Home / Kryeartikull / “Charlie Hebdo”, dhuna e verbër kundër lirisë

“Charlie Hebdo”, dhuna e verbër kundër lirisë

SKËNDER MINXHOZI

Skender MinxhoziQuhej Ahmed njëri ndër rojet e sigurisë në redaksinë e revistës satirike pariziene “Charlie Hebdo”, që ka mbetur i vrarë dje në Paris, nën breshëritë e armëve të një komandoje që thërriste “Allahu Akbar”. Nuk e ka shpëtuar feja, e cila nga emri kuptohet se është e njëjtë me atë të atentatorëve. Ashtu siç nuk e ka shpëtuar kolegun e tij polic, as lutja me duart lart, që u bënte vrasësve, ndërsa e qëllonin me gjak të ftohtë e duke e parë në sy. Në harkun e pesë minutave Parisi, e bashkë me të, i gjithë Perëndimi, janë zhytur edhe një herë në makthin më të errët të terrorizmit me ngjyrim islamik. Mjafton t’u hedhësh një sy faqeve në internet të gazetave e televizioneve më të mëdha amerikane e europiane, për të kuptuar tronditjen që ka sjellë me vete atentati i Parisit, më i rëndi që mbahet mend në kryeqytetin europian të kulturës dhe të artit.

“Charlie Hebdo” është prej sot një emër tragjikisht i njohur në të gjithë botën. Ashtu siç ka qenë tejet i njohur edhe më parë, në Francë e jashtë saj, kur botonte një seri karikaturash therëse ndaj Islamit. Por edhe ndaj politikanëve vendas, atyre ndërkombëtarë, pa kursyer as klerin katolik. Përfshirë edhe Papën e Romës. Pa reklama dhe me buxhet të vogël, kjo revistë përdorte provokimin vizual, për të kaluar te lexuesit e saj, mesazhet e forta, të cilat shpesh krijonin reagime të forta. Sidomos nga qarqet e Islamit radikal, të cilat kishin kërcënuar e goditur edhe më parë redaksinë e revistës dhe gazetarët e karikaturistët e saj.

Nën plumbat e komandos së armatosur kanë mbetur të vrarë disa prej karikaturistëve më të njohur të Francës: Cabu, një penë therëse dhe inteligjente, drejtori i botimit Charb, karikaturisti 80-vjeçar Volinski dhe kolegu i tij Tignous. Që dje, në faqet e mediave dhe rrjetet sociale, fotot dhe CV e tyre nisën të qarkullojnë në të katër anët e botës. Ishte zgjedhur dita e duhur nga vrasësit me fytyra të mbuluara: qe e mërkura, kur redaksia mblidhej për të diskutuar materialet e numrit të radhës dhe kur “Charlie Hebdo” kishte njoftuar një tjetër botim therës kundër Islamit.

Dje, një komentator i CNN pyeste të ftuarit në studion e tij, nëse “mund të jetë i mjaftueshëm një vizatim, për të shpërthyer një urrejtje të tillë”. Natyrisht që përgjigjja nuk mund të jepet nga asnjë media perëndimore, edhe kur kjo quhet CNN. Sepse siç shkruante dje Salman Rushdie, “totalitarizmi fetar ka shkaktuar një mutacion vdekjeprurës në zemër të Islamit dhe pasojat tragjike i shohim sot në Paris”. Më shumë se kurrë, në këtë moment duket i qartë hendeku i thellë që ndan atë pjesë të botës ku besohet fort te liria e fjalës, me avantazhet dhe kostot që ajo sjell me vete, e pjesës tjetër, atij segmenti radikal islamik (për fat, jo të madh në numër), ku intoleranca dhe dhuna e verbër tentojnë të mbyllin gojën e atyre që mendojnë ndryshe.

Atentati i djeshëm në Paris shënon një episod të skajshëm, që mund të tensionojë edhe më tej marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në Europën e Bashkuar. Kreu i së djathtës franceze, Le Pen, ka përdorur tone të ashpra, duke u shprehur për “masakër të integralizmit islamik”, kurse politikanë të ekstremit të djathtë në Itali i bënë thirrje kryeministrit Renzi, për pezullimin e regjimit të lëvizjes së lirë Shengen. Atentati i Parisit mund të sjellë me vete, si pasojë anësore, forcimin e mëtejshëm të së djathtës, ndërkohë që në horizont po shfaqen edhe grupimet e para anti-islamike, siç është rasti i Padiga-s, një lëvizje e lindur në Dresden të Gjermanisë. Mund të thuhet me plot gojën se kjo që ndodhi dje, është benzina më e panevojshme mbi një zjarr që ka nisur të digjet prej vitesh.

Leave a Reply

%d bloggers like this: