Home / Sporti / Argjentina shkon në gjysmëfinale

Argjentina shkon në gjysmëfinale

argjentinaArgjentina e Lionel Mesit kualifikohet për në gjysmëfinale të Botërorit 2014 dhe pret të mësojë kundërshtarin e radhës në këtë kompeticion. Njërën mes Holandës dhe Kosta Rikës, që do të “përplasin brirët” mes tyre në orën 22:00. Goli i hershëm i Gonzalo Higuain, shënur që në minutën e 8-të të kësaj cerekfinaleje, ka mbetur i pandryshuar deri në fund, duke bërë që belgët të kthehen në shtëpi tashmë. Ndryshe nga herët e tjera, skuadra e Mark Vilmots nuk arriti të reagojë e të përmbysë disavantazhin, kjo edhe për meritë të albicelestëve, që kësaj here treguan potencialin dhe pjekurinë e tyre. Një skuadër e ekuilibruar mes reparteve, tepër e kujdesshme në prapavijë, me një Mesi që nxjerr asiste për shokët e skuadrës edhe nga situata hici, Argjentina e kaloi me sukses testin e radhës. Atë më të vështirin deri tani në Kupën e Botës së kësaj vere. Njëherazi, rikonfirmoi kandidaturën e saj për të mbërritur në finale dhe, pse jo, për të triumfuar në vendin ku të gjithë e urrejnë, në Brazil. 

ARGJENTINE-BELGJIKE 1:0 
Golat: Higuain 8′ 
ARGJENTINA: S.Romero, M.Demichelis, P.Zabaleta, E.Garay, J.Basanta, J.Mascherano, L.Biglia, Á.di María (E.Pérez 34′), L.Messi, G.Higuaín (F.Gago 81′), E.Lavezzi. Trajner: A.Sabella 
BELGJIKA: T.Courtois, V.Kompany, D.Van Buyten, J.Vertonghen, T.Alderweireld, M.Fellaini, A.Witsel, E.Hazard (N.Chadli 76′), K.De Bruyne, K.Mirallas, D.Origi. Trajner: M.Wilmots 
Gjyqtare: N.Rizzoli, R.Faverani, A.Stefani 
Kartonë të verdhë: Biglia 75′ / Hazard 53′, Alderweireld 68′ 

Pjesa e pare
Argjentina e nis vrullshëm dhe me presing, duke treguar tjetër fytyrë nga sfidat pararendëse në këtë Botëror. Për pasojë, edhe rrugën e rrjetës e gjen shumë shpejt, që në minutën e 8-të, me anë të Gonzalo Higuain. Sulmuesi i Napolit shfrytëzon një pasim pas krahëve të mbrojtjes nga Mesi dhe godet pa u menduar dy herë. Duke shfrytëzuar edhe hapësirën që lejoi dyshja e qendrës së prapavijës belge, Kompani-Van Bujten, numri 9 i albicelestëve zhbllokon shifrat. Start më të mbarë nuk mund të kishte, ndërkohë që ndeshja luhet shumë e fortë, me dyluftime të ashpra mes lojtarëve në fushë. Belgët sulmojnë me topa të gjatë, ndërsa argjentinasit dalin me pasime të shkurtëra e verikalizime nga krahët në fazën ofensive. Mesi është njeriu i fundit që filtron topat e të tijve dhe i adreson me mjaft zgjuarsi te reparti i sulmit. Reagimi i Belgjikës është evident, teksa ndërmerr disa aksione drejt portës së Romeros, por e rrezikon atë seriozisht në minutën e 25-të. De Bryne lëshon një predhë nga distanca, duke e detyruar portierin argjentinas të grushtojë, por pa e zotëruar plotësisht topin. Mbrojtja e skuadrës së Sabejës ka shumë punë, sidomos nga krahët, prej nga derdhet kundërshtari në kërkim të barazimit të rezultatit. Mirëpo, nga këmbët e Mesit dalin mrekullira kur nuk e pret, duke dhënë pasime të përpikta që nga mbrojtja në sulm. Kështu bën ylli argjentinas në minutën e 29-të, që sulmin e belgëve e shndërron me një pasim në asist për Di Marian, në krahun tjetër, por lojtari i Realit nuk është në ditën e tij më të mirë. Belgët janë zhbilancuar në repartin e pasmë, ngaqë lojtarë si Kompani e të tjerë marrin pjesë aktive në sulm, kështu që Mesi dhe të tijtë gjejnë hapësira manovrimi dhe rrezikojnë seriozisht. Sabeja bëhet me dhimbje koke në minutën e 33-të, kur Di Maria i bën me shenjë se nuk mund të vazhdojë më tej. Lojtari ka pësuar dëmtim dhe Argjentina bën një zëvendësim të detyruar, duke humbur një element të spikatur në formacionin e saj. Pjesa e parë mbyllet me fitoren minimale të skuadrës së Sabejës, që kishte bërë jo pak ndryshime në formacionin e vet, sidomos në vendosjen e skuadrës, me Mesin thuajse në rolin e një fantazisti në mesfushë, i tërhqeur në zemër të albicelestëve. 

