Home / Arte / Film / Filmi “Tri Dritare dhe një Varje”, fitues i çmimit “Kinemaja për Paqe dhe Drejtësi” në Berlin

Filmi “Tri Dritare dhe një Varje”, fitues i çmimit “Kinemaja për Paqe dhe Drejtësi” në Berlin

Filmi “Tri Dritare dhe një Varje” me skenar të Zymber Kelmendit dhe regji të Isa Qosjes fitoi çmimin “Kinemaja për Paqe dhe Drejtësi”, që organizohet në Berlin prej vitit 2002.
filmiMbrëmja gala ‘Kinemaja për Paqe’, e cila mbahet çdo vit në kohën kur është edhe festivali Berlinale ka për qëllim të rrisë vetëdijen e rëndësisë sociale të filmit dhe ndikimin e tij në perceptimin dhe zgjidhjen e sfidave globale sociale, politike e humanitare të kohës sonë.
Vitet e fundit Kinemaja për Paqe është formuar edhe në New York, Los Angeles dhe Cannes dhe ka mbështetur shumë çështje me ndihmën e artistëve të njohur si Angelina Jolie, Brad Pitt, Sean Penn, George Clooney, Leonardo DiCaprio, Nicole Kidman etj.
Filmi kosovar në mbrëmjen gala të organizuar në KonzertHaus në Berlin u përfaqësua nga regjisori Isa Qosja dhe producentët e filmit Shkumbin Istrefi dhe Mentor Shala.
“Tri Dritare dhe një Varje” flet për Lushen, mësuesen e fshatit, e shtyrë nga ndërgjegjja dhe nevoja e saj për rikthimin e dinjitetit, e cila deklaron para një gazetareje të huaj se ajo dhe tri gra tjera të fshatit janë viktima të dhunimit nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo deklaratë, e cila konsiderohet si turp nga mentaliteti, shkakton shqetësim tek burrat e fshatit, të cilët nën udhëheqjen e Ukës, kërkojnë largimin e saj nga fshati.
Në rolet kryesore interpretojnë Irena Cahani, Luan Jaha dhe Donat Qosja.
Ky film i mbështetur nga QKK-ja është prodhim i kompanisë filmike “CMB” me producent Shkumbin Istrefi dhe Mentor Shala, në bashkëpunim me kompaninë filmike “NiKo Film” me bashkëproducente Nicole Gerhards.

Leave a Reply

Your email address will not be published.