Home / Kryeartikull / Rasti “Varoufakis”: Kur politikanët eksperimentojnë me look-un

Rasti “Varoufakis”: Kur politikanët eksperimentojnë me look-un

MUSTAFA NANO 

Mustafa Nano_1Ka një poezi të Kavafisit, ku flitet për një udhëtim të dikujt për në Itakë e ku ciklopët, posedoni i egër, kanibalët etj., në ndryshim nga udhëtimi homerik i Uliksit, nuk janë në botën reale, por në trurin e shpirtin e atyre që e kanë marrë këtë rrugë. Ky udhëtim është shumë i gjatë dhe – kështu thotë poeti – është për fat të mirë i tillë, ngaqë i rëndësishëm është vetë udhëtimi, e jo destinacioni, në të cilin do të mbërrihet me hir, me pahir. Mirëpo në Greqinë e sotme gjërat nuk janë si në poezinë e Kavafasit. Grekët e këtyre ditëve do donin të mos e bënin këtë udhëtim për në “Itakën” e tyre, d.m.th. Europën, që e kanë humbur prej ca kohësh. E në rrethanat që duhet ta bëjnë, ata do donin të mbërrinin menjëherë në destinacion. Ç’e do se, nga ana tjetër, u duhet të merren seriozisht me ciklopët, kanibalët, Poseidonin e egër, që në këtë rast janë në jetën reale (p.sh. Trojka, Merkeli, papunësia etj.), e jo thjesht në trurin e udhëtarëve.

Mirëpo, Kryeministri Aleksis Cipras e ministri i tij i Financave janë duke shijuar dhe udhëtimin që sapo e kanë filluar, gjithashtu. Uliksi në poezinë e Kavafisit ndalej nëpër limane të ndryshme ose në pazaret fenikase dhe atje blinte perla, korale, abanoz, qelibar, parfume të llojllojshme etj., ndërsa Uliksat e Greqisë së sotme, sidozot Aleksis Cipras e Janis Varoufakis, i pari Kryeministër e i dyti ministër i Financave, kanë gjetur mënyrën e tyre për ta shijuar këtë udhëtim. Ata janë vetvetiu në qendër të vëmendjes për shkak të “udhëtimit” që duhet të bëjnë, por kanë zgjedhur për të rënë në sy, a për t’u dëfryer (udhëtimi do të jetë i gjatë e i mundimshëm, s’ke ç’i bën), a për të dëfryer, edhe një mënyrë tjetër.

Janis Varoufakis ka tërhequr para tri ditësh vëmendjen e botës me look-un e tij, teksa shkeli pragun e ndërtesës së Ministrisë së Financave të Britanisë së Madhe, të njohur me emërtimin “Downing Street Nr.11”. Ai u pa të hynte me pantallona doku me xhepa anash këmbëzave, me një xhup lëkure, poshtë të cilit mbante veshur një xhaketë të zezë e një këmishë të kaltër. Nuk mbante kravatë, dhe mes hapësirës që krijohej midis kopsave të këmishës, teksa u ul në zyrën e George Osborne-it, u duk që nuk kish kanotierë. Nëse ka pasur për qëllim të shtonte sex appeal-in në këtë vizitë të tij të parën jashtë Greqisë si ministër i financave, me fjalë të tjera të rriste interesin lidhur me ato që do të thoshte, si zor t’ia ketë arritur qëllimit. Pothuajse të gjithë u fokusuan te pamja e tij prej këngëtari të muzikës “Rock”. Pati që e vlerësuan për këtë gjetje interesante, por të shumtët nuk ia kanë pritur mirë (“Ngjante si ata që kanë për detyrë të rrinë te porta e një diskoteke e t’u kërkojnë ID-në klientëve që duan të hyjnë në të”, shkruhej në të përditshmen The Telegraph).

Është shefi i tij, Ciprasi që ka tërhequr më së pari vëmendjen me veshjen e tij. Më saktë, me faktin që nuk mban kravatë (Matteo Renzi i dhuroi Cipras-it një kravatë italiane në takimin që patën të dy në Romë, dhe kjo u mor si gjetje elegante, me anë të së cilës Renzi ka dashur t’ia bëjë me dije se veshja informale nuk e ka lënë indiferent). Thonë se ky stil është adoptuar prej tij si një mënyrë për të përcjellë mesazhin se qeverisja e re nuk do ketë të bëjë me luksin e me ngrefosjen, por ky është një shpjegim që nuk ngjit. Kostumi e kravata janë tanimë një traditë ceremoniale që respektohet prej të gjithë atyre, të cilëve u ka rënë në hise të përfaqësojnë vendet e shtetet e tyre në aktivitetet kombëtare e marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kjo nuk është fare një shenjë luksi apo stërhollimi vanitoz. Nuk ka asnjë vështirësi për të pajtuar një qasje kundër luksit me stereotipin ceremonial të kostumit, këmishës e kravatës. Madje, është ky stereotip që sillet si shenjë thjeshtësie, përkorjeje e serioziteti, dhe në të kundërt, plaçkat që kish veshur Varoufakis-i në takimin e Londrës ishin qartazi më të kushtueshme sesa ato të Osborne-it.

