Home / Arte / Muzike / Ministria e Kulturës publikon kalendarin e eventeve për “Ditën e Verës”

Ministria e Kulturës publikon kalendarin e eventeve për “Ditën e Verës”

-14 mars, Dita e Verës, festa e të gjithë shqiptarëve-

15-03-09-07-00-05big_dita_e_veres14 marsi, Dita e Verës, një datë e shënuar, i rikthen kryeqytetit festimet popullore. Ministria e Kulturës, Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me institucionet artistike, shkollat, artizanët, bizneset, etj, kanë hartuar një kalendar të pasur veprimtarish në  Ditën e Verës.

Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet madhërishëm në qytetin e lashtë te (VALMIT) Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 Mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan po edhe në Dibër, Strugë e Prespë.

Dita e Verës do të festohet si një ditë e vërtetë dashurie. Dashuri për njeriun, për natyrën, për jetën. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë.

Duke iu referuar Ditës së Verës, kësaj feste me një shije poetike të hollë e të rrallë, Faik Konica këshillonte dhe uronte, më shumë se një shekull më parë : “Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriu, veçse sjellin një gëzim të kulluar…”

Tirana do të krijojë disa sheshe, lulishte dhe kënde arti, ku qytetarët e Tiranës  do të kenë rastin të ndjekin përgjatë ditës aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat.  Veprimtari të ndryshme artistike do të organizohen nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, Cirku Kombëtar i Tiranës, Teatri Kombëtar i Kukullave, Liceu Artistik “Jordan Misja”, grupet e muzikës alternative, këngëtarët e muzikës popullore, etj.

Në ambientin përpara Galerisë Kombëtare do të kompozohet “Qyteti i Artit”, i rrethuar me piktura të nxënësve të shkollave të ndryshme të kryeqytetit dhe me koncert harqesh nga Orkestra Rinore e nxënësve  të Liceut Artistik  “Jordan Misja”.
Lulet,  simbol i kësaj feste, zënë vendin kryesor në këtë ditë, shoqëruar me ëmbëlsirën tradicionale, ballokumen nga Elbasani. Argëtimet për fëmijë do të jenë të larmishme, që nga koncertet, te pikturat e të tjera aktivitete. Në lulishtet, apo sheshe të improvizuara do të zhvillohen edhe aktivitete  e ndeshje sportive për të rinjtë që duan basketbollin, futbollin, etj.

Një risi për Diten e Verës në kryeqytet  do të jetë hapja e panairit me produkte shqiptare, në sheshin përpara Piramidës. Agjencia publike “Nxitja e Biznesit Social” organizon në prag të ditës së verës, Panairin e Artizanatit, Tiranë. Ky Panair do të organizohet te sheshi përpara Piramidës.

Në Panair do të ekspozohen produktet e 200 Artizanëve nga e gjithë Shqipëria dhe trevat perreth, që u përkasin zonave rurale, të rinj dhe mosha të mesme që hasin vështirësi punësimi ,gratë me probleme social-ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe komuniteti rom.

Festimet në Ditën e Verës do të nisin në orën 10.00-14.00.
Le të urojmë, sërish me gjuhën e Konicës : “Gëzim të kulluar pastë në shtëpinë e çdo shqiptari !”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.