Kronika

Ekspertët zbërthejnë tablonë e videos, cilët janë protagonistët

Vajza – Viktima e abuzimit seksual është një gjimnaziste 17-vjeçare, me inicialet Xh.K., nxënëse e vitit të dytë në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi” në Tiranë

Dy adoleshentët – Policia tha se ka identifikuar dy adoleshentët. Ata janë shokët e vajzës, ndërsa mbrëmjen e 28 shkurtit 2014 kishin dalë me shoqërinë në lokalet e natës në Tiranë

Evarist Pasha – Punonjësi i një agjencie funeralesh pranoi se gjendej pranë vendit ku ishte xhiruar videoja për shkak se kishte kujtuar se vajza ishte në gjendje të pashpresë për jetën

Policia – Deri dje pasdite, policia tha se ka shoqëruar në polici Pashën, ndërsa po kërkon edhe dy adoleshentët. Procedimi penal është regjistruar për ngacmim seksual

qsutPranga punonjësit të funeraleve, në kërkim edhe dy gjimnazistët. Vajza jep dëshminë në polici

Policia ka kontaktuar me familjet e dy djemve, të cilëve u është kërkuar dorëzimi i tyre sa më parë

Punonjësi i shërbimit funeral ka precedentë të mëparshëm kriminalë, në vitin 2009 u dënua për trafik droge

Nga Mariglen Mullai

Dhjetë muaj më parë, tre gjimnazistë të “Petro Nini Luarasit”, pasi konsumuan alkool, gjendeshin në shtratin e urgjencës të sëmundjeve të brendshme të spitalit “Nënë Tereza”, ku iu bashkua një punonjës i një agjencie funerale. Dy djemtë adoleshentë kishin sjellë shoqen e tyre bashkëmoshatare për kurim në spital, ndërsa 24-vjeçari gjendej aty për “gjueti” të vdekurish. Kjo është pak a shumë tabloja e videos së shumëdebatuar, e cila u publikua para tri ditësh nëYouTube, xhirime të cilat janë fshirë tashmë nga rrjeti. Si rezultat i hetimeve të nisura pardje, rreth orës 14:00 nga Prokuroria e Tiranës, policia e këtij qarku ka mundur të ekzekutojë një urdhër-ndalim dhe shpalli në kërkim dy persona, të cilët janë protagonistët e videos. Ndërsa dje, gjimnazistja 17-vjeçare, me inicialet Xh.K., nxënëse e vitit të dytë në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”, në Tiranë, ka dhënë dëshminë e saj në ambientet e policisë, në bazë të së cilës janë identifikuar dy të rinjtë që realizuan filmimin 50-sekondësh, natën e 28 shkurtit të vitit 2014. Ata janë gjithashtu nxënës në të njëjtin gjimnaz dhe sipas dëshmisë së vajzës, pasi kishin konsumuar alkool në orët e mbrëmjes, ajo kishte pësuar një gjendje të fikëti e më tej e transportuan në spital, ku mbërriti pas mesnate. Për sa i përket personit tjetër, 24-vjeçarit Evarist Pasha, lindur në Tepelenë dhe banues në lagjen “Porcelan” të Tiranës, vajza e mitur tha se nuk e njihte. Nga ana tjetër, vetë Pasha, punonjës i një agjencie funeralesh, pranë qendrës spitalore “Nënë Tereza”, gjatë marrjes në pyetje, ka pranuar në ambientet e Policisë së Tiranës se gjendej pranë vendit ku ishte xhiruar videoja për shkak se kishte kujtuar se vajza ndodhej në gjendje të pashpresë për jetën dhe ai si punonjës funeralesh kishte gjetur një rast “pune”. Kështu, ekspertët e grupit hetimor, të ngarkuar për zbardhjen e kësaj ngjarjeje që tronditi rëndë të gjithë opinionin publik, kanë mundur që brenda një harku të shkurtër kohor të zbërthejnë mekanizmin e ngjarjes së rëndë, për të realizuar më pas edhe identifikimin e autorëve. Tashmë pritet vetëm ndalimi i dy adoleshentëve, teksa janë vënë kontaktet me familjarët e tyre, për të mundësuar dorëzimin brenda një kohe të shkurtër, në mënyrë që edhe ata të japin versionin e tyre për ngjarjen, pasi momentalisht janë të akuzuar për “ngacmim seksual”.