Nuk ka dyshim se etika dhe etiketa zyrtare, përfshirë në këtë mes edhe veshja, janë elemente me natyrë dekorative e stilistike, që nuk do duhej të kishin rëndësi, të paktën jo aq – apo jo më shumë sesa ajo që politikanët e shtetarët janë dhe bëjnë, në të vërtetë. E në këtë kuptim, Janis Varoufakis është në rregull, ngaqë ai është një ekonomist plot dije dhe, me gjasë, një ministër/politikan i zoti. Mirëpo, dekori në shumë raste është më shumë sesa një dekor, është element deontologjik, e shí për këtë arsye, identitar. Grekët e thjeshtë kanë treguar se këtë gjë nuk e shohin fare si problem dhe në të njëjtën mënyrë i shohin edhe shumë latino-amerikanë trillet e manierat e udhëheqësve të tyre në këtë drejtim, por të hysh si rock-star atje ku edhe Mick Jagger, në respekt të etiketës, hyn si politikan (fjala vjen, në Downing Street) është një gjetje që nuk ta mbush mendjen.

Mund të ketë të bëjë edhe me limite tonat, që vijnë prej një qasjeje të natyrshme konservative (edhe kur normat që respektojmë e konservojmë mund të mos kenë ndonjë kuptim apo logjikë), por veshja formale e atyre që kanë mandat përfaqësimi të kombit të vet është e rëndësishme në kulturën e traditën perëndimore. Dhe me sa duket, jo vetëm për perëndimin. Veshja formale (kostum, këmishë, kravatë) është tanimë një praktikë e adoptuar edhe në rajone të tjera të botës, në vende që mbahen më të madh, dhe me të drejtë, për një histori të tyre të lavdishme, për një kulturë të tyren të madhe, që ndryshon shumë prej kulturës perëndimore. Kinezët, që dinë të ruajnë me xhelozi çfarë është e tyrja, por që në të njëjtën kohë nuk janë krejt të mbyllur ndaj kulturave të tjera, kanë kohë që vishen si perëndimorë. Japonezët, po se po. Madje, edhe udhëheqës e politikanë të ndryshëm arabë e indianë, ndonëse u përkasin vendeve apo qytetërimeve me qibër e fibër të fortë identitare, janë duke i bërë të tyret konvencionet perëndimore në lëmin e look-ut, veshjes, etiketës.

Përpjekjet për t’iu kundërvënë këtyre konvencioneve janë të hershme edhe në Perëndim. Dhe kuptohet pse. Së pari, është ngazëlluese e ngashënjyese ideja për të sfiduar ca norma e praktika që janë qindravjeçare, dhe së dyti, lufta që u është bërë këtyre konvencioneve ka qenë edhe një mënyrë për të sfiduar establishmentin apo rendin e vjetër, e jo domosdoshmërisht të vjetruar, të gjërave. Por këto përpjekje, megjithatë, nuk kanë ngjitur. Ose nuk kanë zgjatur. Joschka Fischer eksperimentoi ca kohë (ai ka qenë i veshur me jeans e me atlete sportive, teksa ka bërë betimin si ministër ambienti në shtetthin gjerman të Hesse-it), por më vonë, kur u bë një politikan nacional në Gjermani, ai u bë më tradicional se tradicionalët. Me Ramën tonë, që tani është Kryeministër, ka ndodhur e njëjta gjë; veç për veshje sportive plot ngjyra nuk i shkon më mendja. Beppe Grillo, që nga shumëkush shihet si një nga antikonformistët më të mëdhenj në Europën e sotme, nuk para e ka bërë të udhës të hyjë nëpër institucionet e shtetit italian pa kravatë e pa kostum.

Afërmendsh, këto janë thjesht norma konvencionale, e jo urdhërime të librave të shenjtë, e në këtë kuptim as nuk është sakrilegj t’u kundërvihesh, as nuk lëndohet ndokush me nëpërkëmbjen e tyre. Përveç kësaj, Cipras-i e Varoufakis-i nuk janë të fundit në këtë histori. Do të ketë pas tyre të tjerë që, n’daç për vanitet, n’daç për rebelim, do të tentojnë të bëjnë të njëjtën gjë, porl’etiquette – nuk kuptohet deri në fund pse – është një nga gjërat që ndryshon më ngadalë në këtë botë.

One comment

  1. Thjeshtesia e mbitheksuar eshte mendjemadhesi.

    Personat qe ju permendni te cilet me qellim mundohen te injorojne ethiken e paraqitjes Zyrtare ne Europe mundohen sic edhe duket hapur ti japin vehtes me shume rendesi se c’i takon, mundohen ta bejne vehten interesant per publikun boteror.
    Megalomahnia do te behet edhe vete rruga e vuajtjeve te tyre ne te ardhmen nese nuk do te kuptojne se ku jetojne.
    Ishte pikerisht kjo arsyeja qe Odisseut nuk ju dha mundesia te kthehej ne shtepi ne kohe, pa kaluar te gjitha ato pengesa,veshtiresi e humbje te luftetareve, si edhe vuajtjet e families e vendit te tij.
    Parafytyroni sikur Odisseu te mos i ishte mburrur Cyklopit duke i treguar emrin e tij kur ky i fundit i verbuar nga maja e shkembit e pyeti per here te fundit se si quhej.
    Eshte pikerish kjo e meta e grekut qe e beri edhe Homerin e verber te thurte Balladen e tij para mijera vjetesh por sic po shohim ka disa njerez qe s’e mesojne dot kurre.

Leave a Reply

%d bloggers like this: