërbimeve bankare dhe nevoja për optimizim të kostove i ka dhënë vazhdimësi të mëtejshme një procesi që tashmë ka nisur prej disa vitesh. Në vitet e mëparshme, ky proces mori shtysë të mëtejshme nga konsolidimi i sektorit bankar.

Dixhitalizimi i shërbimeve bankare është një tendencë globale, që në shumë vende ka sjellë ulje të numrit të njësive fizike. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për vitin 2020, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin u rrit me rreth 33%, duke zgjeruar më shumë potencialet për përdorimin e shërbimeve të bankingut nga shtëpia.

Numri i degëve dhe agjencive bankare arriti nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci. Pas vitit 2013, numri i njësive bankare nisi të pakësohet, për shkak se kriza shtoi trysninë për uljen e kostove dhe rritjen e eficiencës.

Në periudhën 2018-2019, numri i bankave tregtare është pakësuar nga 16 në 12. Si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese, një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën. Në vitin 2019 u finalizuan dy dalje nga tregu, me likuidimin e Bankës së Kreditit të Shqipërisë dhe shkrirjen e Bankës Ndërkombëtare Tregtare me Union Bank. Gjatë vitit 2018, u krye shkrirja mes Intesa Sanpaolo dhe Veneto Banka dhe mes ABI Bank e NBG Bank.

Vlerësohet se Shqipëria ka aktualisht depërtimin më të ulët të degëve bankare në popullsi, me afërsisht 14 degë për 100 mijë banorë. Mbështetur në të dhënat e FMN për vitin 2019, Mali i Zi është shteti me numrin më të lartë të degëve bankare në raport me popullsinë, me afërsisht 41 degë për 100 mijë banorë, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 30 për 100 mijë banorë, Serbia me 28 për 100 mijë banorë dhe Maqedonia e Veriut me 24 për 100 mijë banorë.

Përgjithësisht, tendenca e depërtimit të njësive fizike të shërbimit bankar është në rënie në të gjitha vendet e rajonit. Paralelisht me tendencën e dixhitalizimit të shërbimeve, kriza e zgjatur ekonomike solli rritje të raportit të kredive me probleme dhe ulje të fitimeve të bankave. Nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonim zgjerimin e rrjetit, madje të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese.

Leave a Reply

%d bloggers like this: