Te ndryshme

Xhon Xhihadisti po kërkon falje. A e dini se për çfarë?

Ai shihet si një xhelat i pamëshirshëm, që i kryen veprimet e tij për llogari të Shtetit Islamik (ISIS ose IS), dhe që i ka kryer ato publikisht, të transmetuara në videoregjistrime që tashmë janë parë nga miliarda njerëz në mbarë globin.

v3-jihadi-john_v2Padyshim se shumë do të ishin të gatshëm të kacafyteshin përnjëmend me të e ta bënin të vuante aq shumë, saqë me shumë gjasa, urimi i vetëm do të ishte që ai në fund të mos vdiste, pasi vdekja për të, siç thotë edhe populli, është “kapak floriri”.

Deri pak kohë më parë, ai njihej vetëm me nofkën “Xhon Xhihadisti”, por emri i tij i vërtetë u mor vesh se ishte Mohammed Emwazi me nënshtetësi britanike e origjinë kuvajtiane. E janë pikërisht mediat angleze ato që nuk rreshtin së informuari në detaje për çdo gjë që ka lidhje me të e familjen e tij.

Pasi cituan tashmë të gjitha burimet e mundshme, zyrtare e jozyrtare, ish-punëdhënësit e tij, mësuesen e kolegjit ku ai kishte studiuar, së fundmi vjen një lajm nga vetë Xhon Xhihadisti, apo “Xhon Xhihadi”, siç njihet më shumë në mediat angleze.

Sipas një raporti të fundit, në një të përditshme britanike thuhet se Mohammed Emwazi më në fund ka kërkuar falje. Por kujdes …! As që bëhet fjalë për falje a ndjesë për aktet makabre e barbare të kokëprerjeve të tjera të ngjashme, të kryera në vijimësi prej tij.

Jo …, ai u kërkon falje familjarëve të tij në Britaninë e Madhe dhe babait në Kuvajt, për turpin që u la në derë atyre, pasi u identifikua nga agjencitë perëndimore.

“Sunday Times” raportonte dje e mbështeste këtë lajm në burime të mirinformuara që kishin lidhje me familjen e tij.

Familja e Xhon Xhihadit ruhet rreptësisht

Një pjesë e madhe e familjes së Xhon Xhihadit jeton në Britaninë e Madhe nën masa të rrepta sigurie nga policia e organet vendase të ligjzbatimit në një vend sekret.

Thuhet se janë bërë edhe kërcënime me vdekje ndaj motrave të 26-vjeçarit xhelat. Shtëpinë e tyre në perëndim të Londrës, familja e tyre ndërkohë e ka braktisur e boshatisur tërësisht. Babai i monstrës Emwazi ndodhet në Kuvajt, vendi i origjinës së tyre.

Deri para pak ditëve, babai i tij, Jasim Emwazi, sipas mediave, i kishte hedhur poshtë akuzat ndaj të birit. “Nuk ka asnjë dëshmi që të na thotë se ai është vërtet xhelati i videove të Kalifatit”, ka qenë pretendimi i tij.

Avokati i tij, Salem al-Hashash, ishte ngarkuar ta mbronte atë kundër të tilla raporteve “të rreme” mediatike, për të cilat ai tashmë pretendon se duhet të marrë edhe një dëmshpërblim.

Avokati jep dorëheqje

Dje, ndërkaq, e përditshmja gjermane “Die Welt”, pohonte se avokati në fjalë, e kishte braktisur tashmë misionin e tij, “për arsye personale”, siç kishte thënë ai.

Xhon Xhihadisti shihej shpesh nëpër videot e ekzekutimeve makabre me një thikë në dorë dhe i mbuluar i gjithi në të zeza. Theksi i tij britanik e tradhtonte ose më mirë, dëshmonte qartazi për origjinën e tij britanike, e madje për të qenë më të saktë, londineze.

Ai për shumë vite rresht ishte në fokus të shërbimeve sekrete britanike, e megjithatë, ia kishte dalë mbanë të zhdukej e të shfaqej në Siri, nga ku nisi të kryente plot zell krimet e tij, të cilat tashmë edhe sipas teologëve më të zellshëm islamë, nuk do të gjejnë shërim as në botën tjetër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button