Home / Ekonomia / Publikohet tabela e çmimeve të reja të energjisë të propozuara

Publikohet tabela e çmimeve të reja të energjisë të propozuara

Publikohet tabelën përfundimtare të çmimeve si për konsumatorin familjar ashtu edhe biznesin, çmime që janë kërkuar që të rriten nga tre operatorët e këtij sektori. Mbi bazën e këtyre çmimeve, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) pritet të zhvillojë sot një seancë dëgjimore, me palët e interesit, mbi aplikimet e tre operatorëve energjetikë për tarifat e reja të energjisë elektrike për vitin e ardhshëm.

tabela

ERE mësohet se ka bërë gati tabelën e konsoliduar sipas kërkesave të KESH-it, OST-së dhe OSHEE-së. Tabela që përveçse pritet të diskutohet sot gjatë seancës dëgjimore në tryezën e palëve të interesuara, është parashikuar të shoqërohet edhe me vendimin final në lidhje me çështjen e çmimit. Nga tabela rezulton se çmimi për konsumatorët familjarë është kërkuar në një bllok dhe në nivelin 11.08 lekë për kilovatorë, ndërkohë që për bizneset është kërkuar të jetë mesatarisht 12.83, për industrinë dhe shërbimet dhe më e lartë për institucionet buxhetore. ERE dje publikoi edhe njoftimin “Mbi publikimin e aplikimeve për tarifa te shërbimeve të energjisë elektrike si dhe tarifat e shitjes për konsumatorët për vitin 2015”. Në zbatim të ligjit “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, i ndryshuar, kompanitë publike KESH sh.a., OST sh.a. dhe OSHEE sh.a kanë aplikuar pranë EREs për miratimin e tarifave të reja të shërbimeve të energjisë dhe çmimet e konsumatoreve fundore për vitin 2015. Bordi i Komisionerëve të ERE, bazuar në ligjin e sipërcituar si dhe në Rregullat e Praktikës dhe Procedurat e EREs”, ka miratuar fillimin e procedurave për shqyrtimin e këtyre aplikimeve për miratimin e tarifave të reja. Bazuar në nenin 21/7/b të “Rregullave të Praktikës dhe Procedurave të ERE-s”, miratuar me vendimin e Bordit të Komisionerëve të ERE-s nr.21, datë 18 Mars 2009, informohet publiku për kresat e tre operatorëve. Në të gjithë sistemin e energjisë, dhe nga të gjithë operatorët vetëm tre prej tyre kanë kërkuar rritje të çmimit me justifikimin për të mbuluar shpenzimet. Sipas tabelës ku janë edhe tarifat sipas sektorëve, ne tabelën përfundimtare çmimi më i lirë i shitjes me pakicë është për furrat e bukës dhe prodhuesit e miellit, për të cilët është kërkuar që çmimi të jetë 9.56 lekë/kwh. Ndërsa çmimi më i lartë është për buxhetorët me 17.59 lekë/ kwh, në këtë rast bëhet fjalë për klientë që furnizohen më linjën e tensionit të ulët 0.4 KV. Për secilën linjë tensioni ka edhe nënçmimet përkatëse. Nga tabela vihet re se linjat për konsum vetjak si ato te tensionit të ulët, të mesëm dhe të lartë janë në nivele më të shtrenjta se të tjerat. Linja e tensionit ë ulët dhe ajo e tensionit të lartë do të shiten me pakicë me çmimin 15.23 lekë/ kwh, ndërsa linja e tensionit të mesëm për konsum vetjak kushton 12.49 lekë/ kwh. Megjithatë në fund të tabelës së strukturës së çmimeve të propozuara për shitjen e energjisë me pakicë sugjerohet në 12.32 lekë/kwh.

Çmimet e sugjeruara 

KESH sh.a për sa i përket “Tarifës së shërbimit të prodhimit (gjenerimit)të energjisë elektrike” tarifa ekzistuese është 1 lek/kwh, është po e njëjta vlerë e sugjeruar për 2015-ën. Ndërsa tarifa e furnizuesit publik me shumicë (FPSH) nga 2.2 lekë/kwh është sugjeruar të rritet në 3.34 lekë/kwh. Rritja e kërkuar është 51.8 për qind. KESH sh.a ka aplikuar për rritje çmimi më 31 tetor të vitit 2014 dhe vendimi për publikimin e kësaj rritje është bërë më 7 nëntor të po këtij viti. OST sh.a, ka kërkuar rritje çmimi për tarifën e shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike. Ajo ka kërkuar që çmimi të shkojë nga 0.65 lekë/kwh që është aktualisht në 0.73 lekë/kwh, një rritje prej 0.08 lekë më shumë nga çmimi aktual, duke kërkuar një rritje 12.3 për qind. Po ashtu OST-ja, ka aplikuar për rritje çmimi në datën 22 shtator dhe vendimi i ERE-s, për pranimin e kërkesës për shqyrtimin e rritjes së çmimit, u mor në 6 tetor. Operatori i tretë i sistemit elektroenergjetik, OSHEE sh.a, ka kërkuar një rritje çmimi në masën 38 për qind për tarifën e shërbimit të shpërndarjes së energjisë elektrike tek konsumatorët. Tarifa ekzistuese është 5 lekë/kwh dhe është propozuar që të bëhet 6.9 lekë/kwh. Kjo e fundit mësohet se ka aplikuar për rritje të çmimit me 12 nëntor të këtij viti, dhe vendimi për pranimin e shqyrtimit të kërkesës është marrë 6 ditë më vonë.

