Bota

Blinken përpjekje për të garantuar armëpushimin në Gaza

Më herët gjatë ditës zoti Blinken u takua në Kajro me Presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi dhe Ministrin e Jashtëm Sameh Shoukry.

Egjipti ka patur një rol të madh në arritjen e armëpushimit gjatë konfliktit të fundit mes Izraelin dhe Hamasin.

Vizita e tij në Jordani dhe Egjipt vjen një ditë pasi ai shprehu mbështetjen për sigurinë e Izraelit dhe u zotua për ndihmë në rindërtimin e Gazës.

“Siç e dini, Egjipti luajti një rol kritik për të ndërmjetësuar armëpushimin dhe Jordania ka qenë prej kohësh një zë i paqes dhe stabilitetit në rajon”, u tha zoti Blinken gazetarëve të martën.

Zoti Blinken e nisi ditën e së mërkurës me një takim me Presidentin izraelit Reuben Rivlin, çka i dha fund pjesës së parë të udhëtimit të tij të parë në Lindjen e Mesme, që nga zgjedhja në detyrën e sekretarit amerikan të Shtetit.

“Sekretari Blinken dhe Presidenti Rivlin diskutuan rreth mënyrave për të mbështetur bashkëjetesën dhe tolerancën mes të gjithë qytetarëve të Izraelit pavarësisht trashëgimisë apo prejardhjes”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price në një deklaratë. “Ata riafirmuan rëndësinë e partneritetit të qëndrueshëm SHBA-Izrael dhe nevojën për të mbështetur paqen dhe stabilitetin për të gjithë”.

Zoti Price tha gjithashtu se zoti Blinken e ftoi zotin Rivlin të vizitojë Shtetet e Bashkuara në javët e ardhshme.

Pas bisedimeve të martën në Ramallah me Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas, zoti Blinken tha se do t’i kërkojë Kongresit amerikan të miratojë një ndihmë prej 75 milionë dollarë për palestinezët në Gaza.

“Ne e dimë se dhuna e fundit është pasojë e një numri më të gjerë çështjesh që duhet të trajtojmë nëse duam të parandalojmë përsëritjen e saj dhe kjo është ajo për të cilën biseduam sot”, tha zoti Blinken. “Ne e mirëpresim armëpushimin që vazhdon të jetë i qëndrueshëm, por kjo nuk është e mjaftueshme. Ne duhet të ndërtojmë mbi armëpushimin, e të përpiqemi t’i lëvizim gjërat në një drejtim vërtet pozitiv”.

Zoti Blinken përsëriti gjithashtu të martën besimin e administratës Biden se një zgjidhje me dy shtete “është mënyra e vetme për të siguruar realisht të ardhmen e Izraelit si një shtet hebre dhe demokratik. Dhe natyrisht, për t’u dhënë palestinezëve shtetin që kanë të drejtë të kenë”.

Diplomati i lartë amerikan tha se Shtetet e Bashkuara do të rihapin konsullatën në Jeruzalem e cila u mbyll në vitin 2019 nga administrata Trump si dhe se do të sigurojnë 5.5 milionë dollarë ndihmë të menjëhershme për raste fatkeqsish si dhe më shumë se 32 milionë dollarë për një fushatë emergjente humanitare të Kombeve të Bashkuara.

Zoti Blinken tha se rihapja e konsullatës është “një qasje e rëndësishme që vendi ynë të angazhohet dhe të sigurojë mbështetje për popullin palestinez”.

Për sa i takon Hamasit, grupit që kontrollon Gazën dhe që është shpallur nga Shtetet e Bashkuara si grup terrorist zoti Blinken tha se: “Ne do të punojmë për t’u siguruar që Hamasi të mos përfitojë nga përpjekjet për rindërtim (të Gazës)”.

Më herët gjatë ditës, sekretari i Shtetit nënvizoi të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur ndërsa vizitoi Jeruzalemin, si pjesë e një përpjekjeje për të forcuar armëpushim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button