Home / Arte / Film / Shqipëria, pa një muze filmi

Shqipëria, pa një muze filmi

Çfarë ka mbetur sot nga më shumë se gjysmëshekulli prodhim kinematografik në ish-gjigantin e filmit Kinostudio…? Pse nuk ka ende një muze për të ruajtur dhe për të ekspozuar ecurinë e kinemasë shqiptare… Kujtim Gjonaj: Krijimi nën propagandë ka ndikuar në moskrijimin e një muze… – Kujtim Gjonaj

“Mendoj se historia mbetet histori, me të gjitha dritëhijet e saj, ndaj muzeu për kinematografinë është domosdoshmëri, pasi aty nuk është vetëm historia e atyre që krijuan dhe realizuan ato vepra, por dhe historia e vendit tonë dhe përpjekjet tona për një jetë më të mirë”. – Sabina Kodra

timthumb“Në rastin e Shqipërisë është vonë për një Muze të tillë, filmi, ndoshta dhe për faktin se gjithë skenografia, materialet dhe gjithçka tjetër interesante nga ajo periudhë historike janë shkatërruar apo marrë nga njerëzit”.

Sabina Kodra

Sabina Kodra

Ndërsa mbi pallto i kanë rënë fijet e dëborës, Adriana Elini dhe Margarita Lala duken të qeshura në një foto që duhet të jetë shkrepur pas viteve ’60 në ambientet e ish-Kinostudios Shqipëria e Re. E nxjerrë nga arkivi personal i studiuesit të kinemasë Abaz Hoxha, kjo foto na njeh me dy femra, jeta e të cilave ka qenë e lidhur me filmin. Margarita ka qenë sekretare daktilografiste që me themelimin e Kinostudios. Jeta e tyre ka mbetur vetëm te fotot e familjarëve dhe kolegëve, ashtu siç ka mbetur gjithçka nga një periudhë më shumë se 40-vjeçare e prodhimit të filmit në vend. Shqipëria është i vetmi vend që nuk mundi të realizonte një Muze Filmi pas rënies së diktaturës. Më shumë se gjysmëshekulli kinema, pavarësisht frymës së soc-realizmit që kishte përqafuar kinemaja e asaj periudhe, nuk ka ende një vend ku mund të ekspozoheshin prodhimet më të mira, histori nga momentet e filmave, kostumografia, apo gjithçka tjetër që duhet të ketë një muze filmi. Nuk ka një kënd ku mund të shohim një pjesë të historisë sonë, një ndërtesë që të mbarte brenda gjithë kujtesën e atyre viteve të trazuara ku u realizuan filma që ende shihen me ëndje. Një vend ku mund të shihje pasazhe të pathëna gjatë xhirimeve të një filmi, kostumin e Gjinos te “14 vjeç dhëndër”, apo pallton e Agim Qirjaqit në rolin e kolonelit gjerman te “Dimri i fundit”, veshjet e fëmijëve te filmi “Debatik”, apo detaje të tjera që do të grishnin çdokënd që është i pasionuar nga kinemaja e asaj periudhe. Ndryshimi i sistemeve, duket se e shndërroi Kinostudion në një hapësirë lulëzimi për sektorin privat dhe shteti nuk bëri asnjë përpjekje për ta ruajtur këtë hapësirë si shenjë të memories së saj historike. Nuk ka pasur asnjë ide të ngritur nga Ministria e Kulturës për një muze filmi këto vite.