Pjesa e dytë 
Nis pa ndryshime në përbërjet e të dyja skuadrave. Belgët duken pak më të tendosur, me orientim të qartë nga porta kundërshtare, sepse këtë gjë ia kushtëzon disavantazhi, megjithatë nuk kanë qartësi të besuarit e Vilmots. Kjo e mban Argjentinën në pozita komode, pa pasur nevojë të shtojë forcat para portierit Romero. Madje, krijimi i hapësirave nga kundërshtari krijon mundësi optimal për kundërsulme. Kështu bën Higuain në minutën e 55-të, që përparon nga mesfusha deri mbi vijën ballore të 16-metrave, godet rreptë, por prek traun e portës së Kurtua. Albicelestët fare pranë golit të dytë, ndërkohë që presioni rritet te Belgjika, cka shoqërohet me pasime të gabuara dhe mungesë fantazie. Vilmots vendos të ndërhyjë me dy zëvendësime të menjëhershme në minutën e 59-të. Lukaku dhe Mertens hidhen në lojë, duke freskuar kësisoji tërësisht repartin e përparmë. Kërkohet medoemos goli, ndaj Belgjika i luan të gjitha kartat për këtë. Felaini me kokë tenton në minutën e 65-të, por topi kalon paksa mbi tra. Argjentinasit qarkullojnë topin me pasime të dendura, duke dashur të luajnë kështu edhe me nervat e kundërshtarit. Cdo minutë që kalon i rëndon më shumë psikologjikisht belgët, në disavantazh, që tentojnë me forcë për të depërtuar në prapavijën albiceleste, por Garay dhe Maskerano janë një digë e vërtetë. Futja e Lukakut i ka dhënë një tjetër impuls sulmit të Vilmots, gjithsesi, ndaj Belgjika zhvendoset më së shumti në gjysmëfushën argjentinase. Sabeja bën zëvendësimin e parë në sulm, duke dashur ta mbajë skuadrën përpara, jo t’i nënshtrohet presingut të kunërshtarit dhe ta bëjë portën e Romeros të arritshme. Laveci ia lë vendin Palasios, një ndërrim i parë ky edhe në ndeshjet e kaluara. Vilmots nxiton të kryejë edhe zëvendësimin e tretë në minutën e 76-të, duke ulur në stol Eden Hazrad, që pak ra në sy në këtë ndeshje. Përpjekjet e belgëve nuk kanë të rreshtur në cerekorëshin e fundit të ndeshjes, por tek ata mungon kthjelltësia në veprime dhe pasimin e fundit për gol. Mbahet më së miri skuadra e Sabejës, që vijon të shfaqet kërcënuese përmes kundërsulmit. Në këtë mënyrë, Mesi dhe të tijtë e mbajnë të paprekur portën e tyre dhe i falen kësisoji golit të hershëm të Higuain. Albicelestët shkojnë në gjysmëfinale të Botërorit, ndërsa skuadra e Mark Vilmots kthehet në shtëpi, duke lënë përshtypje mjaft të mira në Brazil. Ndoshta mungesa e eksperiencës bëri që Belgjika të dështojë në ndeshjen cerekfinale, ndërkohë që kishte bërë paraqitje mbresëlënëse më herët në këtë kompeticion. 

 

[yop_poll id=”5″]

Leave a Reply

%d bloggers like this: