Home / Europa / Britani, punësimi dhe kujdesi i fëmijëve në fokus të konservatorëve

Britani, punësimi dhe kujdesi i fëmijëve në fokus të konservatorëve

David Cameron pritet të mbledhë së shpejti kabinetin e tij tërësisht konservator, të cilëve pritet t’u thotë se janë pikërisht ata partia e njerëzve që duan punën.

Kryeministri ka formuar tashmë grupin e tij kryesor, pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme të javës së kaluar. Sipas BBC, ai pritet të thotë se masat për nxitjen e punësimit dhe rritjen e mirëqënies do të jenë çështjet kryesore.

Rritja e kujdesit falas për fëmijët para se të hyjnë në shkollë pritet të jetë gjithashtu pjesë e axhendës së konservatorëve. Zoti Cameron pritet t’u bëjë thirrje ministrave që t’u japin të gjithë britanikëve shansin që të bëjnë më shumë për jetën e tyre.

Sipas mediave britanike, shefi i qeverisë pritet t’u thotë ministrave se, partia e tij do t’u ofrojë anglezëve mundësinë për të vazhduar përpara, dinjitetin për një vend pune, krenarinë e një rroge, një shtëpi dhe më shumë siguri e paqe, që vijnë nga mundësia për të mbajtur familjen.

Konservatorët deklarojnë se masat për punësimin dhe kujdesin e fëmijëve do të jenë në fokus të programit të tyre legjislativ, që pritet të shpallet më 27 maj e që sipas tyre do të kalojë me shpejtësi në Parlament.

Gjatë fushatës elektorale, Cameron tha se Mbretëria e Bashkuar duhet të aspirojë për një punësim sa më të gjerë, duke theksuar se Britania ka përqindjen më të lartë të të punësuarve mes vendeve të zhvilluara.

Synimi i qeverisë konservatore do të jetë krijimi i 2 milionë vendeve të punës dhe i 3 milionë vendeve për stazhierë në 5 vitet e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.