Kronika

Mësuesit që nuk kanë paguar energjinë, sot mbeten pa punë

Urdhri

MAS, drejtorëve në rrethe: Largoni nga puna debitorët ose ikni vetë!

faturat-e-cez_1Të gjithë ata mësues apo punonjës të administratave të shkollave që paguhen nga drejtoritë arsimore, të cilët nuk kanë paguar faturat e prapambetura të energjisë elektrike apo nuk kanë lidhur kontratë me OSHEE-në, do të largohen sot nga puna. Urdhri i Ministrisë së Arsimit e Sportit ka mbërritur pranë drejtorive rajonale arsimore në të gjithë vendin më datë 30 dhjetor 2014, ku jepej e gjithë procedura që duhej të ndiqej për verifikimin e debitorëve dhe pushimin e tyre nga puna. Në udhëzimin e MAS, drejtorëve rajonalë të arsimit u është thënë se në rast se ky proces do të dështojë, atëherë do të jenë ata të cilët do të largohen nga puna.

Urdhri

Në këtë urdhëresë kërkohet që të veprohet në mënyrë të saktë dhe urgjente brenda datës 3 janar 2015, duke bërë të mundur saktësimin e pagesave të energjisë elektrike nga ana e mësuesve dhe pjesës tjetër të administratës që paguhen nga DAR. Kjo detyrë i është dhënë çdo drejtori shkolle në republikë, ku u kërkohet të evidentojnë disa pika. Sipas urdhrit të MAS, çdo drejtor shkolle duhet të komunikojë me përgjegjësi maksimale me çdo punonjës të institucionit arsimor që ai drejton, për t’u siguruar se deklarimi i pagesës së energjisë përputhet me librezën e energjisë elektrike. Ndërkohë, çdo punonjës që është debitor dhe që nuk paraqet në drejtori kontratën me OSHEE-në më datë 5 janar 2015 (sot), kur edhe fillon puna, do t’i komunikohet zgjidhja e menjëhershme dhe e njëanshme e kontratës. Drejtorëve u është kërkuar që më datën 3 janar 2015 të dërgojnë pranë drejtorive arsimore rajonale e më pas në MAS informacionin e kërkuar lidhur me numrin e punonjësve, atyre që kanë paguar energjinë, atyre që janë debitorë, janë debitorë dhe kanë kontratë me OSHEE-në dhe numrin e atyre që u është njoftuar zgjidhja e kontratës për mospagim të energjisë. Në kërkesën e MAS thuhet se, në rast se informacioni nuk mbërrin në kohën e duhur ditën e hënë (sot), më datë 5 janar 2015, atëherë drejtorëve të shkollave do t’u zgjidhet në mënyrë të menjëhershme dhe të njëanshme kontrata e punës. Drejtorët janë sqaruar se mund ta zgjedhin vetë metodën e komunikimit me mësuesit, me qëllim sigurimin e saktë të informacionit. Aty theksohet fakti se ky urdhër ka dalë bazuar në një kërkesë urgjente të Kryeministrit, kërkesë e cila është përcjellë në të 12 qarqet nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm të MAS. Po në këtë urdhëresë është sqaruar edhe fakti se nëse kjo detyrë nuk realizohet prej drejtorëve të shkollave dhe nëse ndaj tyre nuk merren masa nga ana e drejtorëve të DAR-ve në qarqe, atëherë nis zgjidhja e kontratës në mënyrë të menjëhershme për këta të fundit.

Reforma

Reforma në arsim nisi me evidentimin e gjithë mësuesve jashtë profilit dhe largimin e tyre nga puna. Ndërkohë, veç atyre jashtë u larguan nga vendi i punës edhe ata mësues që ishin të dubluar me kolegë të tyre. Në fillim të dhjetorit u zhvillua një konkurs për t’u dhënë mundësinë e punësimit të gjithë të diplomuarve në mësuesi. Ata që kanë arritur më shumë pikë do të jenë zëvendësuesit e mësuesve jashtë profilit dhe atyre që largohen nga mësimdhënia, për shkak të moshës apo arsye të tyre personale. Ndërkohë, pritet që në maj të zhvillohet një testim i gjithë mësuesve, duke bërë kështu të mundur diferencimin e nivelit profesional të mësuesve në të gjithë vendin. Por kjo reformë po shoqërohet edhe me largimin nga puna të gjithë atyre mësuesve që nuk kanë paguar ende faturat e prapambetura të energjisë elektrike apo që nuk kanë lidhur një kontratë afatgjate për shlyerjen e tyre. Re. Rre.

Formulari që duhet të plotësojnë drejtorët

Shkolla xxx

DAR xxx

a) punonjës gjithsej = _____

b) Kanë paguar energjinë = ____

c) Janë debitorë = ____ (Emri … Mbiemri …)

d) Janë debitorë, por kanë kontratë me OSHEE = 0

e) U është njoftuar zgjidhja e kontratës për mospagim të energjisë = ____

(Emri … Mbiemri …) kontratë me OSSHEE B _ xxxxxx. Debia xxx lek

Praktika

Formularë për debitorët në çdo institucion shtetëror

Formularë për debitorët e energjisë elektrike mësohet se janë përgatitur edhe për institucionet e tjera të vendit, megjithëse nuk ka informacion se cili është afati që u është dhënë punonjësve për të nënshkruar një kontratë për shlyerjen e borxhit ndaj OSHEE-së. Debitorë të shumtë të OSHEE-së mësohet se kanë pasur edhe strukturat policore, por atyre u është dhënë një afat që të shlyejnë një pjesë të borxhit, të nënshkruajnë një kontratë me OSHEE-në për të paguar me këste dhe duke dorëzuar këtë dokument pranë institucionit, ku është i punësuar, ai mund të mbajë vendin e punës. Megjithatë, policia nuk ka dhënë informacion sesa kohë u është dhënë punonjësve debitorë për të plotësuar këto kushte që të mbajnë vendin e punës. Ndërkohë, një praktikë e tillë, e cila po ndiqet masivisht nga qeveria, është kritikuar nga Avokati i Popullit, pasi marrëdhëniet mes abonentëve dhe OSHEE-së rregullohen në gjykatë dhe nuk kanë pse të jenë pjesë e një tjetër kontrate, pasi janë lidhur me kushte të ndryshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button