Punonjësi i funeralit

Evarist Pasha, 24 vjeç, nga Tepelena, ish-student infermierie, është ndaluar dje, pas urdhrit të lëshuar nga ana e Prokurorisë, 24 orë pas nisjes së hetimeve. Ai është një person me precedentë të mëparshëm penalë pasi është dënuar në vitin 2009 për trafik droge, teksa në këtë kohë ka ndërprerë studimet e larta për infermieri. Në vitin 2010 ai është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, por ka qëndruar vetëm një vit në qelitë e paraburgimit. Pasha është dënuar për trafikim të lëndëve narkotike të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Policia dhe prokuroria nisën hetimet pardje, pasi ministri i Shëndetësisë kërkoi ndihmë për ekspertizë. Menjëherë u kontaktua me qendrën spitalore, nga ku u mundësua verifikimi i kartelave mjekësore dhe më tej u identifikua 24-vjeçari, i cili është punonjës funeralesh. Menjëherë pas shoqërimit të tij, para dy ditësh, 24-vjeçari ka rrëfyer në polici emrat e protagonistëve të tjerë të ngjarjes dhe pasi dha versionin e tij, policia e akuzon për “ngacmim seksual” dhe e mban në ambientet e izolimit të drejtorisë së Tiranës. Nga dëshmia e tij mësohet të jetë shprehur se është paraqitur në urgjencë për t’u interesuar për ndonjë pacient që mund të kishte ndërruar jetë. Në ato momente ka parë të rinjtë që ngacmonin vajzën dhe më pas është bërë pjesë e skenës që duket në video.

Adoleshentët

Pas momenteve të para, kur Pasha dha dëshminë e tij në polici, grupi hetimor, arriti të identifikonte tre të rinjtë që kishin mbërritur në qendrën spitalore më 28 shkurt. Vajza me inicialet Xh.K, u mor në pyetje dje dhe ajo u dha ekspertëve të policisë emrat e dy shokëve të saj. Nga burimet e Policisë së Tiranës gazeta “Shqip” mësoi se dy djemtë 17-vjeçarë janë gjithashtu nxënës në vitin e dytë të gjimnazit “Petro Nini Luarasi” dhe gjatë gjithë natës së 28 shkurtit 2014 kishin konsumuar alkool. Më pas, vajza nuk ishte ndier mirë dhe e transportuan për në spital. Të njëjtat burime policore thanë se është kontaktuar me familjet e dy djemve, të cilëve u është kërkuar dorëzimi i tyre sa më parë. Nga kërkimet paraprake, dy të rinjtë nuk janë gjetur në shtëpi. Policia po vijon kërkimet dhe burimet e policisë thanë se janë siguruar firmat që mundësojnë kontrollet e banesave të disa shokëve dhe të afërmve të tyre, ku mendohet se mund të jenë strehuar. Kërkimet vijuan, por deri dje në orët e vona të mbrëmjes nuk u arrit lokalizimi dhe ndalimi i tyre. Besohet se të rinjtë ndodhen në Tiranë, por policia ka shpërndarë të dhëna edhe në drejtoritë e tjera të policisë, për të bërë kërkime edhe në disa rrethe të tjera.

Policia

Dëshmia e 17-vjeçares në polici, nuk mbante mend ç’ndodhi më pas

“Ishim shumë veta në tavolinë, gjejini dhe dënojini shokët e mi”

Gjimnazistja me inicialet Xh.K., gjatë seancës së marrjes në pyetje, është shprehur se nuk mbante mend asgjë nga nata e 28 shkurtit, përveç orëve të para kur kishin nisur të pinin alkool. Burime të policisë thanë se gjatë dy orëve të marrjes në pyetje, në dëshminë e saj adoleshentja 17-vjeçare, nxënëse në vitin e dytë të gjimnazit “Petro Nini Luarasi” tha se kishin dalë si shoqëri në një nga lokalet e Tiranës. Sipas saj, në tavolinë ishin më shumë se tre persona dhe pasi konsumuan për shumë orë alkool, ajo nuk ishte ndier mirë dhe i kishte rënë të fiktë. Ajo tha se më pas nuk mbante mend gjë, por pasi kishte mësuar publikimin e videos, ajo u dha ekspertëve të policisë emrat e dy shokëve të saj, të cilët gjithashtu ishin në tavolinë atë natë. Ajo kërkoi arrestimin dhe dënimin e tyre, pasi kishin abuzuar me besimin e saj dhe me faktin se ishin shokë. Ndërsa për personin tjetër që shfaqej në video, vajza tha se nuk ndihej mirë. E mitura u shpreh se mbante mend vetëm momentin kur ishte zgjuar, pas asaj nate dhe mjekët e kishin kuruar më pas për dhembjet në bark. Ndërkaq, mësohet se nga hetimet ka rezultuar se gjatë asaj nate pati vetëm prekje me duar, pasi pak momente pas xhirimit të videos, në spital kishin mbërritur familjarët e vajzës, të lajmëruar nga shokët e saj. Në orët në vijim priten të tjera zhvillime nga kjo dosje hetimore. Pas dhënies së dëshmisë, vajza është lënë e lirë, duke iu dhënë mundësia që nëse i kujtohet ndonjë detaj tjetër nga ajo natë, ajo të informojë policinë, që kjo e fundit të arrijë në një kohë sa më të shkurtër të përfundojë hetimet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button