Home / Kryeartikull / Shteti sipas shqiptarëve

Shteti sipas shqiptarëve

ilitr-yzeiri-1-200x300Nga Ilir Yzeiri

Edi Rama, në krye të qeverisë së koalicionit të majtë që erdhi në pushtet më 23 qershor 2013, ka ndërmarrë një sërë aksionesh që kanë prekur modelin e shtetit dhe të qeverisjes në Shqipëri. Beteja që ka nisur ai dhe qeveria e tij për të ndaluar vjedhjen e energjisë elektrike dhe beteja tjetër që shoqëron këtë aksion, ajo për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonat urbane, kanë nxjerrë edhe njëherë në reliev një debat që shqiptarët do të duhej ta bënin me kohë dhe ky debat, sipas meje, duhet të vërtitet rreth argumentit: shqiptarët do të ndërtojnë shtetin e së drejtës apo do ta lënë të drejtën e qeverisjes në dorë të më të fortit të lagjes, më të fortit të katundit, më të fortit të qytetit të cilët, bashkë me të fortët në qeveri, plazmojnë modelin e shtetit ku territori dhe pasuria publike nuk administrohet nga anëtarët e bashkësisë apo të komunitetit të gjerë të shqiptarëve, por nga njerëzit e dhunshëm që rrëmbejnë territorin, pasurinë publike dhe e përdorin atë si mundësi për t’u pasuruar dhe për t’u sjellë me këtë vend ashtu siç silleshin dikur të dërguarit apo të mandatuarit e Baba Dovletit.

Tradita e trishtuar

Historia jonë ka shumë anë të errëta që ne nuk i kemi ndriçuar ende sa dhe si duhet. Ne nuk kemi ditur ta lexojmë të shkuarën tonë në mënyrë të mençur që të ruhemi prej defekteve tona, në mënyrë që të mos vijojmë të sillemi keq dhe mbrapsht me veten tonë, me territorin tonë dhe me pasurinë tonë publike. Në qoftë se je duke udhëtuar me avion dhe hedh sytë poshtë në territorin shqiptar, do të vëresh një llahtar asimetrik me banesa që duken sikur kanë rënë nga qielli në mënyrë të çrregullt. Gjithkush ndërton atje ku i teket dhe nuk pyet fare për tjetrin. Po të vëresh gjetkë, por qoftë edhe Kosovën, fshatrat janë të mbledhura, shtëpitë kanë një simetri të pranueshme për të mos folur pastaj për vendet e zhvilluara të Europës që ngjajnë si kartolina dhe territori është respektuar dhe administruar deri në perfeksion. Është histori e gjatë që të tregojmë se përse ka ndodhur kështu, pra përse ne sillemi ende si vandalë dhe si barbarë me territorin dhe me pasurinë publike, por unë do të mjaftohem këtu vetëm duke nënvizuar që në rrymë të shekujve, shqiptarët u penalizuan rëndë nga historia dhe territori i tyre nuk kaloi kurrë nëpër atë rrugë që kaloi në vendet perëndimore. Për shekuj të tërë, ky territor u braktis dhe duke mbetur pjesa e humbur e Perandorisë Otomane, ishte jashtë të gjitha vëmendjeve të zhvillimit. Një ndër tragjeditë më të mëdha që na vjen nga e shkuara, është rrënjosja e modelit të qeverisjes nga elita e banditëve ushtarakë të Perandorisë Otomane. Gjatë atyre shekujve të errët, shqiptarët ngulitën fort në vetëdijen e tyre se për të përballuar jetën dhe sfidat e ekzistencës duhet të mbështeten vetëm te vetja dhe tek uni i tyre. Gjithçka jashtë tyre ishte armiqësore. Kjo bëri që territori, e mira publike të mos shiheshin si pjesë e konstitucionit të tyre psikik. Luftërat e mëdha për t’i mbrojtur territoret dhe për të mos u asimiluar nga fqinjët ishin më shumë prirje për të sfiduar kundërshtarin dhe për t’i treguar atij supremacinë fizike sesa për të ruajtur një traditë qytetërimi që shqiptarët nuk e kishin. Gjithmonë e kam pyetur veten se përse ne nuk u asimiluam nga romakët siç ndodhi me galët francezë apo me trakët rumunë. Dhe përse u përshtatëm me otomanët aq mirë. Ky ndoshta është një problem i antropologjisë kulturore e historike që nuk është ndriçuar sa duhet. Por fakt është që territori i këtij vendi deri në agim të shekullit XX ishte vendi më i prapambetur në Europë, dhe banorët e tij ishin në gjendjen primitive të zhvillimit. Po territori i kujt ishte?