Arrestohet drejtori i OSHEE-së për vjedhje energjie

Është arrestuar për vjedhje të energjisë, drejtori i OSHEE-së në Tropojë, Rustem Gjoni. Së bashku me të edhe 17 persona të tjerë. Policia e Shtetit në bashkëpunim me OSHEE-në, kanë vijuar punën e përbashkët në të gjithë vendin për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike. Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 30 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 30 autorë. Gjithashtu janë shpallur në kërkim 5 persona, si dhe ndiqen në gjendje të lirë 8 persona të tjerë. Nga kontrollet e përbashkëta janë evidentuar 1.866 raste, si dhe janë ndërprerë 1.175 lidhje të paligjshme të energjisë dhe abonentëve debitorë. Po gjatë ditës së djeshme janë kontrolluar 119 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina. Nga njoftimi zyrtar, aksioni i ndalimit për abuzuesit e energjisë do të vazhdojë deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.

OSHEE: Po përgatisim masat lehtësuese 

Pavarësisht deklarimit të para tri ditëve të ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, për një ulje të vlerës së kamatëvonesave deri në masën 80 për qind, nëse këto detyrime shlyhen deri në datën 1 mars të vitit 2015, sërish OSHEE ka dalë në një deklaratë publike. Ky institucion deklaroi për median dhe opinionin publik se po merr masat për të nisur sa më shpejt vënien në zbatim të skemës lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura (principal dhe kamatevonesa) nga konsumatorët familjarë. Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit po programon sistemin e pagesës në përputhje me skemën e re të aktmarrëveshjeve, sipas vendimit të marrë prej Këshillit Mbikëqyrës të Kompanisë. Pritet që po gjatë ditës së sotme, OSHEE të dalë në përfundimin e strategjisë se si do të jetë procedura lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Ndërsa vendimet e bëra publike për këtë masë lehtësuese për konsumatorët që kanë detyrime të pashlyera ndaj OSHEE-së janë:

1. Të gjithë konsumatorëve familjarë, të cilët rezultojnë debitorë për detyrimet e energjisë (principal dhe kamatë vonesë), u krijohet mundësia e ekzekutimit me këste të këtij detyrimi.

2. Nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes për pagesën me këste të detyrimeve, Shoqëria nuk do të llogarisë më kamatë vonesa për periudhën kohore që parashikohet në marrëveshje për ekzekutimin e plotë të detyrimit.

3. Shoqëria do të marrë masa që të përcaktojë si kusht në marrëveshje detyrimin e konsumatorëve familjarë, që brenda afateve kontraktore të shlyejnë faturën korrente të energjisë dhe një vlerë përkatëse që i korrespondon një pjese të detyrimit të prapambetur. Vlera e këstit mujor për ekzekutimin e detyrimit të prapambetur, negociohet rast pas rasti nga shoqëria, por në çdo rast, nuk mund të jetë më e vogël se 2,500 lekë në muaj.

4. Përjashtimisht, për familjet e kategorizuara në sistemin e ndihmës ekonomike, vlera e këstit mujor për ekzekutimin e detyrimit të prapambetur, negociohet rast pas rasti nga shoqëria por në çdo rast, nuk mund të jetë më e vogël se 1 mijë lekë në muaj.

5. Për konsumatorët familjarë, që kanë detyrime të prapambetura të energjisë elektrike, të cilët bien dakord të shlyejnë menjëherë të gjithë detyrimin e prapambetur (principal +kamatë vonesë), Shoqëria OSHEE sh.a do të aplikojë një zbritje të vlerës së detyrimit të kamatë vonesave në nivelin prej 80 për qind. Ky kriter do të aplikohet edhe në rastet kur detyrimi i prapambetur përfaqësohet vetëm nga kamatëvonesa. Kjo mundësi pagese do të jetë e vlefshme deri në datën 1 Mars 2015.

6. Kushtet e mësipërme nuk do të aplikohen nëse konsumatorët familjarë, nuk respektojnë detyrimet sipas marrëveshjes së nënshkruar me Shoqërinë OSHEE sh.a. Në këtë rast, ndaj këtyre konsumatorëve do të aplikohen detyrimet e parashikuara në kontratën e furnizimit, përfshirë edhe përllogaritjen e kamatë vonesës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.