Spartak Papadhimitri

Spartak Papadhimitri

Dëshira për një muze është qarkulluar vetëm në ambiente e biseda kineastësh, dhe ka mbetur po aty. Sabina Kodra, producente e sapokthyer nga Sofja, jep rastin e Bujanës, ish-qendër e madhe kinematografike gjatë komunizmit, që bullgarët ndryshe nga ne e kanë ruajtur, duke e shndërruar sot në një hapësirë ku prodhohen filma apo bëhen takime mbi kinemanë, ku mund të shohësh dhe muzeun e së shkuarës. “Ndryshe nga ne, bullgarët e kanë ruajtur këtë pjesë të identitetit të tyre, pa u shqetësuar se ka qenë e lidhur me propagandën, duke gjetur një ekuilibër mes së shkuarës dhe së tashmes”, thotë ajo. Në rastin e Shqipërisë, Kodra mendon se është vonë për një Muze të tillë, filmi, ndoshta dhe për faktin se gjithë skenografia, materialet dhe gjithçka tjetër interesante nga ajo periudhë historike janë shkatërruar apo marrë nga njerëzit. Pas viteve ’90 Kinostudioja u pa si një mjet përfitimi, dhe pakkush mendoi për ruajtjen e identitetit të saj. Kujtim Gjonaj, regjisor dhe ish-drejtor i AlbaFilm, thotë se ideja se gjithë krijimtaria e prodhuar në ish- Kinostudio ka qenë e lidhur me propagandën e realizmit socialist, apo partisë shtet, ndoshta ka qenë dhe një nga arsyet që ka penguar të bëhet një muze filmi. “Mendoj se historia mbetet histori, me të gjitha dritëhijet e saj, ndaj muzeu për kinematografinë është domosdoshmëri, pasi aty nuk është vetëm historia e atyre që krijuan dhe realizuan ato vepra, por dhe historia e vendit tonë dhe përpjekjet tona për një jetë më të mirë”, thotë Gjonaj. Sipas tij, ideja për një muze të Kinematografisë ka shumë vite që qarkullon në mjedisin e kineastëve dhe më gjerë. “Është folur shumë edhe nga zyrtarë, por asnjëherë nuk është marrë ndonjë vendim apo caktuar një fond për këtë çështje. Dikur edhe më parë, kur isha drejtor i AlbaFilm, ishin krijuar premisat për të fiksuar idenë e një muzeu. Kjo pasi në korridoret e mëdha të korpusit qendror kishim vendosur portrete të regjisorëve, skenaristëve dhe të drejtuesve kryesorë të ish-Kinostudios. Kishte mjaft foto të tjera me momente të xhirimeve të filmave. Ishte vërtet një ndjesi e bukur. Dhe në idenë e ruajtjes së korpusit kryesor, si ajo që njihet nga të gjithë si Kinostudio, shpesh diskutohej që aty të ishte muzeu”, thotë Gjonaj. Sipas tij, ngritja e një muzeu do të krijonte mundësinë që objekti të mos tjetërsohej dhe të mos pushtohej nga subjekte private, siç ka ndodhur pas vitit 2005. “Fatkeqësisht moskrijimi i një muzeu është mosdashamirësia e drejtuesve të Ministrisë, të cilët mendoj se nuk e kanë inkurajuar asnjëherë një dëshirë të tillë për vite me radhë. Nga ana tjetër, ka qenë edhe vendosja e drejtuesve të AlbaFilm, të cilët kanë qenë gjithnjë njerëz që nuk i ka lidhur as profesioni dhe asnjë gjë tjetër me kinematografinë. Të pesë drejtorët në dhjetëvjeçarin e fundit kanë qenë krejtësisht jashtë çdo lidhje me kinematografinë dhe njerëzit që e bëjnë atë”, thotë Gjonaj. Ndryshe nga ata që mendojnë se shumë pak gjëra kanë mbetur nga një histori gati 50-vjeçare kinemaje, Gjonaj beson se nëse ekziston ideja e mirë, nuk është vonë për të pasur një muze filmi. “Nuk di se sa hapësira kanë mbetur pa u përlarë ende nga ‘pushtuesit’ e territorit, por nëse ekziston mundësia dhe dëshira e mirë e atyre që e kanë në dorë të sigurojnë mjetet e nevojshme financiare, atëherë mundësia për ta ngritur një muze të tillë ekziston. Ashtu si ekzistojnë ende edhe disa mjete teknike të përdorura në atë kohë në shërbim të filmit. Them disa, se gjatë 25 viteve ajo ndërmarrje është masakruar nga përfituesit e shumtë. Mjafton të përmend emisionet e shumta të disa televizioneve kryesore, që kanë marrë dhe rrëmbyer çdo kuadër që nga fillimet e ekzistencës të filmit shqiptar”, thotë Gjonaj. Ai merr rastin e arkivës së Kinostudios, e cila nuk është trajtuar siç duhet këto vite. Por nëse do të kishte një përpjekje nga Ministria për të ndërtuar një muze filmi, sipas tij, kjo mund të realizohej edhe në kushtet në të cilat është tani Kinostudio. “Mundësitë dokumentare dhe disa objekte që i kanë shpëtuar dhunës janë, disa njerëz nga ajo periudhë janë ende gjallë për të kontribuar mbi evidentimin dhe historikun e saj… duhet vetëm mbështetje financiare”, thotë Gjonaj. Sipas tij, ngritja e një muzeu është një detyrë për vendin. “Është domosdoshmëri për kujtesën tonë kolektive, por dhe një rrezatim kulture dhe njohjeje edhe për ata që po t’i pyesësh pse lagjja ku banojnë quhet Kinostudio, nuk e dinë origjinën e emrit”, thotë ai. Ajo që të kujton sot ish-Kinostudion e cila, në thelb, mban historinë e filmit në Shqipërinë e 50 viteve, janë vetëm ndërtesat e larta të një stili ndryshe, ndërsa brenda tyre gjallon një tjetër jetë…

Spartak Papadhimitri 

“Duhet një muze filmi, për të mbajtur gjallë historinë e kinematografisë shqiptare, të atyre krijuesve që e projektuan dhe e ndërtuan artin e shtatë, që u pasua me një industri të rëndë, ku përfshihet një numër i madh specialistësh artistë në të gjitha fushat si grimierë, budaforistë, ndriçues, piktorë kostumesh, piktorë filmi, inxhinierë, kimistë, skenaristë, regjisorë, operatorë, montazhierë, etj. Kinemaja krijon një pasuri të madhe të kulturës sonë kombëtare. Nëpërmjet muzeut do të mbahet gjallë historia e kombit tonë, ku do pasqyrohet nëpërmjet kronikave të ndryshme, dokumentare dhe filma artistikë, ku tregohet lufta dhe përpjekjet e popullit shqiptar që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, përpjekjet për krijimin e identitetit kombëtar e të tjera. Gjithashtu filmi ka luajtur rol kryesor në zhvillimin e jetës kulturore të vendit tonë, pra ky muze do mbajë gjallë kulturën shqiptare, vlerat kombëtare të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.