Atdheu i askujt

Deri në vitin 1912, territori i Shqipërisë ishte pronë e Sulltanit, i cili pjesë të ndryshme të tij ua kishte dhënë si shpërblim ofiqarëve të lartë shqiptarë. Historia e pronës në Shqipëri kurrë nuk është sqaruar sa dhe si duhet, por ky është një problem tjetër që meriton një analizë më të zgjeruar. Por ajo që bie në sy menjëherë është se edhe ata që e kishin në zotërim këtë territor nuk e përdorën kurrë në shërbim të komunitetit, por e përdorën gjithmonë vetëm si mjet për të forcuar identitetin e tyre. Me këtë model pronësie në vend u nxit ideja se territori mund të të shërbejë si plaçkë për t’u pasuruar, por nuk mund të jetë një e mirë e përbashkët. Ne e kemi harruar ose nuk e përmendim, por paradigma e beut me fshatarin e varfër apo me ndonjë cub që e sfidonte beun ishte më e përhapura në kohët historike. Reformat që ndërmori Zogu për ta oksidentalizuar këtë vend dhe për të vendosur një qasje tjetër ndaj territorit, duke zhvilluar qytetet dhe institucionet e tregut të lirë, shoqëroheshin gjithmonë me stilin oriental të qeverisjes. Ndërsa eksperimenti komunist ishte katastrofa që i vuri vulën një mendësie tjetër. U kalua nga modeli i plaçkitjes në emër të individit, në modelin e shkatërrimit në emër të të gjithëve.

Përzierja e modeleve

Mirëpo në këta njëzet e ca vjet pas rënies së komunizmit, shqiptarët i bënë të gjitha eksperimentet me territorin dhe me pasurinë publike. Ajo që u shfaq qysh në fillim, ishte triumfi i mendësisë së cubit dhe të individit. Shqipëria ishte pa asnjë institucion besimi dhe në emër të kapjes së kohës së humbur dhe duke imituar kapitalizmin barbar, territori i vendit dhe shteti u pushtua nga shqiptarët dhe atë që nuk e kishin bërë pushtimet me vite të tëra dhe komunizmi për 50 vjet, e bënë shqiptarët në këta njëzet e ca vjet. Masakër mbi ambientin, mbi plazhet, mbi tokën bujqësore, masakër mbi financat publike. Dhe dalëngadalë u kthyem në modelin e vjetër të feudalit dhe të beut. Në Shqipëri ka një shtresë pasanikësh, por nuk ka pasuri publike, nuk ka një markë shqiptare prodhimi, ka vetëm shqiptarë miliarderë që i mbajnë miliardat nëpër banka dhe një turmë të madhe njerëzish të drobitur.

Sfida e Edi Ramës

Edi Rama ka marrë përsipër ta kundërshtojë këtë model dhe të ndërtojë një model tjetër. Për të ndaluar vjedhjen e energjisë elektrike dhe për të vendosur disi rregull në territor, duke prishur fillimisht ndërtimet pa leje. Ai ka zgjedhur për këtë vijën e ashpër dhe pa asnjë kompromis, duke nxjerrë në rrugë policinë dhe duke e trajtuar vjedhësin e energjisë elektrike si një shkelës të ligjit që e ngarkon me përgjegjësi penale. Shfaqja e policisë në aksionet e qeverisë për të vendosur rregull në administrimin e territorit dhe të pasurisë publike ka nxitur te disa kundërshtinë dhe i ka bërë ata që të deklarojnë se tani po bëhemi shtet policor. Në Shqipëri është krijuar një strukturë e posaçme vëzhguesish që komentojnë jetën te ne, ashtu si ata komentatorët sportivë që mbushin studiot nëpër televizione të ndryshme. Mirëpo debati nëse duhet përdorur policia për të ndëshkuar shkelësit e ligjit apo jo është vërtet qesharak. Është njësoj sikur të pyesësh dikë: Çfarë duhet të bëj unë nëse dikush më vjedh, të lajmëroj policinë apo ta bind hajdutin? Po nëse ai do të më vrasë, si t’ia bëj, të ulem e ta bind apo të lajmëroj policinë? Pra, si duhet të sillemi me atë që prek pronën publike? Për fat të keq ajo pjesë e vëzhguesve të trishtuar që komenton aksionet e policisë, duke ngrënë fara kungulli nëpër stacione televizive, ngatërron të drejtën e ligjit dhe të drejtën për të shkelur ligjin. Një shtet policor e përdor policinë për të shtypur opozitën, për ta varë atë dhe për t’i mbyllur gojën kundërshtarit politik. Një shtet policor dhunon zgjedhjet dhe institucionet e pavarura. Një shtet policor dhunon mediat dhe shoqërinë civile. Ndërsa një shtet i së drejtës nuk lejon që kriminelët dhe hajdutët të vjedhin apo të plaçkitin bashkësinë dhe qytetin. Nëse një shtet i tillë është shtet policor, atëherë unë e dua këtë shtet.

Leave a Reply

%d bloggers like this: