Home / Qeveritare / Rama: Pastërtia e plazheve nuk është çështje buxhetesh, por vetëdije qytetare

Rama: Pastërtia e plazheve nuk është çështje buxhetesh, por vetëdije qytetare

Vullnetaret per nje bregdet te paster

Vullnetaret per nje bregdet te paster

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi sot se pastërtia e plazheve kombëtare nuk është çështje buxhetesh, është çështje vetëdijeje dhe kujdesi qytetar.

Këtë mesazh, Kryeministri Rama i drejtoi sot, vullnetarëve që i janë bashkuar programit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për plazhe të pastra, duke kërkuar edhe bashkëpunimin e gjithë qytetarëve për të ndryshuar imazhin e plazheve të bregdetit tonë.

Kryeministri e bëri këtë apel gjatë vënies në funksionim të Kampit të parë të Vullnetarëve në plazhin publik të Golemit në Durrës. Një risi kjo, pjesë e programit të ri, “për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e sezonit të turistik,” – u shpreh Kryeministri, ndërsa theksoi se në këtë përpjekje duhet të marrin pjesë të gjithë pushuesit, duke e trajtuar mjedisin si “shtëpinë e tyre”.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare informoi se kampi vullnetarëve të  Golemit është pjesë e rrjetit prej 10 kampesh të tilla që do të shtrihen në të gjithë vijën bregdetare të vendit, në  shërbim të pushuesve dhe për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Kampet do të funksionojnë si bashkëveprim i disa agjencive ekzekutive me shoqërinë civile, nën drejtimin e AKB-së.

“Në prani të Kryeministrit, ne do hapim kampet e vullnetarëve, të cilat janë  planifikuar si një bashkëpunim i Forcave të Armatosura, vullnetarëve, pjesëtarëve të tjerë të shoqërisë civile, të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e këtij aksioni, për të ardhur për të pastruar jo vetëm plazhin, por edhe për të disiplinuar të gjithë mbarëvajtjen e pushuesve gjatë sezonit,” – u shpreh Tare.

Drejtori i AKB-së lajmëroi edhe organizimin e një festivali të Filmit të Detit dhe aktivitete të tjera, që do të shërbejnë si argëtim për pushuesit. Përveç vullnetarëve, pjesë e këtyre kampeve do të jenë edhe shërbimi i infermierisë dhe strukturat lokale të INUK, AKU dhe mjedisit.

Por Kryeministri u shpreh se ndryshimi do të ishte i vështirë pa u vetëdijësuar edhe qytetarët se duhet të japin kontributin e tyre për plazhe të pastra. Kryeministri theksoi se është fatkeqësi të shikosh sesi në shumë raste, përshtypjet e vizitorëve dhe e gazetarëve të huaj nga plazhet shqiptare janë përshtypje që na turpërojnë të gjithëve. “Të një vendi magjik ku njerëzit vetëm bëjnë pis; të plazheve të mrekullueshme ku ka plehra ngado që hedh sytë. Kjo duhet të ndryshojë!” u shpreh i vendosur Kryeministri.

Kryeministri, ndërsa nënvizoi se problemet me sistemimin e ujërave të zeza dhe me infrastrukturën ekzistojnë, njoftoi se që këtë vit do të fillojnë disa ndërhyrje shumë të rëndësishme në pikëpamje të infrastrukturës, në aksin e plazhit të Durrësit . Ndërsa të gjitha këto duan kohë, nënvizoi Kryeministri, “jemi këtu për ta përçuar tek çdokush që konsumon kohën në plazh, qoftë tek pushuesit, qoftë tek sipërmarrësit dhe mjediset tregtare që shërbejnë, për të arritur që të kemi një pastërti shembullore.”

“Është një program i ri, që ne e vëmë në jetë për herë të parë, që synon që t’i japë fund një tradite shumë të turpshme dhe që na vë të gjithëve si shoqëri dhe si vend në pozitë të tmerrshme, edhe me vizitorët e huaj, të plazheve të pista, të plazheve ku çfarë konsumohet hidhet në rërë, të plazheve ku nuk ka kujdes për mjedisin.

Është bërë një punë kolosale gjatë gjithë 6-mujorit të parë të vitit, falë kontributit të Forcave të Armatosura për të pastruar mbetjet historike. Tani jemi në fazën kur do të pastrojmë mbetjet e përditshme. Duhet t’i pastrojmë në bashkërisht dhe duhet të insistojmë që pak nga pak të gjithë pushuesit të marrin pjesë në këtë përpjekje, duke mos hedhur mbeturinat, por duke siguruar që të gjithë mbeturinat e konsumit të tyre në plazh të hidhen në pikat e caktuara. Kjo do të ishte një fitore historike për një shoqëri që pret shumë më tepër se kaq nga turizmi dhe për një vend që kërkon të jetë një vend me nam të madh dhe të mirë si një vend turistik. Pengesa e parë që kemi janë plehrat dhe kultura jonë mizerabël e marrëdhënieve me mjedisin. Por lehtësisht mund ta ndryshojmë këtë, duke menduar siç mendojmë në shtëpinë tonë. Asnjëri nuk i hedh plehrat në mes të shtëpisë. Atëherë, pse duhet t’i hedhim në mes të plazhit?! Secili të japë kontribut dhe secilin duhet ta ndihmojmë të kuptojë se nuk mundet më të vazhdojmë kështu. Kjo është puna kryesore që kanë këto grupe, përveç pastrimit që do bëjnë në çdo metër katror,”u  shpreh gjatë takimit me vullnetarët në Golem Edi Rama.

Kryeministri Rama vizitoi edhe një plazh privat në Golem, ku për herë të parë janë ngritur kulla e rojës bregdetare, biblioteka e plazhit apo edhe zona e përcaktuar për të notuar, të cilin Kryeministri e vlerësoi një model të standardit që duhet të ofrojnë plazhet tona.

Në hapjen e Kampit të parë të vullnetarëve në Golem merrnin pjesë edhe të zgjedhur vendorë, kryetar i Bashkisë së Durrësit, Golemit, Rrashbullit. Për kryetarin e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, kjo nismë është një sinjal shumë pozitiv për të filluar kthesën e ndryshimit.

[yop_poll id=”4″]

Leave a Reply

%d bloggers like this: